Arbëri

Situata në Kosovë pas sulmit në Ibër-Lepenc

Varagë - Zubin Potok

Varagë - Zubin Potok

Foto: Driton Paçarada

Sulmi mbrëmjen e 29 nëntorit në kanalin e ujësjellësit të Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut shkaktoi dëme të konsiderueshme, por ato u sanuan pjesërisht brenda orësh. Autoritetet e Kosovës e kanë cilësuar terrorist sulmin dhe përgjegjëse e kanë bërë Serbinë. Sulmi është dënuar nga bashkësia ndërkombëtare. Kryeministri Albin Kurti gjatë vizitës në vendngjarje konfirmoi se Policia ka arrestuar disa persona dhe ka konfiskuar materiale të ndryshme.

VIDEO:

Pjesëtarë të KFOR-it, EULEX-it e pjesëtarë të Policisë së Kosovës, janë duke monitoruar për së afërmi situatën në Varagë. 

FOTO: Driton Paçarada

Institucionet të shtuën njoftuan se është siguruar furnizimi i rregullt me energji elektrike për vendin si dhe ngrohja qendrore për qytetarët e Prishtinës. 

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se në afat rekord “Ibër-Lepenci” ka vendosur gjashtë tuba të përkohshëm me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”. 

VIDEO: Vendosja e tubave

Në të njëjtën kohë, ka thënë ajo, janë koordinuar edhe me Korporatën Energjetike të Shqipërisë për të siguruar energji shtesë për të evituar reduktime eventuale. 

Kryeministri Albin Kurti gjatë paradites së sotme vizitoi vendin ku ndodhi shpërthimi në "Ibër-Lepenc", i shoqëruar nga shefi i Agjencisë Kosova për Inteligjencë, Petrit Ajeti dhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka ndërmarrë masa emergjente për zbutjen e pasojave dhe për ta ruajtur sigurinë e infrastrukturës kritike të vendit. Në mbledhje të jashtëzakonshme, Këshilli ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale, e të tjera.

Në tri ditët e fundit, veriu ka qenë cak i disa sulmeve. Të enjten, u gjuajt me bombë në oborrin e stacionit policor në Zveçan, ndërsa një ditë më vonë bombë u gjuajt edhe në oborrin e Komunës së Zveçanit.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e ka dënuar fuqishëm sulmin në infrastrukturën kritike të Kosovës të premten vonë, ndërsa i ka shprehur mbështetje të plotë Qeverisë. Në një postim në “X”, Hovenier bëri të ditur se janë duke e përcjellë situatën nga afër dhe do ta mbështetin hetimin gjithëpërfshirës. Sulmin e kanë dënuar edhe ambasadorët e BE-së, Gjermanisë, Francës, Italisë

Ndërsa, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në Facebook ka shkruar se dënon ashpër “aktet terroriste me lëndë eksplozive mbi Kanalin e Ibër-Lepenic, që synojnë shkatërrimin e infrastrukturës kritike të Kosovës e cenojnë sigurinë kombëtare të Kosovës”.

“Mbështes fuqishëm të gjitha përpjekjet e Republikës së Kosovës për përballimin e situatës dhe hetimin e ndëshkimin e plotë të këtij akti sabotues e terrorist”, ka theksuar ai.

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, ka thënë e ka quajtur sulmin kriminal dhe terrorist. Ai ka thënë se Kosova do të vazhdojë ta mbrojë sovranitetin e saj dhe se ka mbështetjen ndërkombëtare.

Ndërkohë, nga Turqia është thënë se është e gatshme t’i ofrojë çfarëdo ndihme që Kosova ka nevojë.

Nga sistemi i Ibër-Lepencit në Ujman, në Zubin Potok, furnizohen me ujë të pijshëm veriu i Kosovës, por edhe Prishtina me rrethinë. Ky hidrosistem furnizon gjithashtu me ujë termocentralet në Obiliq, që përdoret për ftohjen e termocentraleve Kosova A dhe Kosova B. Përveç kësaj, uji nga liqeni akumulues i Ujmanit përdoret edhe për ujitjen e sipërfaqeve bujqësore.

 

 

 

varage

Kryeministri Kurti në Varagë | Foto: Driton Paçarda