Arbëri

Si pasojë e traumave, veterani i UÇK-së ushtron dhunë fizike e psikike ndaj familjarëve

Ishte në të tridhjetat kur u bë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë viteve ’98-’99. Por, ngjarjet që kishte përjetuar gjatë shërbimit në luftë kishin qenë të papërballueshme për F. K.

Kalimi i kufirit Kosovë - Shqipëri ilegalisht për të siguruar armë për ushtarët e tjerë si dhe dyluftimi që kishte pasur me ushtarët serbë, atij i kishin shkaktuar trauma të shumta. Komandanti i brigadës ku ai kishte shërbyer tregon se menjëherë pas këtyre rasteve, për F. K. kishin filluar problemet me shëndetin mendor.

Por, prej këtyre traumave kishin pësuar shumë edhe familjarët e F. K. Që nga paslufta ata janë keqtrajtuar si fizikisht, ashtu edhe në mënyrë psikike, nga kryefamiljari i tyre.

Bashkëshortja e tij rrëfen për KTV-në se disa herë është goditur edhe me armë të ftohta nga burri i saj.

Përderisa 3 herë radhazi, thotë ajo, i është refuzuar pensioni i invalidit të luftës nga Komisioni mjekësor në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Ajo shton se askush nuk është marrë me sëmundjen e burrit të saj deri javën e fundit, kur është dërguar në Klinikën e Psikiatrisë.

Bashkëshortit të saj i është pranuar statusi i invalidit të UÇK-së nga Komisioni qeveritar për verifikimin e statusit, por atij i është refuzuar kërkesa nga Komisioni mjekësor për përcaktimin e shkallës së invaliditetit.

Por, në përgjigjen e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale kanë thënë se Komisioni mjekësor i shkallës së parë e ka vlerësuar me 10 % invaliditet.

“Pas kësaj ai ka bërë ankesë dhe Komisioni i shkallës së dytë përsëri e ka konfirmuar shkallën e njëjtë. Për të hyrë në pagesë duhet të ketë shkallën e invaliditetit së paku 20%”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.

Kjo përcaktohet me Ligjin për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjeve të tyre.