Arbëri

Si po fshihet në Serbi krimi ndaj civilëve shqiptarë në Poklek

Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) në gushtin e vitit 2015 kishte ngritur kallëzim penal për krime lufte kundër N. N., pjesëtarë të aradhes së 86-të të Njësisë speciale të Policisë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MPB)O, me dyshimin se më 17 prill 1999, në fshatin Poklek, komuna e Drenasit në Kosovë, kishin vrarë 53 civilë shqiptarë, në mesin e të cilëve 24 gra e 23 fëmijë, transmeton Koha.net.

Prokuroria për krime lufte, në bazë të aktakuzës së FDH-së, ka zhvilluar biseda me 20 ish -pjesëtarë të njësive të Policisë e të Ushtrisë që atëherë gjendeshin në fshatin Poklek.

Pas kësaj, Prokuroria e kishte njoftuar FDH-në se ata persona kanë thënë se “kurrë nuk kishin dëgjuar për ngjarjen”. Po ashtu, u theksua se “se te të gjithë personat u bë trajtimi poligrafik, pas të cilit psikologët e forenzikës dhanë mendimin se ata nuk kanë pasur reagime psikologjike karakteristike për gënjeshtra në pyetjet relevante lidhur me çështjen gjatë trajtimit poligrafik “. Në bazë të këtyre rezultateve, Prokuroria erdhi në përfundimin se lëndën duhet regjistruar si “kryerësit e veprës penale janë të panjohur”.

Nga FDH për gazetën e Beogradit “danas” është thënë se poligrafi s’është mjet dhe përdorimi i tij nuk është i rregulluar me Ligjin penal dhe se është e paqartë për ç’arsye është përdorur në këtë rast. Deri më tash askush nuk është përgjigjur për krimin në Poklek. Ndërsa, FDH e kishte akuzuar edhe ish - komandantin e aradhes 86 –të të Policisë Dragan Obradoviq, si dhe komandantin e çetës aktorët e të cilës nuk janë dënuar për shkak se nuk e penguan krimin.

“Më datën 17 prill 1999, rreth orës 16, dy pjesëtarë të aradhes 86 –të të Njësisë Speciale Policore, hynë në oborrin e Sinan Muçollit në Poklek, në shtëpinë e të cilit fshiheshin 59 persona nga fqinjët dhe refugjatë kryesisht gra, fëmijë e pleq. Sinan Muçolli doli nga shtëpia dhe atyre u tha se në shtëpinë e tij gjenden kryesisht gra e fëmijë, ndërsa ata e urdhëruan që të gjithë ata t’i nxirrte me duart lart”, përkujton e FDH. Kur të gjithë dolën në oborr, ata u bastisen e pastaj u urdhëruan të ktheheshin në shtëpi dhe t’i mbyllnin dyert, ndërsa në oborri u ndaluan vetëm Sinan Muçolli e Ymer Elshani (poet për fëmijë, sqarim i koha.net).

“Pas disa minutash, civilët që ishin brenda, dëgjuan rafalë nga oborri ku ishin ndaluar Sinani e Ymeri, të cilët me këtë rast edhe u vranë. Menjëherë, pas kësaj, njëri nga policët e theu dritaren e dhomës në të cilën gjendeshin gratë, fëmijët e pleqtë, pastaj e hapi rrëmbim derën dhe në dhomë hodhi bombën e cila shpërtheu menjëherë, e pas një ose dy minutave edhe bombën e dytë”, thotë FDH. Në aktakuzë shtohet se pasi policët vranë pothuaj të gjithë civilët në shtëpi, ata sollën dy bidonë me benzinë dhe ia vunë flakën dhomës në të cilën gjendeshin trupat e civilëve të vrarë.

“Katër veta, ndër të cilët edhe një fëmijë dyvjeçar, që u mbijetuan bombave e rafalëve, por që nuk u larguan nga dhoma, u dogjën të gjallë”, thotë Fondi.

“Dokumenti i MPB-së që u nxor dëshmi në lëndën kundër Shainoviqit e të tjerëve në Tribunalin e Hagës vërteton se pikërisht aradhja 86-të e Policisë kishte qenë e pranishme në ditën e krimit në Poklek,e dëshmia del nga përshkrimi i uniformave të policëve që e kanë bërë dëshmitarët që i shpëtuan krimit. Në kohën e krimit, në Poklek dhe në rrethinë është zhvilluar aksioni policor në të cilin merrnin pjesë brigada 15 e blinduar e Ushtrisë dhe ajo 37 e motorizuar, ndaj komandantët dhe pjesëtarët e brigadave është dashur që të gjitha njohuritë e veta lidhur me krimin dhe kryerësit e tij t’i paraqesin në Tribunal”, thonë në FDH.

Për Poklekun në vitin 2016, në një raport për të drejtat e njeriut, kishte folur edhe Departamenti amerikan i Shtetit.

“Në gushtin e vitit 2015, OJQ Fondi për të Drejtën Humanitare me seli në Beograd ka bërë kallëzim penal për gjoja përfshirjen e Dragan Obradoviqit në krimet që i ka bërë aradhja 86 –të e policisë gjatë konflikteve në Kosovë. Prokuroria për krime lufte më 13 tetor e ka njoftuar FDH-në që për shkak se bëhet fjalë për kryerësin e panjohur, rasti duhet të bartet në shërbimin për zbulimin e krimeve të luftës të MPB-së për hetim të mëtejmë. Deri në fund të vitit nuk është bërë asnjë veprim tjetër për këtë rast”, shkruan në raport.