Arbëri

Shumica e aktakuzave në mungesë për krime lufte janë për dhunë seksuale

Gjykata Themelore

Pesë prej shtatë të akuzuarve në mungesë për krime lufte, janë për dhunë seksuale gjatë luftës. Në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës thonë se të mbijetuarat e dhunës seksuale po i përcjellin me kujdes zhvillimet sa u përket proceseve të reja penale dhe se do të përkrahin edhe persona të tjerë që t’ia raportojnë Prokurorisë rastet që tashmë ua kanë rrëfyer atyre. Kanë thënë se i kanë edhe 13 raste që janë thuajse në përfundim të përgatitjes për t’i denoncuar

Prokuroria Speciale deri më tash këtë vit ka ngritur aktakuza në mungesë për kime lufte ndaj shtatë personave, e pesë prej tyre janë për dhunë seksuale.

Fatmire Haliti, juriste në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, ka thënë se të mbijetuarat e dhunës seksuale e përcjellin me interes ecurinë e proceseve që i takojnë gjykimit në mungesë.

Ajo ka thënë se po u japin mbështetje në vazhdimësi atyre në këtë proces.

“Viktimat, të mbijetuarat e dhunës seksuale, janë çdo herë të interesuara për ta ditur se si do të shkojë ky proces, interesohen. Bashkëbisedojmë me to, mundohemi që t’i përgatisim dhe t’i bëjmë të gatshme që të dëshmojnë, mirëpo megjithatë ekziston njëfarë hezitimi se si do të shkojë si proces sepse nuk janë të informuara dhe nuk kanë parë procese të mëhershme që kanë rezultuar pozitivisht në rastet kur kanë qenë në mungesë kryerësit e këtyre krimeve”, ka thënë Haliti.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, muajin e kaluar nisi gjykimi i parë në mungesë që ka të bëjë, ndër të tjera, edhe me akuzat për përfshirje në Masakrën e Reçakut, por që nuk ndërlidhet me dhunë seksuale. Shefi i Departamentit Special i kësaj gjykate, Valon Kurtaj, ka thënë për KOHËN se janë në procesin e konstatimit të përmbushjes së kushteve ligjore sa i përket gjykimit në mungesë për këto raste .

Ai ka shtuar se janë duke i trajtuar me seriozitet të gjitha lëndët e krimeve të luftës në mungesë.

Në QKMRT, ku u jepet përkrahje psikologjike të mbijetuarave të dhunës seksuale, thonë se që nga viti 2018 i kanë përkrahur 30 persona për ta raportuar dhunën seksuale në hetuesi.

E sipas Halitit po përkrahin edhe persona të tjerë për t’i bërë denoncimet e tyre në Prokurorinë Speciale.

“Kështu që tani në procesin e përgatitjes së rasteve të reja ne tani vetëm i kemi 13 raste që janë thuajse në përfundim të përgatitjes për t’i denoncuar apo për t’i raportuar rastet e tyre tek policët e Kosovës dhe te Prokuroria Speciale”, ka thënë Haliti.
Të mbijetuar të dhunës seksuale, sipas Halitit, i kanë identifikuar personat që kanë ushtruar dhunë seksuale ndaj tyre, meqë i kanë njohur si komshinj apo si policë të rajonit ku ato kanë jetuar.

Ajo shprehet se rastet e iniciuara nga viktimat duhet të trajtohen me kujdes, në mënyrë që të mbesin konfidenciale identitetet e të mbijetuarave. E për nisjen e gjykimeve të mungesë thotë se i kanë ofruar mbështetje sistemit të drejtësisë dhe do t’i ofrojnë mbështetje edhe më tej me trajnime nëse kjo është e nevojshme.

“Kur kemi të bëjmë me viktimat e dhunës seksuale sigurisht që qasja dhe ndjeshmëria është shumë më e madhe ndaj këtyre viktimave sepse gjatë proceseve gjyqësore edhe procesi dallon prej krimeve të tjera të luftës duke pasur parasysh që në krimet e tjera të luftës, në masakra, në vrasje dhe në të tjera ka dëshmitarë publikë që flasin, ka prova, ka dëshmi që mund t’i dëshmosh edhe publikisht. Ndërsa te rastet e dhunës seksuale vetë viktimat që janë dëshmitare të gjalla duhet t’iu mbrohet identiteti dhe të dëshmojnë me identitet të mbyllur gjatë të gjithë procesit gjyqësor dhe kjo e vështirëson edhe më tepër qasjen ndaj këtyre rasteve”, ka thënë Haliti.

Ndonëse vlerësohet se në Kosovë janë kryer rreth 20.000 dhunime gjatë luftës, deri më tani është vetëm një i dënuar nga të gjitha shkallët e gjyqësorit të rregullt për dhunë seksuale gjatë luftës. Ai është Zoran Vukotiqi që sivjet iu konfirmua dënimi edhe nga Gjykata Supreme. Ndaj tij Prokuroria Speciale e ka ngritur edhe një aktakuzë të re sivjet. Në QKMRT janë të regjistruar 1.200 raste të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës. Për nga vendet, 380 raste janë në Prishtinë, 293 në Gjakovë, 220 në Mitrovicë, 180 në Pejë, 89 në Prizren, 18 në Ferizaj, 15 në Gjilan dhe pesë n ëlokacione të tjera.

Në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës janë publikuar vendimet gjyqësore letër rreshtime (urdhërarreste) ndërkombëtare për të pandehurit Dejan Raciq, Goroljub Paunoviq, Ivica Rajkoviq, Dragan Deniq, Milan Jovanoviq për dhunë seksuale gjatë luftës. Letër rreshtime janë lëshuar edhe për Çedomir Aksiqin i cili akuzohet për krime lufte në rajonin e Shtimes (përfshirë masakrën e Reçakut), si dhe për Sllavisha Filliqin, i cili akuzohet për keqtrajtimin e mjekut nga Drenasi gjatë luftës, Hafir Shala, i cili është në mesin e rreth 1.600 të pagjeturve.