(E përditësuar 18:40) Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, admirali Stuart B. Munsch, ka takuar kryeministrin Albin Kurti.
Ata kanë diskutuar mbi sigurinë në vend dhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
“Diskutimet e sotme u fokusuan në aktivitetet e KFOR-it në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme për të gjitha komunitetet përreth Kosovës dhe mbështetjen e NATO-s për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja mes Prishtinës dhe Beogradit”, thuhet në njoftimin e shkurtër të publikuar në faqen e Facebookut të Komandës.
Admirali amerikan dhe komandanti i KFOR-it mbajnë takime në Qeveri
Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, Admirali amerikan Stuart B.Munsch, gjatë vizitës së tij në Kosovë, të martën ka pasur takime edhe në objektin e Qeverisë.
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, njoftoi më herët gjatë ditës për një takim të Munschit me gjeneralmajorin e KFOR-it Oezgkan Ulutashin. Sipas njoftimit, ata diskutuan për sigurinë në Kosovë dhe mbështetjen e procesit të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Pasditen e së martës, të dy zyrtarët janë fotografuar nga KOHA duke dalë nga objekti i Qeverisë.
Nuk ka pasur paralajmërime për takime.
FOTO: Driton Paçarada/KOHA