Rreth 40 ditë para se të hyjë në fuqi Ligji për paga, Sindikata e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë shëndetësorë, kanë kërkuar që t’iu bëhet një zgjidhje lidhur me kërkesën e tyre për ngritjen e koeficientit të paraparë në këtë ligj.
Kjo sindikatë është duke kërkuar qe koeficienti 2.25, të cilin e parasheh Ligji për paga për infermierët, të ngrihet në 3.3. Kërkesa i është drejtuar Komisionit parlamentar të Shëndetësisë, shkruan sot Koha Ditore.
Megjithatë, anëtarë të këtij komisioni kanë thënë se në situatën në të cilën ndodhet Kuvendi tani kjo gjë është e pamundur, pasi që më 22 gusht pritet që të bëhet shpërndarja e këtij institucioni.
Kjo sindikatë ka kërkuar që anëtarët e Komisionit parlamentar për Shëndetësi të fillojnë procedurat për plotësim/ndryshimin e Ligjit për paga. Sipas kësaj sindikate, ky ligj nuk i kategorizoi infermierët në bazë të kërkesave të tyre dhe punës që profesionistët shëndetësorë bëjnë.
Anëtari i Sindikatës së Infermierëve, Qemajl Krasniqi, në një prononcim për gazetën ka thënë se në Ligjin për paga nuk është bërë kategorizimi i pagave të infermierëve. (Detajet mund t’i gjeni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)