Arbëri

Sinjalizuesit, si në rastin e PTK-së, janë të mbrojtur me ligj, thotë shoqëria civile e MD-ja

Kërcënimet dhe shantazhet ndaj sinjalizuesve të PTK-së, që kanë ardhur nga menaxhmenti i kësaj ndërmarrjeje, kanë bërë që të reagojë Shoqëria Civile dhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Përkundër presioneve të vazhdueshme që i janë bërë sinjalizuesve të PTK-së, ministri Tahiri ka thënë se askush nuk mund t’i pengojë sinjalizuesit, pasi siç ka thënë ai, garanci për këtë u ofron ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve.

“Synimin për rritjen e integritetit në sektorin publik e kam adresuar përmes ligjeve jashtëzakonisht të rëndësishme, siç është ai për Parandalimin e Konfliktit të Interesit dhe ai për Mbrojtjen e Sinjalizuesve. Këto dy ligje sot janë në fuqi dhe përbëjnë instrumente të fuqishme për individët e përgjegjshëm të cilët janë heronj të rendit institucional që marrin përsipër të ekspozojnë sjellje të pahijshme, abuzim me detyrën dhe keqpërdorim të autorizimeve publike”, ka thënë ministri Tahiri.

Madje ai, sinjalizuesit i ka quajtur heronj të rendit instiucional që marrin përsipër të ekspozojnë sjellje të pahijshme, abuzim me detyrën dhe keqpërdorim të autorizimeve publike.

Edhe njohësit e së drejtës së medias, kërcënimet ndaj sinjalizuesve, po i shohin si presion dhe pengesë për bashkëpunim me mediat, gjë që atyre u garantohet me ligj.

Telekomi i Kosovës të premten ka kërcënuar punëtorët se do t’i ndjekë penalisht të gjithë ata që vërtetohen se kanë nxjerrë dokumente dhe informacione te pala e tretë.

Krejt kjo është bërë si rezultat i raportimeve të fundit të KTV-së për punësimet masive në Telekomin e Kosovës.