“Pjesa e aneksit të COVID-it, ventilim-ajrimi nuk punon absolutisht hiç, edhe pse është i instaluar, i ka të gjitha ato. Klimatizimi dhe ventilimi bëjnë një zhurmë, por nuk e pastrojnë ajrin, e as nuk bëjnë ngrohje-ftohje, ashtu për çka janë instaluar”, thotë mjeku Mentor Zhara, shefi i njësisë në QMF-5, sipas të cilit edhe në pjesën e QMF-5, ku trajtohen pacientët e tjerë që nuk janë me COVID, diku 70 për qind e sistemit të ventilimit dhe klimës nuk është funksional, ndërkohë që stafi mjekësor kërkon që kjo qendër me 25 mijë pacientë në vit duhet të bëhet edhe me laborator
Në Qendrën më të madhe të Mjekësisë Familjare në Pejë, numër 5, që gjendet në lagjen “Fidanishte”, në të cilën prej fillimit të pandemisë funksionon edhe qendra e vetme në këtë komunë për COVID-19, edhe pas një viti në pandemi, sistemi i ventilimit dhe klimatizimit akoma është jashtë funksionit, pavarësisht nevojës që ka qendra e COVID-it për pastrim të rregullt të ajrit.
Në qendrën për COVID, qytetarët e gjithë kësaj komune marrin terapinë e përshkruar për COVID nga infektologët dhe pulmologët e Spitalit të Pejës. Aktualisht janë duke marrë terapi në këtë qendër deri në 120 pacientë gjatë ditës.
“Gjendja teknike lë për të dëshiruar në këtë QMF. Pjesa e aneksit të COVID-it, ventilim-ajrimi nuk punon absolutisht hiç, edhe pse është i instaluar, i ka të gjitha ato. Klimatizimi dhe ventilimi bëjnë një zhurmë, por nuk e pastrojnë ajrin, e as nuk bëjnë ngrohje-ftohje, ashtu për çka janë instaluar. Në qendrën e COVID-it që ishte dashtë të funksionojë ventilimi, por nuk funksionon”, thotë mjeku Mentor Zhara, shefi i njësisë në QMF-5.
Edhe në pjesën e QMF-5, ku trajtohen pacientët e tjerë që nuk janë me COVID, sipas Zharës, diku 70 për qind e sistemit të ventilimit dhe klimës nuk është funksional.
“Thjesht, ato bëjnë një zhurmë por nuk thithin ajër të papastër dhe nuk kthejnë ajër të pastër. Apo ajër të nxehtë e të ftohtë, si është klimatizimi absolut i rregulluar, i projektuar për atë”, thotë Zhara.
Ai tregon se për riparimin e këtyre sistemeve u kanë drejtuar edhe organeve kompetente të shëndetit primarë në Pejë. “Qe gati një vit prej që jam në QMF-5 ventilimi nuk ka funksionuar mirëfilltë. Kemi bërë kërkesa në këtë drejtim. Janë të informuara organet kompetente, megjithatë deri më sot nuk ka ndonjë intervenim. Kemi mbetur në pritje, jo sot, jo nesër... megjithatë nuk intervenohet nga askush dhe kanë mbetur jofunksionale”, thotë Zhara.
Mirëpo, siç pohon drejtori i Shëndetësisë, Petrit Loci, ai nuk ka pasur informatë që nuk punon ventilimi në QMF-5 e as në qendrën e COVID-it. “QMF-5 është i vetmi objekt shëndetësor në Komunën e Pejës në të cilin kemi investuar në ato pajisje. Është sistemi i klimatizimi për ftohje-ngrohje dhe sistem i ventilimit për pastrim të ajrit. Unë nuk kam informacione që ventilimi nuk punon. Ka pasur probleme me klimatizim, por për ventilim nuk e di që ka probleme”, pohoi Loci.

Ai tha se do ta autorizojnë menjëherë operatorin që e ka Komuna të kontraktuar për mirëmbajtje të sistemit të klimatizmit dhe ventilimit, që ai të rivihet në punë.
Sistemi i ventilimit dhe aklimatizimit është instaluar para gati katër vjetëve, kur është bërë rinovimi i përgjithshëm i këtij objekti shëndetësor, i ndërtuar në vitin 1984. Qendra e Mjekësisë Familjare Numër 5 mbulon tri lagjet ndër më të mëdhatë në qytetin e Pejës (Fidanishte, 7 Shtatori dhe Xhemjal Kada), si dhe disa fshatra të tjera përreth, banorët e të cilave preferojnë të kontrollohen në këtë qendër të shëndetit primar, e jo në ambulancat që i kanë në fshatrat e tyre. Sipas shefit të njësisë së QMF-5, Mentor Zhara, shërbime mjekësore prej katër mjekëve që punojnë në këtë qendër mesatarisht kërkojnë deri në 2 mijë pacientë gjatë një muaji.
Pavarësisht se ka deri në 25 mijë pacientë në vit, kjo qendër mjekësore ende nuk ka as laborator. Para rinovimit, në vitin 2017, në këtë qendër nuk ka pasur laborator, pavarësisht se shëndeti primar parasheh shërbimet laboratorike edhe në qendrat familjare. Pas rinovimit, një dhomë ishte lënë për laborator dhe ishte kompletuar edhe me pajisjet laboratorike dhe inventar. Për t’u hapur kishte mbetur të angazhoheshin teknikët e laboratorit. Jo vetëm që nuk u angazhuan ata teknikë, por pa e bërë as edhe një analizë të vetmen, dhoma kishte mbetur pa pajisjet laboratorike. Në dhomën e laboratorit tash punon gjinekologia.
“Janë sjellë e janë hequr pajisjet dhe nuk e di se kah janë çuar. Kanë fol se do të hapet laboratori. I kanë marrë pajisjet dhe se çka kanë bërë me to ne nuk e dimë”, thotë specialisti i mjekësisë familjare në QMF-5, Adem Eminaj.
Eminaj thotë se kjo qendër mjekësore ka tepër nevojë për laborator, duke pasur parasysh numrin e pacientëve që frekuentojnë në këtë qendër shëndetësore. “Për një shërbim shëndetësor që ka deri në 25 mijë pacientë në vit, duhet me qenë jo një po dy laboratorë në këtë QMF. E ne nuk e kemi asnjë. Me pas laboratorin, sa është nevoja gjatë ditës, një laborant nuk do të mund të kryente punë”, thotë Eminaj.
Drejtori i Shëndetësisë, Petrit Loci, tregon se pajisjet e laboratorit të QMF 5 para një viti, kur ka filluar pandemia, i kanë dërguar në ambulancën e fshatit Vitomiricë. “Në laboratorin e QMF-5 në ‘Fidanishte’ kemi mungesë të pajisjeve, të cilat do t’i blejmë. Mjetet janë ndarë. Janë 20 mijë euro për blerjen e pajisjeve për laborator, prej të cilave 10 mijë për QMF-në në ‘Fidanishte’. Tash presim biokimistët me ba specifikat e laboratorit për pajisjet që i duhen dhe do të nisin procedurat e tenderimit, të cilat besoj për dy-tre muaj kryhen”, thotë Loci, sipas të cilit në muajin qershor apo korrik do të nisë punën laboratori në QMF 5 në “Fidanishte”.