Driart Elshani, ekspert i sigurisë kibernetike, ka thënë se ka nevojë që në fushën e mbrojtjes në Kosovë të ngritën kapacitetet sa i përket aspektit të sigurisë kibernetike.
Megjithë rreziqet, Elshani ka theksuar se deri tash Kosova ka qëndruar mirë sa i përket sigurisë kibernetike.
“Ish dashtë që në Kosovë, sidomos në aspektin e mbrojtjes së sigurisë kibernetike, të ngritën kapacitetet ose ajo që quhet ‘cyberdefence’. Kjo d.m.th. siguria kibernetike në fushën e mbrojtjes, pra rrjetet ushtarake, FSK-ja duhet të ketë rrjete të sigurta të komunikimit dhe komunikimet do duhej të ishin të mbrojtura”, ka thënë ai në “Interaktiv”.
Sipas Elshanit, komunikimet sensitive duhet të jenë komplet të enkriptuara ashtu që mos ketë mundësi për ndërhyrje nga jashtë.
“Idealja do të ishte që komunikimet sensitive të jenë komplet të enkriptuara ashtu që të mos ketë qasje askush. Shoh një nevojë në Kosovë që në fushën e mbrojtjes të ngritën kapacitetet në aspektin e sigurisë kibernetike”.
Ndërsa, ka shtuar se inteligjenca artificiale po e zmadhon rrezikun në këtë fushë, dhe se “rreziku kibernetik është gjithmonë në ngritje”.
“Kapacitetet veç se janë duke u rritë dhe Kosova ka arritë shumë në ngritjen e kapaciteteve, por duhet të punohet edhe më tej sepse siguria kibernetike gjithmonë e më shumë po shtohet si problem dhe rreziku kibernetik veç po rritet, kështu që menaxhimi i rrezikut kibernetik bëhet vetëm nëse investojmë në ngritjen e kapaciteteve”, është shprehur Elshani.