Sindikata e Pavarur e Radio Televizionit të Kosovës ka kërkuar shkarkimin e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të televizionit publik, Mentor Shala, pas ofendimit që ai bëri të premten ndaj deputetes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Doarsa Kica-Xhelili.
Të enjten, deputetja në Interaktiv deklaroi se në momentin kur në një komision parlamentar qe përmendur emri i Shalës, RTK-ja ka ndërprerë transmetimin direkt të mbledhjes. Pas kësaj, një ditë më pas, Shala iu përgjigj asaj duke e fyer.

Pasdite, SPRTK-ja ka reaguar ndaj fjalorit të Shalës duke u distancuar nga kjo gjuhë.
“Gjuha e përdorur nga zv. drejtori Shala është e turpshme dhe e pamoralshme, dhe si e tillë ka shkaktuar indinjatë të thellë edhe në mesin e të punësuarve të RTK-së. Sindikata distancohet nga ky fjalor i gërditshëm dhe primitiv, duke kërkuar që ky person të shkarkohet menjëherë nga të gjitha përgjegjësitë në RTK. Nuk është hera e parë që ky person, në cilësinë e drejtorit si dhe të zv. drejtorit gjeneral të RTK-së, përdor fjalor fyes e denigrues ndaj përfaqësuesve të institucioneve dhe qytetarëve të vendit tonë”, thuhet në reagim.