Arbëri

Siguria dhe orari mësimor, arsyet për zgjedhjen e arsimit privat mbi atë publik

Mungesa e sigurisë në hapësirat shkollore dhe orari i shkurtër i procesit arsimor janë vlerësuar disa nga arsyet që kanë hapur rrugën për hapjen e shkollave të reja private. Në pesë vjetët e fundit janë hapur trembëdhjetë shkolla private në nivelin e arsimit parauniversitar. E numri i nxënësve që janë regjistruar në privat është katërmbëdhjetë mijë, një rritje prej 7 mijë nxënësish krahasuar me pesë vjet më parë

Në pesë vjetët e fundit janë hapur trembëdhjetë shkolla private në nivelin e arsimit parauniversitar.

Nëntë komuna kanë institucione arsimore private për nxënësit nga klasa e parë deri në të dymbëdhjetën.

E numri i nxënësve që janë regjistruar në to është katërmbëdhjetë mijë. Në krahasim me periudhën para pesë vjetësh, ky numër është rritur për rreth 7 mijë nxënës.

Sipas ish-zëvendësministrit të Arsimit, Dukagjin Pupovci, rritja e numrit të nxënësve në shkollat private është për shkak të orarit më të gjatë të procesit mësimor.

“Disa prindër këtë e bëjnë për shkak të cilësisë, pasi e shohin një cilësi tjetër, disa të tjerë e bëjnë për të siguruar qëndrimin ditor të fëmijëve të tyre, pra motivet janë nga më të ndryshme, sikur janë edhe motivet nga më të ndryshmet nga kategoritë të cilët i dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla private, kemi pra kategori të ndryshme shoqërore prej shtresës së mesme deri tek ata të shtresës së pasur”, ka thënë Pupovci.

Çmimet për të regjistruar një vit shkollor në institucionet arsimore private sillen nga 800 deri në 7 mijë euro.

Pupovci ka thënë se hapja e shkollave private është indikacion i përmirësimit të gjendjes ekonomike të familjeve.

“Natyrisht rritja e interesimit për shkolla private gjithnjë është një indikacion se njerëzit kërkojnë diçka më shumë. Domethënë, tash duhet të kemi parasysh që për këto njëzet e pesë vite nga çlirimi i Kosovës ka ndryshuar pakëz edhe mendësia tek njerëzit në kuptimin e kërkesave që i shtrojnë, po sigurisht që ka ndryshuar edhe gjendja ekonomike, pra njerëzit qëndrojnë më mirë ekonomikisht sot”, ka shtuar ai.

Bekim Fazliu, i cili i ka pesë fëmijët e tij në një shkollë private, thotë se arsyeja që ka vendosur t’i largojë nga institucionet publike është mungesa e sigurisë.

“Fëmijët qëndrojnë në shkollë për gati tetë orë dhe në atë moment që hyjnë në shkollë nuk mund të dalin pa qenë unë i njoftuar dhe kjo për mua si prind më bën të ndihem më i sigurt për fëmijët e mi. Po ashtu, ekziston një përgjegjshmëri më e madhe e stafit ndaj prindërve, të cilët të informojnë më shumë rreth progresit të fëmijës tënd”, ka deklaruar Fazliu.

Këshilli që përfaqëson prindërit në nivel vendi tash e shumë kohë është ankuar për mungesën e sigurisë në shkolla.

Që nga fillimi i vitit nga nxënësit janë konfiskuar 10 armë zjarri dhe 51 armë të ftohta, ndërsa janë regjistruar 369 incidente afër shkollave.