Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, priti në takim ambasadorët e vendeve të QUINT-it - SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe Italisë - ashtu si edhe kreun e delegacionit të Bashkimit Evropian në Beograd.
Në takim mori pjesë edhe ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Millan Mojsilloviq, raporton Radio-Televizioni i Serbisë.
Vuçiq, gjatë ditës, do të takohet edhe me ambasadorët e Rusisë dhe Kinës.
Takimet vijnë një ditë pasi protestues serbë në Zveçan - komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës - u përplasën me ushtarë të KFOR-it.
Dhjetëra të plagosur u raportuan në të dyja anët.
Për t'u informuar lidhur me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, përcillni blogun e Radios Evropa e Lirë
Protestuesit në këtë komunë, ashtu si edhe në dy të tjera, Zubin Potok dhe Leposaviq, protestuan kundër kryetarëve të rinj shqiptarë, të dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit.
Protestat janë duke vazhduar edhe sot. /REL