Arbëri

Sijarina: Punëtoret teknike të Kuvendit po trajtohen si mos më keq

Liridona Sijarina

Liridona Sijarina, aktiviste e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, ka deklaruar se punëtoret teknike të Kuvendit të Kosovës po futen në javën e katërt të grevës, duke kërkuar pagë më të lartë dhe kushte të dinjitetshme. Ajo ka deklaruar të hënën në “Interaktiv” të KTV-së se, Kuvendi e as Qeveria nuk po iu ofrojnë mbështetje dhe zgjidhje 14 grave që kanë hyrë në grevë.

“S'kemi parë një akt politik nga Qeveria e Kuvendi. Kemi biseduar me deputetë të VV që shpesh se kanë ditur edhe që ka grevë, kanë ecur e s'e kanë vërejtur mungesën e punëtoreve teknike pasi një pjesë e tyre s'i llogarisin si njerëz pasi janë pastruese që ua mundësojnë një ambient të pastër dhe të punueshëm”, ka deklaruar Sijarina.

Ajo ka shtuar tutje se paga e punëtoreve prej 250 eurove s’i përmbush kërkesat bazike të tyre, duke shtuar se ato kërkojnë që paga të jetë 550 euro.

“Kompania ‘Schafberger’ as s’e lëviz gishtin për këto punëtore e s’do t’iu përgjigjet kërkesave, e kjo tregon për tiraninë e kompanive private. Ato kërkojnë rritje page në 550 euro, s’kërkojnë rrogë minimale, por të dinjitetshme që ato të jetojnë me dinjitet”, ka thënë Sijarina.

Aktivistja e Kolektivit ka shtuar se kompania private që i ka kontraktuar këto punëtore, i ka sjell disa të tjera që të kryejnë punën.

“Ato (punëtoret) kanë treguar se jetojnë në kushte të mjerueshme. Kompania i trajton si mos më keq, punojnë edhe kur janë sëmurë pasi duhet të dalin në punë, s’ju respektohen të drejtat. Janë 19 gra, 14 prej tyre në grevë e dy punojnë. Janë tri punëtore të reja që kompania i ka sjell dhe e kryejnë punën. Paga minimale s’i përmbush as kërkesat bazike që këto gra i kanë. Gjithë ajo godinë mirëmbahet nga këto gra dhe funksionimi i Kuvendit mundësohet prej punës së tyre. Si përgjigje për grevën gratë kanë marrë një komunikim të vaket që e kanë bërë me Kuvendin dhe zyrtarët. Kompania ‘Schafberger’ ka qëndruar indiferente”, ka shtuar ajo.

Sijarina ka thënë se këto punëtore rrezikojnë të mbesin pa punë.