Arbëri

Si u vendosën masat dhe si vazhdimisht kërkohet nga Kosova “të bëjë hapa shtesë“ që të hiqen

Kosova - Bashkimi Evropian

Vendet anëtare të BE-së më 3 qershor të vitit 2023 ishin pajtuar që përfaqësuesi i lartë Borrell të lëshojë një komunikatë në emër të 27 vendeve anëtare rreth përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës. Në atë deklaratë, mes tjerash, thuhej se BE-ja “është e gatshme të zbatojë masa të rrepta“ duke paralajmëruar se do të ketë pasoja negative në rast të dështimit. Pra, sipas saj, mbështetje paraprake për masa ishte dhënë si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Në rastin e Kosovës u vendosën masa pa pasur nevojë për mbështetje tjetër të vendeve anëtare e kur u kërkuan masa ndaj Serbisë u tha se “kjo varet nga vendet anëtare“

Është mbushur afër një vit prej kur Bashkimi Evropian, në bashkëpunim dhe bashkëveprim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Republikën e Shqipërisë, kishin vendosur masa ndaj Kosovës si përgjigje ndaj asaj që e kishin konsideruar në atë kohë veprim të njëanshëm të Kosovës me dërgimin e kryetarëve të komunave në veri në ndërtesat komunale. Ky veprim i Kosovës ishte konsideruar si i njëanshëm, dhe si nxitje e dhunës që ndodhi pas kësaj.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kishin dhënë fund një stërvitjeje ushtarake ku merrte pjesë edhe Kosova, ndërsa Shqipëria kishte anuluar një takim të përbashkët ndërqeveritar me Kosovën. Tash është mësuar se edhe veprimet e Shqipërisë ishin koordinuar me BE-në dhe kishin për qëllim që të rrisin izolimin edhe ndërkombëtar, edhe rajonal të udhëheqjes politike të Kosovës. BE-ja besonte se kur SHBA-ja dhe Shqipëria rreshtohen me masat ndaj Kosovës, atëherë Prishtina do ta kuptojë më shpejt realitetin e situatës.

Por përderisa masat nga ana e Shqipërisë nuk dukeshin të ishin formale, prandaj nuk dihet as fati dhe statusi i tyre sot, ato të BE-së janë në fuqi dhe kanë pasoja serioze për Kosovën.

BE-ja këto sanksione i kishte vendosur me një shpejtësi të paparë deri atëherë, me procedura jashtëzakonisht të shpejta, dhe vazhdojnë të mbeten unike ndaj një vendi të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Ideja për masat ndaj Kosovës kishte dalë së pari nga i dërguari i posaçëm për dialog, Miroslav Lajçak, që mori edhe mbështetjen e shefit të tij, Josep Borrell. Këtë ide e kishin ndarë së pari me disa vende anëtare e pastaj ajo ishte përpunuar edhe në bashkëpunim me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Sonyong, dhe me drejtorin gjeneral në Drejtorinë e përgjithshme për zgjerim dhe fqinjësi, Jan Koopman. Me kujdes ishin dizajnuar masat që do të mund të vendoseshin nga Komisioni Evropian dhe përfaqësuesi i lartë, pa pasur nevojë që për to të vendoset formalisht në Këshillin e BE-së, ku do të duhej në favor të votonin të gjitha vendet anëtare. Këto masa u ishin sqaruar edhe deputetëve të Parlamentit Evropian. Por në asnjë moment në mënyrë specifike për vendosjen e masave ndaj Kosovës nuk është votuar në Këshillin e BE-së. As nuk ka pasur ndonjë njoftim formal të zakonshëm nga BE-ja për ndonjë vendim të tillë. 

Vendet anëtare të BE-së më 3 qershor të vitit 2023 ishin pajtuar që përfaqësuesi i lartë Borrell të lëshojë një komunikatë në emër të 27 vendeve anëtare rreth përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës. Në atë deklaratë, mes tjerash, thuhej se Bashkimi Evropian “është i gatshëm të zbatojë masa të rrepta“ duke paralajmëruar se do të ketë pasoja negative në rast të dështimit.

“Ne ftojmë të dyja, Kosovën dhe Serbinë, që menjëherë dhe pa kushte të ndërmarrin masa për të depërshkallëzuar situatën, të ndalin retorikën përçarëse dhe të përmbahen nga çfarëdo veprimi tjetër i pakoordinuar. Qetësia duhet të kthehet urgjentisht. Bashkimi Evropian është i gatshëm të zbatojë masa të rrepta. Dështimi për të depërshkallëzuar tensionet do të çojë deri te pasojat negative”, thuhej në këtë komunikatë.    

Në këtë komunikatë kryesisht BE-ja me kërkesa i drejtohej Kosovës.

“Presim që Kosova të veprojë në mënyrë jopërshkallëzuese dhe menjëherë të suspendojë operacionet policore në afërsi të ndërtesave të komunave në veri të Kosovës. Kryetarët e komunave duhet përkohësisht të ushtrojnë detyrat e tyre në objekte që nuk janë ndërtesa komunale. Zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të shpallen sa më shpejt që të jetë e mundur në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht inkluzive. Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në to”, thuhet në këtë komunikatë.

Sa i përket Serbisë, BE-ja “shpreh shqetësim për vendosjen e forcave të armatosura të Serbisë në gjendjen më të lartë të gatishmërisë”.

“Bashkimi Evropian pret nga Serbia dhe Kosova të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen menjëherë në dialogun e lehtësuar nga BE për të gjetur zgjidhje për situatën në veri që garanton siguri dhe demokraci participuese për të gjithë qytetarët dhe hap rrugën për implementimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe Aneksit. Kjo përfshin edhe nisjen pa asnjë vonesë tjetër dhe pa parakushte të punës për të themeluar Asociacionin/Bashkësinë e komunave me shumicë serbe”, thuhej në komunikatën e BE-së, nga 3 qershori, në të cilën edhe sot thirret BE-ja kur arsyeton masat ndaj Kosovës. 

Pra, sipas saj, mbështetje paraprake për masa ishte dhënë si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, në rast se konsiderohet se njëra prej tyre nuk ka bërë sa duhet për të ulur tensionet. Por në rastin e Kosovës u vendosën masa pa pasur nevojë për mbështetje tjetër të vendeve anëtare. E kur u kërkuan masa ndaj Serbisë u tha se “kjo varet nga vendet anëtare“.

Informatat e para se Lajçak dhe Koopman i kishin përgatitur masat kishte rrjedhur më 13 qershor. KOHA për herë të parë kishte shkruar po këtë datë se janë përgatitur ato. Dhe se u ishin prezantuar vendeve anëtare në Komitetin për politikë dhe të sigurisë. Flitej në atë kohë për pezullimin e ftesave për takime në nivel të lartë dhe vizitave bilaterale, me përjashtim të atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës. Sanksioni i dytë do të ishte suspendimi i punës së grupeve të përbashkëta Kosovë-BE të krijuara në kuadër të  Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, duke nisur me nënkomitetin për Tregti, industri, dogana dhe taksa (i paraparë të mbahej më 8 qershor) si dhe i nënkomisionit për Drejtësi, liri dhe siguri të paraparë për 21 dhe 22 qershor. Sanksioni i tretë ndaj Kosovës ishte suspendimi i një financimi substancial të BE-së, duke nisur me pezullimin, aprovimin dhe implementimin e propozimeve të Kosovës në rundin e fundit të Fondit të investimeve të Ballkanit Perëndimor. Dhe sanksioni i katërt për të cilin kishin folur Lajçak dhe Koopman ishte ulja e nivelit të pranisë në ngjarjet publike të lidhura me bashkëpunimin financiar të BE-së, ku përfshihen pjesëtarët e Qeverisë së Kosovës.

Po këtë ditë BE-ja kishte konfirmuar se kishte marrë një letër nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me disa propozime të disa hapave, por BE-ja këto ide të Kurtit i kishte parë më shumë si dëshmi se nuk e ka ndërmend të ndërmarrë hapa sesa që dëshiron t’i përmbushë kushtet. 

Se “dështimi në uljen e tensioneve do të ketë pasoja”, ishin shprehur edhe liderët e vendeve anëtare të BE-së në samitin e tyre më 22 qershor në Bruksel.

Porosinë për Kosovën dhe Serbinë, që menjëherë të ndërmarrin hapa për uljen e tensioneve në veri të Kosovës, i kishin  përsëritur më 27 qershor edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Duke folur para gazetarëve, Borrell dhe Rama patën thënë se nuk duhet lejuar që tensionet mes Kosovës dhe Serbisë të rrezikojnë të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Ju falënderoj juve zoti kryeministër, i dashur Edi, për përpjekjet për të gjetur zgjidhje. Bëra të qartë se palët duhet të depërshkallëzojnë situatën dhe të gjejnë rrugëdaljen në bazë të propozimeve të BE-së. Zgjidhja kërkon veprime të shpejta dhe shtetet anëtare pajtohen me këtë. Vendet anëtare po e humbin durimin dhe kërkojnë veprime të menjëhershme”, ka thënë Borrell duke e falënderuar kryeministrin Rama për qëndrimet e tij.

Po atë ditë në një debat në Komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian, Lajçak dhe Koopman kishin arsyetuar masat që ishin përgatitur ndaj Kosovës, ndonëse ishin kritikuar ashpër nga shumë deputetë se janë të ashpër ndaj Kosovës dhe jo edhe ndaj Serbisë.

Lajçak në këtë debat pati thënë se ai është i gatshëm të ndajë detajet me deputetët e Parlamentit Evropian të hapave që u janë kërkuar palëve që duhet të ndërmarrin konkretisht. Ishte përmendur si hap i parë tërheqja simultane e kryetarëve të komunave dhe forcave të policisë speciale të Kosovës nga ndërtesat e komunave dhe paralelisht edhe të protestuesve. Pastaj zhbllokimi i hyrjes së kamionëve me mall nga Serbia në Kosovë, ulja e nivelit të gatishmërisë dhe tërheqja e forcave ushtarake të Serbisë nga afërsia e kufirit dhe mosdërgimi i tyre më në atë pjesë. Nxjerrjen e përgjegjësve për dhunë para drejtësisë dhe monitorim nga EULEX-i të proceseve ndaj tyre. Pastaj shpallja e zgjedhjeve dhe deklarimi publik i Listës Sërpska se do të marrë pjesë në to. Lajçak ka thënë se po punohet në dy opsione për të shpallur zgjedhjet. Njëri, të cilin ai e ka quajtur më të lehtë, është dorëheqja e kryetarëve të zgjedhur të komunave, dhe tjetri, që ka thënë se duket politikisht më i përshtatshëm, largimi i tyre përmes mbledhjes së nënshkrimit të qytetarëve.

Lajçak kritikave për njëanshmëri dhe përkëdhelje ndaj Beogradit u është përgjigjur, duke thënë se “ai kryen mandatin në mënyrë të paanshme“ dhe se “kritikohet nga të dyja palët“.

“Unë jam mjaft i drejtpërdrejtë me ta në takim. Por qortimi publik dhe fajësimi do të ishte rrugë drejt katastrofës në dialog“, ka thënë Lajçak duke u përgjigjur në kritikat se janë tepër të butë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Drejtori në Drejtorinë e përgjithshme për zgjerim dhe fqinjësi të Komisionit Evropian, Jan Koopman, në këtë debat kishte folur se si po përgatiten një varg masash ndaj Kosovës për shkak të mosveprimit për të ulur tensionet. Ai pati thënë se këto masa “nuk janë ndërmarrë me lehtësi“ dhe se ato janë të kthyeshme në rast se ndërmerren hapat e duhur. Në pyetjet e përsëritura se pse nuk specifikohen masat edhe ndaj Serbisë nuk ka pasur përgjigje të saktë as nga Lajçak e as nga Koopman. Por është thënë disa herë se “nga të dyja palët kërkohen veprime dhe hapa konkretë“.   

Që të nesërmen masat i ishin komunikuar Qeverisë së Kosovës, por asnjëra palë, as BE-ja e as Kosova, nuk i kishin bërë publike. 

KOHA kishte mësuar për këtë më vonë. Sanksionet ndaj Kosovës, që së pari i kishin propozuar lehtësuesit e dialogut, tashmë kishin hyrë në fuqi.

Ndonëse BE-ja nuk e përdor termin “sanksione”, ato ishin sanksione në kuptimin e plotë të fjalës, sepse me to suspendohen takimet e komisioneve të përbashkëta, programet e IPA-së dhe pezullohen edhe hapat për shqyrtimin e projekteve që ka dorëzuar Kosova për financim nga Korniza e investimeve në Ballkanin Perëndimor.

Masat janë arsyetuar nga BE-ja me vlerësimin se “Autoritetet e Kosovës akoma nuk i kanë ndërmarrë hapat që është kërkuar nga to për uljen e tensioneve  në veri”. Masat kishin nisur të zbatohen edhe para komunikimit të tyre formal.

Ndonëse Borrell dhe zyrtarët e BE-së thonë se këto masa janë mbështetur nga të gjitha vendet anëtare të BE-së nga diplomatët e disa vendeve KOHA kishte dëgjuar se ata mendojnë se masat “nuk janë të balancuara” dhe se “institucionet e BE-së duhet të kenë kujdes që të kenë qasje të balancuar pasi nuk mund të fajësohet vetëm pala kosovare, edhe pse ajo për tensionet e fundit e mban përgjegjësinë kryesore”.

Ku ishte pyetur për masat ndaj Serbisë, pasi thuhej se “janë identifikuar personat përgjegjës për dhunë ndaj KFOR-it dhe mediave në trazirat në veri dhe ata ndodhen në Serbi”, në takime të brendshme nga Josep Borrel dhe Miroslav Lajçak vendeve anëtare u ishte thënë se “Serbia ka bërë hapa për uljen e tensioneve” dhe kishin shtuar se “edhe Serbia duhet të përmbushë obligimet e saj”, por, për dallim nga Kosova, për Beogradin nuk ishte përmendur ndonjë masë  eventuale.  

“Ne po monitorojmë edhe sjelljen e Serbisë dhe mbajmë mundësinë që edhe ndaj asaj të merren masa nëse nuk sillet sipas pritjeve për depërshkallëzim të situatës”, thoshin në BE.

Kosova kishte nisur ndërmarrjen e disa hapave duke besuar se në këtë mënyrë do të ndikojë në heqjen e masave.

Më 14 korrik të vitit 2023 nga BE-ja përmes zëdhënësit të saj kishin thënë se Kosova po bën “hapat e duhur“, por duhet të bëjë edhe disa hapa në mënyrë që të hiqen masat.

“Kjo përfshin zvogëlimin e menjëhershëm të pranisë së policisë në dhe rreth ndërtesave të komunave, kryerje të vlerësimeve të rregullta të përbashkëta të sigurisë me EULEX-in dhe KFOR-in sipas nevojës, të shqyrtojë mundësinë për zvogëlim të mëtejmë të pranisë, të mos bëj asnjë lëvizje që mund të përshkallëzojë situatën dhe të inkurajojë zgjedhjet e jashtëzakonshme sikur edhe krijimin e bazës ligjore për këtë“, thotë ky zëdhënës i BE-së.

Thirrjet që Serbisë t’i vendosen masa e që Kosovës t’i hiqen kishin ardhur sidomos pas sulmeve në Banjskë në shtator të vitit 2023, të cilat edhe Borrell i kishte quajtur si “sulme terroriste”. Por as Komisioni Evropian e as Shërbimi i Veprimit të Jashtëm (EEAS), që e udhëheq Borrell, nuk donin që të vendoseshin masat ndaj Serbisë. Kësaj radhe thoshin se “për këtë duhet të vendosin vendet anëtare”.

Kështu edhe sot nga EEAS dhe Komisioni Evropian thirren në vendet anëtare kur duhet hequr masat ndaj Kosovës apo kur duhet të vendosen ndaj Serbisë. Kështu për Kosovën tash pritet që të ketë vendim unanim nga vendet anëtare që të hiqen masat, ndonëse nuk u desh vendim që ato të vendoseshin.

E te vendet anëtare ka tash gatishmëri që ato të hiqen ose në tërësi, ose gradualisht. Por Komisioni Evropian, nën ndikimin e komisionerit për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Varhelyi, bën presion që të pengohet një gjë e tillë. Pritet që “së shpejti” Jose Borrell të raportojë para vendeve anëtare “për këtë çështje“ dhe pastaj të shikohet a do të hiqen apo jo masat.