Qeveria e Kosovës e ka miratuar Projektligjin për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor të mërkurën.
Kryetari i Shoqatës së Pacientëve të Kosovës, Besim Kodra, ka thënë vështirë se mund të nisë zbatimi i tij për shkak se mungojnë plot gjëra.
“Përveç entuziazmit të Qeverisë për ta bërë, të gjitha gjërat tjera mungojnë, duke filluar nga sistemi informativ shëndetësor që do ishte parakusht i rëndësishëm për implementimin e sigurimeve, listat e shërbimeve që i ofrojnë institucionet shëndetësore, çmimoret e shërbimeve, sistemi i sigurimeve shëndetësore, etj”, ka thënë ai në “60 Minuta” në KTV.
Sipas tij, miratimi i projektligjit ka qenë tendencë e Qeverisë për ta arsyetuar veten për lënien anash të tij deri tash.
“Ka qenë tendencë e vartësve të Kurtit për t’u arsyetuar pse nuk është bë sigurimi shëndetësor. Deklaratën e kryeministrit e pash goxha të pamatur””, ka shtuar ai.
Kodra ka theksuar se për t’u bërë sigurimet do të duheshin pesë vjet, ndërsa është shprehur se shtresat e varfra pësojnë më së shumti nga mospasja e tyre.
“Pesë vjet do duhej t’i kishim për ta bërë një sigurim të mirëfilltë. Tendenca e pushtetarëve është që kur flasin për sigurime të flasin për premiumet e sigurimeve. Premiumet janë pjesa e fundit, duhet të flasim për përgatitjet, lista e shërbimeve, çmimorja, kontraktimi i shërbimeve e pastaj duhet të dimë sa duhet t’u marrim qytetarëve për t’i mbuluar ato shërbime”.
Ai ka thënë se ligji disa herë është ndryshuar ndër vite dhe se kjo tregon se i përshtaten dikuj, si tani që “padyshim po i përshtaten dikujt”.
“Nuk kanë shumë interes qeveritë ta bëjnë sigurimin shëndetësor, për shumë arsye. Njëra është se sigurimi shëndetësor e tejkalon mandatin e tyre, nuk mund të dalë një fotografi e mirë në Facebook dhe me thënë se po bëjmë diçka, është më shumë se katër vjet”, ka përfunduar ai.