Arbëri

Njësia K9 “në aksion” kundër terrorizmit

Ditën e premte Njësia e Specializuar e Policisë, K9, e nis me thirrjen për t’u angazhuar në asistim për arrestimin e një të dyshuari për terrorizëm, i cili ka shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë në Prishtinë. Aksioni është pjesë e një simulimi që ka ndërmarrë ky njësit, i shoqëruar me qentë e trajnuar policorë, në përgatitje për rastet kur siguria cenohet nga grupet terroriste. Këtë operacion e ka përcjellë ekipi i KOHËS

Është mesditë e së premtes. Një thirrje urgjente për mbledhje të jashtëzakonshme i bën bashkë disa zyrtarë policorë.

Të ulur që të gjithë përreth tryezës së sallës së takimit, po e presin kumtin për arsyen e mbledhjes.

Uran Dermaku, rreshteri i Njësisë së Specializuar, K9, i informon kolegët se kanë një rast urgjence. Thotë se një person i dyshuar për terrorizëm ka shtënë me armë në drejtim të zyrtarëve policorë, nga një shtëpi në kryeqytetin, Prishtinë.

E fill pas kësaj, pjesëtarët e Njësisë, e cila vepron në kuadër të Departamentit të Njësive Speciale të Policisë, të shoqëruar me qentë e trajnuar për gjetjen e mjeteve shpërthyese, armëve, narkotikëve dhe kartëmonedhave, marrin rrugë drejt vendit të ngjarjes.

“Jemi duke shkuar në asistim të njësive në terren, të cilët kanë kërkuar asistimin e njësisë K9, me qen patrullues, qen gjurmues, ku kanë një rast ku një person i dyshuar ka sulmuar patrullën policore. Personi në fjalë është barrikaduar”, tregon Dermaku, tek i jep me ngut veturës policore.

E pas mbërritjes në destinacion, ata e gjejnë të dyshuarin për terrorizëm të rrethuar nga policia. Në një moment ai edhe shtie me armë në drejtim të zyrtarëve policorë të rreshtuar gjithandej godinës me tulla të kuqe, në një lagje të Prishtinës.

“Dyshohet se mund të jetë në këtë objekt, i barrikaduar, tash do t’i marrim detyrat secili, dhe do të fillojmë me arrestimin e personit të dyshuar”, thotë Dermaku, para se të niset në aksion.

Aksioni që zgjat disa minuta përmbyllet me arrestimin e të dyshuarit. Pas arrestimit të tij, pjesëtarët e njësisë K9 nisën drejt shtëpisë së të dyshuarit. Aty qentë e trajnuar policorë gjejnë armë, mjete shpërthyese dhe substanca narkotike, të llojit marihuanë.

E gjithë kjo është vetëm pjesë e një operacioni të simuluar, të cilin ky njësit e ka ndërmarrë të premten në përgatitje për intervenim në rastet kur siguria e shtetit cenohet nga grupet terroriste apo në raste të tjera që cilësohen me rrezikshmëri të lartë.

Rreshteri Dermaku tregon se njësia e tij operon në të gjitha pikat kufitare të Kosovës.

“Njësia K9 patrullon me qen patrullues ose kërkues, gjurmon persona të dyshuar me qen të eksplozivëve dhe armëve, si dhe me qenë kërkues të narkotikëve dhe kartëmonedhave. Njësia K9 operon në të gjitha pikat kufitare ku ka qarkullim të madh të automjeteve, si dhe operatorët e njësisë K9 janë në thirrje gjatë 24 orëve”, thotë ai, pas përfundimit të aksionit të simuluar.

Ky njësit ka marrë pjesë edhe në kontrollimin e terrenit përreth fshatit Banjskë, pas sulmit të ndërmarrë nga grupi i armatosur serb, më 24 shtator, në të cilin ka mbetur i vdekur rreshteri Afrim Bunjaku.