Arbëri

Situata në veri, kambanë alarmi për komunitetin ndërkombëtar

Rreziqe të shumta paralajmërohen në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë nëse nuk ka angazhim të shtuar nga Bashkimi Evropian dhe NATO-ja, thuhet në një raport të Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Mungesa e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë përmendet si çështja më sfiduese për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Për këtë, i është bërë thirrje NATO-s dhe BE-së që të ushtrojnë presion mbi Kosovën dhe Serbinë për zbatimin e Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Ohrit

Incidentet në veri të Kosovës janë kambanë alarmi për komunitetin ndërkombëtar sa i përket seriozitetit të sfidave të vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor, konstatohet në një raport të fundvitit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Autori i këtij dokumenti, lordi nga Britania e Madhe, Mark Lancaster, thekson shkaqet dhe shtytësit aktualë të sfidave kryesore të sigurisë.

Kosova bashkë me Bosnjë-Hercegovinën konsiderohen si vende me potencial të lartë dhune për shkak të çështjeve ndëretnike dhe raporteve me Serbinë.

“Viti 2023 dëshmoi një rikthim të konsiderueshëm të konfrontimeve të dhunshme në veri të Kosovës. Incidentet i ranë si një kambanë alarmi komunitetit ndërkombëtar për seriozitetin e sfidave të vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor. Në rajonin ku pothuajse të gjitha shtetet dhe territoret janë në kërkim të një të ardhmeje euroatlantike, çështjet e pazgjidhura si në Kosovë ashtu edhe në Bosnjë e Hercegovinë duhet të ripërqendrojnë vëmendjen e rëndësishme të aleatëve: Aleatët duhet të pajtohen me potencialin për destabilizim më të gjerë që paraqesin këto sfida”, shkruan në raportin me titull: “Ballkani Perëndimor: Sfidat e përgjithshme të sigurisë në pragun e NATO-s”. 

Mungesa e hapave drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, konsiderohet si çështja më sfiduese dhe më e paqëndrueshme e rajonit.

“Ajo ka shumë ndikime të menjëhershme domethënëse: i pengon të dyja vendet të avancojnë proceset e tyre të anëtarësimit në BE, është një faktor i rëndësishëm në jostabilitetin rajonal, një pengesë për bashkëpunimin ekonomik rajonal më të ngushtë dhe më efektiv dhe një kontribuues në vakumet e pushtetit që krijojnë mundësi për rrjetet kriminale për të shfrytëzuar rajonin si rrugë, arenë dhe zonë për trafikun e armëve, drogës dhe njerëzve”, thuhet në raport. 

Sipas dokumentit, në thelb të mosmarrëveshjes Kosovë-Serbi janë dy çështje kryesore: mosnjohja e Kosovës nga Serbia si dhe qasja e Qeverisë së Kosovës në komunat veriore të populluara kryesisht me serbë.

“Mosnjohja nga Serbia (dhe fushata aktive ndërkombëtare kundër njohjes) së shtetësisë së Kosovës si dhe mënyrat dhe mjetet e integrimit të popullsisë minoritare serbe të Kosovës – veçanërisht në katër komunat veriore në kufi me Serbinë, ku serbët përbëjnë mbi 90% të popullsisë. Në mungesë të nënshkrimeve mbi marrëveshjen, këto dy çështje kyçe vështirësohen, me sfidat e përshkallëzuara në veri të Kosovës që janë më të mprehta për sigurinë lokale dhe rajonale. Hapat përshkallëzues të ndërmarrë nga të dyja palët, veçanërisht nga Prishtina që nga viti 2021, kanë sjellë një gjendje paralize politike me një potencial të lartë për t'u shndërruar në dhunë”, shkruan në dokument. 

Më tej, në raport bëhet një përshkrim i vendimeve të qeverisë që lidhen me veriun, si ndalimi i përdorimit të dinarit serb si dhe mbyllja e zyrave bankare dhe postare ilegale. 

“Lëvizjet e njëanshme të qeverisë së Kosovës kanë shkaktuar dënime të paprecedentë, sanksione dhe masa të tjera kufizuese nga partnerët e saj perëndimorë”, shkruan në raport.

Si problematike përmenden edhe dorëheqjet masive të serbëve nga institucionet e Kosovës në vitin 2022.

“Dorëheqja masive e serbëve nga forcat policore kanë lënë një vakum relativ sigurie në rajon që ka të ngjarë të ushqejë vetëm sfida të mëtejshme të sigurisë. Siç vërejnë ekspertët, krimi i organizuar tashmë ka përfituar plotësisht nga situata e dobët dhe po depërton në të gjitha aspektet e jetës politike në rajon. Përpjekjet e Kosovës për të shfrytëzuar situatën që të konsolidojë kontrollin e saj mbi komunat, ka të ngjarë që vetëm të komplikojnë më tej gjasat për më shumë përçarje”, konstatohet në raport.

Në fund të dokumentit jepen edhe rekomandime, mes tjerash përmendet presioni që duhet të ushtrohet mbi Kosovën dhe Serbinë.

“Para së gjithash, aleatët e NATO-s, BE-ja dhe partnerët e tyre duhet të vazhdojnë të ushtrojnë presion të duhur ndaj Beogradit dhe Prishtinës për të zhbllokuar dialogun dhe për të gjetur një rrugë përpara për normalizimin e marrëdhënieve midis të dyjave. Ndërsa është e qartë se Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksi i Zbatimit të saj ishin një arritje historike, mosmarrëveshja midis Beogradit dhe Prishtinës mbetet sfida më e rëndësishme e rajonit për shkak të mungesës së marrëveshjes për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes”, shkruan në raport.

Aty listohen edhe veprimet që duhet t’i ndërmarrë Kosova që lidhen me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa Beogradit i kërkohet ta ndalë fushatën kundër shtetësisë së Kosovës. 

“Qeveria në Prishtinë duhet të gjejë një agjendë të qartë, proaktive dhe pozitive për të qetësuar popullatën serbe në veri të Kosovës – kjo përfshin veprimin e menjëhershëm për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për të rrënjosur besimin e nevojshëm në mesin e vendasve, popullatës pasi do të adresohen shumë nga shqetësimet e tyre legjitime. Paralelisht, qeveria në Beograd duhet të ndalojë fushatën e saj duke kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, thuhet në raport.

Duke iu referuar rreziqeve, po ashtu rekomandohet që NATO-ja ta konsiderojë shtimin e trupave në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë. 

“Prania e forcave të NATO-s në Kosovë mund të përforcohet akoma duke pasur parasysh zhvillimin e ngjarjeve në terren e rajon: Aleatët dhe BE-ja mund të punojnë së bashku për të siguruar forca më të përshtatshme për qëllimet e tyre në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë. Vëmendja e aleatëve ndaj Kosovës nuk mund të injorohet – prioritet kanë potencialisht më shumë forca, të pozicionuara siç duhet. Operimi i KFOR-it ka një rol të rëndësishëm, që shtrihet përtej frenimit të dhunës, pasi shërben gjithashtu si një kanal për kontakt pozitiv dhe ndërtim besimi me të gjitha komunitetet në Kosovë dhe Serbi”, shkruan në raport.

Aty përshkruhet edhe procesi i transformimit të Forcës së Sigurisë në ushtri, duke konstatuar se në parim si çështje i takon Kosovës, por përmendet edhe deklarata e ish-sekretarit të NATO-s që kishte deklaruar se vendimi “nuk ishte në kohën e duhur” dhe nuk ishte gjithëpërfshirës. 

E themeluar në vitin 1955, Asambleja Parlamentare e NATO-s vepron si një organizatë ndërparlamentare konsultative e cila institucionalisht është e ndarë nga NATO-ja.

Në maj të këtij viti, Asambleja Parlamentare e NATO-s me shumicë votash kishte miratuar rekomandimin për avancim të statusit të Kuvendit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asocuar.

Për shumë vite Kosova ka pasur statusin e anëtarit vëzhgues dhe avancimi i statusit është niveli më i lartë i prezencës në Asamble deri në anëtarësimin e plotë të Kosovës në aleancën veri-atlantike. 

Me ngritjen e nivelit të përfaqësimit do të zgjerohet delegacioni pjesëmarrës i Kosovës, do të ketë përfshirje më të madhe në vendimet e Asamblesë dhe Kosova mund të kontribuojë në adresimin e amendamenteve dhe komenteve lidhur me dokumentet të cilat i trajton Asambleja.

Por Kosova nuk ka të drejtë vote në raportet apo rezolutat që nxjerrë Asambleja dhe as nuk kontribuon në buxhetin e saj. Me status të njëjtë si Kosova në Asamble janë edhe Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina.

Asambleja Parlamentare përbëhet nga 281 delegatë nga 32 vendet anëtare të NATO-s.