Arbëri

Sindikata ngre dyshime për grantin 25-milionësh në bujqësi

Përfaqësues sindikalë të bujqve kanë ngritur alarmin se thirrja për grante në vlerë 24.6 milionë euro, të cilën tash e ka shpallur Ministria e Bujqësisë, është vonuar qëllimshëm nga njerëz të lidhur me krimin e organizuar. Një javë para Ministrisë, njoftimin për këtë thirrje e kanë publikuar kompani private që sigurojnë para, duke ua përgatitur aplikacionet bujqve.

Ministria e Bujqësisë ka shpallur thirrjen për grante, në vlerën prej 24.6 milionë eurosh. Bujqit vlerësuan se ajo është shpallur vonë, e para tyre informata shkoi tek njerëz të kompanive që përfitojnë, duke i përgatitur projektet dhe aplikacionet për grante.

Kryetari i Sindikatës së bujqve, Tahir Tahiri, tha se thirrja nuk mund të realizohet këtë vit dhe se njëra prej masave që përfshin sektorin e pemëtarisë, mund edhe të dështojë. Ai dyshon se vonesa është shkaktuar edhe nga njerëz, siç i ka quajtur, sabotues brenda Ministrisë, për të cilët ka thënë se janë të lidhur me krimin e organizuar.

“Kemi vërejtje se aty brenda (Ministrisë v.j.) ka disa sabotues të cilët ende sot e kësaj dite janë të lidhur me krimin e organizuar edhe fatkeqësisht, ata njerëz janë në vendet udhëheqëse ku vendosin për udhëzimet administrative, për format e programeve dhe në këtë mënyrë po krijojnë telashe”, ka thënë Tahiri.

Në Ministrinë e Bujqësisë nuk janë përgjigjur rreth dyshimeve që i ka ngritur kryetari i Sindikatës së bujqve.

E vonesën për shpalljen e thirrjes prej 24.6 milionë eurosh e arsyetuan me nënshkrimin e Programit për Zhvillim Rural nga ana e ministrit Faton Peci, që është bërë më 30 gusht të këtij viti.

“Nga momenti i nënshkrimit, e deri në momentin e shpalljes së thirrjes për aplikim është punuar në hartimin e legjislacionit, duke nxjerrë aktet ligjore përcjellëse të nevojshme. Udhëzimi Administrativ Nr. 14/2023 për Masat dhe Kriteret e Përkrahjes për Zhvillim Rural për vitin 2023 është nënshkruar nga ana e ministrit Peci më datën 19 tetor 2023 dhe publikuar në Gazetën Zyrtare më 20 tetor 2023. Sipas procedurave ligjore, nga data e publikimit të një akti ligjor në gazetën zyrtare, periudha nga koha e publikimit deri në hyrjen në fuqi të aktit është dy javë (14 ditë)”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Por në Sindikatën e Bujqve kanë thënë se thirrja për grante do të duhej të shpallej në pranverë dhe jo në fundvit.

“Për disa sektorë nuk pajtohemi, sepse duhet të shpallet tani në vjeshtë. Për shembull, në sektorin e pemëtarisë është shumë vonë”, ka deklaruar kryesindikalisti Tahiri.

Rreth një javë para njoftimit të Ministrisë, bujqit u informuan nga kompani konsulente se thirrja për grante do të shpallej.

Në Ministri nuk kanë treguar se si rrodhi informacioni fillimisht te bizneset, të cilat përfitojnë shuma parash nga fermerët për përgatitje të biznesplaneve, për projektim të skicave për objekte, dhe kryejnë shërbime të tjera që lidhen me aplikimin për grante.

KOHA ka raportuar vite më parë për raste kur njerëz të kompanive të këtilla që fermerëve ua kanë përgatitur aplikacionet për grante, kanë qenë të angazhuar nga Ministria edhe për vlerësim të aplikacioneve.