Arbëri

Sindikata e Policisë paralajmëron masa radikale

Sindikata e Policisë shprehu pakënaqësi me shtesat e rrezikshmërisë, të propozuara të premten nga Qeveria. Përfaqësuesit sindikalë kërkuan që propozimi të ndryshohet, e nëse kjo nuk ndodh, paralajmëruan edhe masa radikale

Nëse hyn në fuqi propozimi i ri i Qeverisë për shtesat e rrezikshmërisë, policët patrullues do t’i marrin 80 euro më pak sesa para se të hynte në fuqi Ligji për paga.

Teksa në të kaluarën i kanë marrë nga 140 euro në muaj për rrezikshmëri, me propozimin e ri, janë paraparë vetëm 60 euro.

Shtesa më të ulëta për 60 euro do të marrin edhe njësitë elitare brenda këtij institucioni.

E kjo ka rritur pakënaqësitë përbrenda Policisë, prej ku janë paralajmëruar edhe masa radikale po qe se nuk do të bëhen ndryshime.

Kryetari i Sindikatës së Policëve, Imer Zeqiri, ka kërkuar nga zyrtarët qeveritarë që të ulen dhe t’i diskutojnë pakënaqësitë dhe të ndryshohet vendimi.

“Kur është publikuar ky njoftim për shtesat për rrezikshmëri, është krijuar edhe një pakënaqësi shtesë te Policia e Kosovës, që unë kisha bërë thirrje që për të mos kaluar policia në radikalizëm, ta përmirësojë këtë vendim, edhe pse kjo shtesa e rrezikshmërisë na doli si kërkesë shtesë pas Ligjit të pagave”, ka thënë ai.

Zeqiri ka përmendur shtesat e policëve patrullues, duke thënë se ato janë zvogëluar për 100 për qind, ndonëse sipas tij, janë policët më të rrezikuar.

“Unë mendoj që ai që është më i rrezikuari dhe kemi argumente për këtë sepse nga 23 zyrtarë policorë që kanë humbur jetën gjatë detyrës zyrtare shumica absolute e tyre janë të kësaj kategori dhe 60 euro me shku me ba një kontroll apo një ekzaminim te mjeku, për policët që janë pa sigurim shëndetësor dhe për një muaj t’i jepet 60 euro për rrezikshmëri, nuk e di a ka dikush që mund të thotë se është e mjaftueshme”, ka thënë ai. “Ne si sindikatë dhe Policia e Kosovës me vite të kaluara edhe tani kemi pasur kërkesa që janë shumë më me prioritet siç është sigurimi shëndetësor dhe Ligji për pensionim, shujtat ditore dhe paga e 13”.

Në shenjë pakënaqësie, njësia elitare e Policisë paralajmëroi protestë për të mërkurën.

Kryetari i Sindikatës së Policëve, Imer Zeqiri, shpreh përkrahjen për çdo kërkesë reale të secilës njësi, por theksoi se nuk është i njoftuar për protestën.

“Përkrahje do të ketë çdo njësi apo individ në kërkesat e tyre reale. Mendoj që do të ishte mirë një takim nëse na pranojnë qeveritarët, derisa nuk ka kaluar kjo situata në radikalizëm, përndryshe ne i përkrahim kërkesat e Policisë së Kosovës pavarësisht se nga cila njësi vijnë”, ka thënë ai.

Këshilli drejtues i Sindikatës pritet që të hënën të marrë një vendim mbi hapat që do t’i ndjekin pas propozimit të Qeverisë për shtesat, të vonuara për nëntë muaj.

E kryeministri Albin Kurti tha një ditë më parë se propozimi për shtesat është bërë konform mundësive buxhetore.

“Ju e dini që para boll kurrë s’ka, por buxheti i Kosovës është ky që është. Po ua theksoj edhe një herë, afro 700 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, që i bie gati 10 për qind të tyre në muajin qershor dhe korrik kanë pasur të ardhura mesatare më të larta se presidentja”, ka theksuar Kurti.

KOHA i kërkoi informata Qeverisë nëse me Ligjin e ri për buxhetin do të ketë rritje të koeficientit të pagës, siç u kërkua nga Policia, porse nuk mori përgjigje.

Shtatë kategori të pozitave në këtë institucion pritet që me pagat e nëntorit t’i marrin edhe shtesat që sillen nga 45 deri në 150 euro. Ato pritet të merren në mënyrë retroaktive edhe për muajt që nga miratimi i Ligjit të pagave.

Sipas propozimit, pjesëtarët e njësive elitare (Njësia Speciale Intervenuese, Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësia për Mbrojtje të afërt) do t’i marrin nga 150 euro shtesë në pagën bazë.

Nga 120 euro do t’i marrin pjesëtarët e Njësitit Special Operativ, K-9 dhe njësitit për eksplozivët dhe deminim.

Pjesëtarët e patrullave kufitare do të përfitojnë nga 100 euro në muaj, ndërsa ata të hetuesisë nga 75 euro shtesë mbi pagë.

Ekipet reaguese dhe patrullat, që njëherazi përbëjnë edhe numrin më të madh të Policisë së Kosovës, do të marrin nga 60 euro shtesë për rrezikshmëri.

Kurse, policëve që angazhohen për sigurimin e objekteve dhe atyre në menaxhim të operacioneve do t’u ndahen nga 50, respektivisht 45 euro shtesë.