Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka thënë se Inspektorati i Punës e ka dënuar RTK-në me 4900 euro dhe drejtorin gjeneral të saj, Shkumbin Ahmetxhekaj me 500 euro.
Ky dënim, sipas Sindikatës, ka ardhur për shkak të shkeljes së ligjit të punës dhe rregulloreve të RTK-së “me rastin e degradimit të Udhëheqësit të departamentit të Marketingut, për mos zbatim të vendimit të IP-së si dhe për mospërfilljen e zbatimit të dispozitave të ligjit të punës”.
Sipas Sindikatës, kjo është gjoba e dytë brenda një muaji që i shqiptohet RTK-së nga Inspektorati i Punës, që në total kap shifrën 8400 euro.
Sindikata bën me dije se në vendimin e Inspektoratit të Punës thuhet se ankesa eventuale nuk e shtynë ekzekutimin. Njoftohet se RTK-ja obligohet që gjobën e shqiptuar në lartësi prej 4900 euro ta paguajë në afat prej 8ë ditësh nga dita e pranimit të Vendimit.
“Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, për përgjegjësinë direkte të mosekzekutimit të Vendimit i shqiptohet gjobë në lartësinë prej 500 euro, dhe i njëjti obligohet që në afat prej tetë ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi, ta paguajë atë. Sipas Inspektoratit të Punës. RTK është e obliguar që një kopje të fletpagesës t’ia prezantojë IP-së në afat prej tre ditësh nga dita e skadimit të afatit prej tetë ditësh të cekur më lartë”, thuhet në njoftim.
SPRTK ka kërkuar nga Bordi i RTK-së si dhe nga Kuvendi i Kosovës që të reagojnë me urgjencë për shkak se sipas tyre, nëse vazhdohet me këtë trend të paligjshmërive dhe gjobave, funksionimi i Transmetuesit Publik do të rrezikohet seriozisht.