Qendra Rajonale në Pejë për fëmijët dhe të rritur me çrregullime neurobiologjike, që në mjekësi njihet si autizëm, që nga maji i vitit të kaluar është pa objekt, shkruan sot “Koha Ditore”.
Prej tetorit të vitit 2014 kur është themeluar, kjo qendër ka qenë e sistemuar në objektin e vjetër të Institutit të Shëndetit Publik, prej ku është nxjerrë jashtë në maj të vitit të kaluar, pasi objekti i është dhënë nga komuna me koncesion për 45 vjet një operatori për hapjen e një shtëpie për përkujdesje të personave të moshuar.
Nga vjet Qendra Rajonale për Autizëm nuk është e sistemuar askund. Drejtuesi i kësaj qendre, Xhevat Kurhasani, tregoi për KD-në se kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, i kishte premtuar vjet se do të sistemojë këtë qendër në objektin që gjendet në hapësirën prapa shkollës fillore “Dardania” në lagjen Dardania të Pejës.
“Ende nuk jemi vendosur në atë objekt. Nuk e di pse nuk po mundemi ende të kalojmë në atë objekt. Po shpresojmë që mund të kalojmë në atë objekt deri më 2 prill, kur është dita e ndërkombëtare e autizmit”, shpreson Kurhasani që pas një viti kjo qendër sërish të bëhet me një objekt dhe të nisë të funksionojnë si ka funksionuar për gati tre vjet... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)