Arbëri

Sindikata e pavarur e RTK-së e quan papërgjegjësi të madhe hapjen e konkursit për punësime të reja

Valon Ramadani - RTK

Hapja e konkursit për punësime të reja në RTK disa ditë më parë, ka nxitur reagimin e sindikatës së pavarur të këtij transmetuesi publik, e cila ka paralajmëruar se nuk do ta përjashtojë asnjë veprim ligjor në këtë drejtim.

Kjo sindikatë të mërkuren, përmes një reagimi, e ka quajtur këtë gjë papërgjegjësi të madhe.

“Hyrja në obligime të reja në kohën kur RTK po përballet me vështirësi të mëdha financiare, si pasojë e një keqmenaxhimi afatgjatë, do të thotë falimentim për Transmetuesin Publik”, shkruhet në reagimin e sindikatës.

Kjo sindikatë ka vlerësuar se veprimi i tillë bie ndesh edhe me raportet e audituara, në të cilat në vazhdimesi është thënë që të mos ketë punësime të reja për shkak se rrezikohet seriozisht funksionimi i mëtutjeshëm i Transmetuesit Publik.

Perveç punësimeve në RTK-TV, drejtuesit e RTK-së kanë shpallur konkurs edhe në Radio Kosovë. Ështe jashtë çdo logjike normale të ketë punësime të reja në Radio Kosovë, kur dihet se aty, aktualisht janë të sistemuar rreth dyqind (200) të punësuar”, shkruhet në vazhdim.

Sipas publikimeve të RTK-së, në fund të vitit 2019, RTK kishte 796 të punësuar të rregullt dhe 238 bashkëpunëtorë të jashtëm, që i bie gjithsej 1034 të punësuar.

SPRTK ka kërkuar njëkohësisht nga organi drejtues dhe mbikëqyrës i RTK-së, Bordi i saj, që të ndërmarrë të gjitha masat në mënyrë që ky konkurs të anulohet menjeherë.

“Gjithashtu, Bordi duhet te marrë vendim që të ndalen të gjitha punësimet në RTK, deri në zgjidhjen përfundimtare të borxheve milionëshe, hapësirave të punës dhe financimit të qëndrueshëm. Anëtarët e rinj të bordit e kanë mundësinë ta dëshmojnë se në këto pozita janë për të mirën e Transmetuesit Publik, dhe të mos veprojnë si shumica e anëtarëve të Bordeve të kaluara të cilët për përfitime personale e familjare, i mbyllnin sytë e veshët para vendimeve degraduese të Menaxhmenteve të RTK-së”, ka kërkuar Sindikata.