Arbëri

Sindikatat akuzojnë Qeverinë për ndërhyrje në punët e brendshme të tyre

Foto: Alban Bujari / Koha / arkiv

Deklarata e kryeministrit Albin Kurti se duhet të ketë ndryshime në udhëheqjen e sindikatave ka ngjallur reagime nga këta të fundit. Blerim Syla, kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, e ka akuzuar kryeministrin për autoritarizëm, kurse nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, deklaratën e kryeministrit Kurti e kanë quajtur ndërhyrje në punët e brendshme

Reagime të shumta ka ngjallur deklarata e kreut të ekzekutivit për udhëheqësit e sindikatave. Kryeministri Albin Kurti, të dielën mbrëma në një konference për media ka folur për grevat e paralajmëruara, ku edhe ka deklaruar se, sipas tij, duhet të ketë ndryshime në udhëheqjen e sindikatave. Kjo deklaratë e kryeministrit Kurti vjen si pasojë e “kërcënimit” me greva nga sindikatat e shëndetësisë dhe arsimit, të cilat po kërkojnë nga Qeveria miratimin e ligjit të ri të pagave. Kurti ka thënë se qytetarët nuk mjaftohen që për shumë vite të përfaqësohen nga udhëheqësit e njëjtë.

“Unë kam takuar edhe më herët udhëheqësit e sindikatave të punëtorëve shëndetësorë, pa dyshim se do t’i takoj edhe në të ardhmen. Por uroj që të ketë gjithandej ndryshime, pra siç po bëhen ndryshimet në politikë, unë besoj se duhet të ketë ndryshime në çdo sferë të jetës, shoqërore, profesionale, e tjetër, për shkak se jam i bindur se edhe punëtorët shëndetësorë, edhe qytetarët nuk mjaftohen që për shumë e shumë vite t’i përfaqësojnë të njëjtit njerëz, kushdo që ata qofshin apo kudo që ata janë”, ka deklaruar kryeministri të dielën mbrëma.

Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, deklaratën e kryeministrit e ka konsideruar ndërhyrje në punët e brendshme të sindikatave. Ai ka thënë se është në të drejtën e tyre që t’i përdorin grevat si mjet proteste dhe ka mohuar se ato janë të politizuara.

“Deklaratat e djeshme të Qeverisë ne i konsiderojmë se janë ndërhyrje në sindikata të Kosovës, ligji mbi organizimin sindikal na jep lirinë e të vepruarit dhe deklarata si ndërhyrje për neve është e papranueshme. Sindikatat e Kosovës janë sindikata të cilat zgjidhën nga sindikalistët dhe ndërhyrja e Qeverisë në to dhe kërkesa e sindikalistëve për ligjin e pagave dallojnë, sepse ndërhyrja dhe kërkesa janë çështje të ndryshme”, ka thënë Hykolli.

Për këtë deklaratë ka reaguar ashpër kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla. Ai e ka cilësuar skandaloze deklaratën e kryeministrit Kurti, duke e akuzuar atë për autoritarizëm dhe manipulim me shifrat e të infektuarve me Covid-19.

“Shoku Kurti sikur e ke tepru me kërcënime dhe shantazhe ndaj emrit Blerim Syla, por po ju rikujtoj: koha e diktatorëve ka kaluar dhe çdo tendencë e jotja do të dështojë”, ka shkruar Syla në llogarinë e tij në Facebook.

Deklarata të ngutshme dhe emocionale i ka cilësuar fjalët e kryeministrit, kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj. Sipas tij, raportet e acaruara së fundi mes Qeverisë e sindikatave nuk ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve, përkundrazi ato vetëm thellojnë hendekun e krijuar mes tyre.

“Uroj që nga nesër që kryeministri Kurti ta bëjë një hap tjetër, ta bëjë një hap pozitiv, ta thërrasë zotëri Hykollin. Hykolli do t’i marrë njerëzit që mendon se i duhen në takim dhe të fillojmë me dialogun, e t’i lëmë zënkat, sepse këto nuk i shërbejnë as neve as atij. Por të mos harrojmë, ashtu sikurse ne nuk kemi të drejtë t’i themi kryeministrit vendose këtë ministër apo një tjetër, as ata nuk kanë të drejtë të vendosin për neve”, ka deklaruar Jasharaj.

Tutje, Jasharaj ka bërë të ditur se do të kandidojë edhe për një mandat tjetër në krye të SBASHK-ut.