Zyra Kombëtare e Auditorit ka bërë auditim të performancës për Sistemin e Menaxhimit të Stokut Farmaceutik, që funksionon prej vitit 2013 në institucionet e shëndetësisë publike. Ky sistem del që nuk funksionon mirë, nuk përdoret nga të gjitha nivelet, e operatorët ekonomikë mund të kenë qasje të paautorizuar, gjë që rrezikon të dhënat e pacientëve
Rreth 60 milionë euro, aq sa Qeveria e Kosovës ndan për barnat e Listës Esenciale, menaxhohen përmes një sistemi që ka ngecje të mëdha në funksionim.
Sistemi për Menaxhimin e Stokut Farmaceutik kontrollon se si shpenzohen barnat në të gjitha nivelet e shëndetësisë publike.
Megjithatë, raporti i performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit ka nxjerrë shumë defekte që e bëjnë këtë sistem jofunksional dhe të pasigurt për përdorim.
Gjetja e parë e raportit të publikuar të hënën, është se ndonëse i shtrirë në të gjitha institucionet, sistemi nuk përdoret në secilin nivel të shëndetësisë.
Instalimi i sistemit është paguar, por pajisjet nuk përdoren. “Gjatë procesit të auditimit në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan dhe në QKMF në Suharekë, pajisjet “Zero Client”16 të cilat janë pranuar përmes këtyre kontratave për t’u kyçur në SMSF, nuk shfrytëzohen. Kjo në pamundësi të qasjes së këtyre pajisjeve në serverët virtual të MSH-së. Po ashtu, në QMF-të dhe AMF-të në Komunën e Suharekës nuk ishte realizuar shtrirja e rrjetit brenda objekteve. Kjo për shkak të moszbatimit të mirë të kontratave dhe mungesës së një kontrate për mirëmbajtje të infrastrukturës së SISH-it”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Problem është edhe keqfunksionimi i Departamentit të Informimit Shëndetësor në Ministrinë e Shëndetësisë.
E një gjetje tjetër është se ky sistem nuk ofron siguri për ruajtjen e konfidencialitetit të pacientëve, gjë që nënkupton se të dhënat e pacientëve janë të rrezikuara, meqë sistemi nuk ka filtër se kush mund të ketë qasje në to.
"Në SMSF nuk janë zbatuar masat mbrojtëse të privatësisë për të mbrojtur të dhënat e pacientit. Administratori i bazës së të dhënave dhe aplikacionit të SMSF-së mund të lexojë të dhënat personale të pacientit dhe terapinë që merr, meqë këto të dhëna nuk janë të enkriptuara në bazën e të dhënave dhe nuk ka kufizime në aplikacion”, thuhet tutje në raport.
Në raport thuhet se sistemi është i ndërtuar në atë mënyrë që mund të abuzohet me shpenzim të terapisë.
“Në mungesë të ndërlidhjes së këtyre dy sistemeve, në QKMF në Suharekë ka raste kur një pacient është furnizuar dy herë brenda një jave me të njëjtën terapi. Kjo ndodh në mungesë të informatave dhe historisë së pacientit, për stafin mjekësor të cilët e kontrollojnë pacientin, në lidhje me terapinë që është furnizuar pacienti dhe është duke e përdorur”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Gjatë konferencës ku u shpalos ky raport, auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca, tha se nga auditimi i këtij sistemi kanë rezultuar 16 rekomandime për Ministrinë e Shëndetësisë.
“Sistemi Informativ për Menaxhimin e Stokut Farmaceutik – Ministria e Shëndetësisë nga viti 2013 ka investuar në digjitalizimin e menaxhimit të stokut farmaceutik në institucionet shëndetësore për furnizim me barna dhe material shpenzues të Listës Esenciale dhe joesenciale për pacientë. Megjithatë, ka mangësi në shtrirjen dhe përdorimin e sistemit, si dhe në menaxhimin e qeverisjes së TI-së dhe në sigurinë e të dhënave”, ka thënë Spanca.
E auditorja Mirvete Gashi tha se sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë është pajtuar me gjetjet e raportit.
“Ekipi i auditimit i ka shpalosur gjetjet e auditimit me sekretarin e përgjithshëm dhe presim raportin se si do t’i adresojnë”, është shprehur ajo.
Ministria e Shëndetësisë e SHSKUK-ja vazhdimisht mburren se kanë rritur buxhetin për barna.