Arbëri

Shumë zhurmë për marrëveshje pa njohje

Garë mes të fortëve dhe përpjekje për t’i marrë meritat e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë prodhoi faza finale e dialogut.

Epilog i vetëm ishte një marrëveshje e zotimeve në Washington, brenda së cilës nuk është njohja reciproke.

Por, ujdisë së vitit i paraprinë zhvillime dramatike në Kosovë.

Në kulmin e përplasjeve të brendshme shkaku i taksës prej 100 për qind ndaj mallrave serbe, pjesë e tyre u bë edhe një zyrtar i lartë amerikan. Richard Grenell kishte një arsye të fortë për këtë.

Insistonte që sa më shpejt ta nisë punën si emisar i presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi.

Paraprakisht Grenelli ndërmjetësoi nënshkrimin e letrave të interesit mes Kosovës dhe Serbisë në Munih, për hapjen e linjave ajrore dhe hekurudhore. Kosova aty u përfaqësua nga presidenti Thaçi dhe zyrtarë qeveritarë.

Grenelli vizitoi Kosovën në janar, derisa partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, po tentonte krijimin e qeverisë me LDK-në.

Emisari amerikan duartrokiti vendimin e Kurtit për heqjen e taksës, pas inaugurimit të këtij të fundit në Qeveri. Grenelli kritikonte të gjithë ata që insistonin në mbajtjen e kësaj mase, përfshirë liderin e opozitës, Kadri Veseli.

Por, nuk shkoi gjatë kur do të përplasej fort edhe me Kurtin për shkak të reciprocitetit. Kjo masë do ta fundoste qeverinë Kurti, duke e bërë ekzekutivin më jetëshkurtër me vetëm 51 ditë.

Rrjeti social “Twitter” ishte platforma ku Grenell do të cicëronte thuajse çdo ditë.

Atij ia ndihmuan edhe zyrtarë të tjerë amerikanë, përfshirë djalin e presidentit Trump dhe senatorë republikanë, të cilët përmendën mundësinë e tërheqjes së trupave amerikane nga Kosova.

Këto paralajmërime zmbrapsën LDK-në.

Me arsyen se marrëdhëniet me SHBA-në hynë në një fazë delikate dhe dialogu nuk po rinis me Kurtin në krye të Qeverisë, Lidhja Demokratike inicioi mocion për rrëzimin e qeverisë ku vetë bënte pjesë. Nisma u mbështet nga të gjitha partitë opozitare.

Në atë seancë, Kurti pati thënë se qeveria e tij po bie për t’ia hapur rrugën një kryeministri të cilin e presin thikat mbi harta në Washington.

Nënshkrimi i marrëveshjes finale Kosovë-Serbi në “Kopshtin e Trëndafilave” në Washington ishte misioni kryesor që i përshkruhej qeverisë së kryeministrit Hoti, e cila zuri fill pa një bazë të fuqishme me numra dhe me legjitimitet të kontestuar.

Shtytje rrëzimit të qeverisë Kurti i dha fuqi presidenti Thaçi, që shpresonte t’i prijë delegacionit kosovar duke e zhvendosur kryeqendrën e dialogut në Shtëpinë e Bardhë. Në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mandatarin, Thaçi e kishte quajtur Kurtin uzurpator të institucioneve.

Por, tri ditë para takimit në Washington, Thaçit iu pre udha.

Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi më 23 qershor se ndaj Thaçit, Veselit e të tjerëve është deponuar një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Prokurori i Specializuar e gjykoi të domosdoshme nxjerrjen e njoftimit publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të THAÇIT dhe VESELIT për pengimin dhe sabotimin e punës së DHSK-së.

Nga pritjet që Hoti t’i shkojë pas presidentit Thaçi në Uashington, u bë vetë udhëheqës i delegacionit.

Ndodhi kjo pas tre muajsh pauzim, ku Grenell rindezi motorët duke organizuar takim mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë. Pjesë e tij ishte edhe presidenti Donald Trump.

Por, marrëveshja nuk u nënshkrua në “Kopshtin e Trëndafilave”, as brenda saj nuk e kishte “njohjen reciproke”, të cilën e kishin premtuar Hoti bashkë me Thaçin.

Prapaskenat e takimit të 4 shtatorit, që nga pritja e nikoqirit dëshmuan se Kosova ishte në defensivë.

Palët u mjaftuan me një marrëveshje për normalizim ekonomik.

Për herë të parë në dokumente zyrtare ku Serbia është palë u përfshi edhe një resurs i rëndësishëm.

Pala kosovare pranoi ta bëjë hisedarë Serbinë në shfrytëzimin e liqenit e Gazivodës, pasi Departamenti Amerikan për Energji ta ketë bërë një studim fizibiliteti. Kjo u cilësua heqje dorë nga sovraniteti i vendit.

Njohja nga Izraeli, që erdhi pas një shterpësie më shumë se dyvjeçare, u cilësua arritje. Por, ajo nuk është formalizuar ende, për të cilën gjë Kosovës do t’i duhet të hapë ambasadë në Jerusalem.

Përveç mungesës së njohjeve të reja, Kosova u ballafaqua me fushatë agresive të Serbisë. Sipas zyrtarëve serbë, numri i shteteve që kanë tërhequr njohjet për Kosovën ka shkuar në 15.

Për ta ndalur fushatën e Serbisë me marrëveshjen e Washingtonit, u vendos moratorium që të mos kërkohen anëtarësime në organizata ndërkombëtare.

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar të mos e zbatojë marrëveshjen e Washingtonit nëse rikthehet në Qeveri.

Kryetari i kësaj partie, Albin Kurti, po ashtu u bë politikani i vetëm që mori anë në zgjedhjet presidenciale në SHBA. I shkoi letër Bidenit dhe kërkoi prej komunitetit shqiptar në SHBA që të votojnë për kandidatin demokrat.

Paralajmërimi për moszbatimin e marrëveshjes acaroi Grenellin, i cili e quajti Kurtin antiamerikan.

Qasja e presidentit Trump në raport me Kosovën u kritikua në SHBA.

Kandidati për president, Joe Biden, i cili doli fitues në zgjedhjet e nëntorit, është zotuar për ringjalljen e dialogut me synimin që të arrihet zgjidhje që garanton njohjen reciproke.

Ai e bëri të qartë se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme.

Pritje të mëdha për marrëveshje historike në Washington ishin krijuar edhe për faktin se aty u paralajmërua të shtrohen të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Medevegjës dhe Bujanocit. Por, kjo çështje nuk është përmendur fare nga delegacioni kosovar.

Edhe pas marrëveshjes në Washington, në paraqitjen e parë publike Thaçi refuzonte të tregojë nëse ka hequr dorë përfundimisht korrigjimi i kufijve dhe premtimi që Lugina e Preshevës, Medevegja dhe Bujanoci t’i bashkëngjiteshin Kosovës.

Por, teksa ishte larguar nga konferenca e mbajtur më 7 shtator, Thaçi e ka përmendur fjalën “bashkim”.

Kompromiset e arritura për 20 vjet nuk dolën të mjaftueshme dhe shteti “sui generis” që doli si kompromis i Pakos së Ahtisaarit vitet e fundit u vë në pikëpyetje nga veprimet e brendshme.

Prej vitit 2018, kur nisi të flasë për ndryshim kufijsh, Thaçi e ka transformuar disa herë idenë e “korrigjimit”, pas së cilës premtonte se do të ndodhë njohja e ndërsjellë. Mesazhin për këtë e pati dhënë teksa kishte përmendur “dhuratën” e Aleksandar Rankoviqit.

Meqë nuk u arrit në Washington, liderët e Kosovës vazhdojnë ta përsërisin refrenin se marrëveshja finale do të jetë për njohjen reciproke. Por, tani në Bruksel. Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka shprehur synimin që t’i çojë palët drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme. Por, nuk e ka përmendur se ajo do ta ketë edhe njohjen reciproke.

Rinisjes së dialogut në Bruksel i parapriu samiti i Parisit, i cili ndryshe nga siç ishte planifikuar u vetëm online, ku pjesëmarrës ishte kryeministri Hoti dhe presidenti i Serbisë, Vuçiq. Ai u mbajt më 10 korrik, nikoqirë të të cilit ishin presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, vetëm pak ditë pasi dështoi takimi i qershorit në Washington. Nxitimi për ta organizuar atë erdhi pas frikës se mund të shtyhen përpara opsionet që implikojnë ndryshim kufijsh në Ballkan. Samiti u ka shërbyer udhëheqësve të të dyja vendeve vetëm për t’i paraqitur pozicionet e moçme. Hoti dha zotimin se nuk do t’ia negociojë kufijtë Kosovës, gjatë fazës së re të dialogut me Serbinë. Njohjen e ka renditur edhe si objektiv të parë të dialogut, nga 5 sosh sa i ka listuar. E, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka dhënë epitetin e listës së dëshirave, parimeve dhe objektivave të shprehura nga kryeministri Hoti. Ai ka thënë se nuk do të pranojë ultimatume dhe urdhra nga përfaqësuesit e Kosovës.

Kundërthëniet rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe kanë zbehur entuziazmin e palëve. Edhe pse kjo zyrtarisht u mohua, negociatat ngecën kur në rend dite Serbia kërkoi që të futet Asociacioni. Kjo u refuzua nga Kosova, me arsyen se kjo temë nuk mund të rihapet sërish në tryezën e negociatave.

Në vizitën e fundit në Prishtinë dhe Beograd, Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak, e bëri të qartë se nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve pa zbatimin e Marrëveshjes për Asociacionin.

Reagime të forta nxiti deklarata e tij se Kosova duhet ta ndryshojë Kushtetutën për llogari të Asociacionit. Më pas, zyra e Lajçakut u sqarua duke thënë se marrëveshjet ndërkombëtare implikojnë për të dyja vendet ndryshime ligjore dhe kushtetuese.

Ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës dhe Kushtetutës të Serbisë në funksion të akomodimit të marrëveshjes përfundimtare ligjërisht të detyrueshme është një nga opsionet e përmendura në kuadër të dialogut në Bruksel.

Palët janë paralajmëruar se do të vijnë te pika ku duhet t’i “rishkruajnë” kushtetutat respektive në pjesë të caktuara. KOHA ka raportuar se Prishtinës zyrtare mund t’i kërkohet t’i japë më shumë pushtet nivelit lokal dhe t’i rrisë kompetencat dhe përgjegjësitë e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në këmbim të kësaj, komuniteteve pakicë në nivel qendror do t’u hiqej shumica e dyfishtë e votës për ndryshimet kushtetuese dhe ligjet e rëndësisë jetike.

Në Beograd është përmendur miratimi i një ligji kushtetues ku hiqet nga preambula “Kosova dhe Metohia” dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe bëhet pjesë integrale e sistemit të Serbisë.

Ndërsa ka nisur faza finale e dialogut, ka munguar një skenim dhe vlerësim i marrëveshjeve të deritashme. Mungesa e transparencës dhe “dykuptimësia” e kanë shoqëruar procesin e deritashëm të negociatave. Nga rreth 33 marrëveshje të arritura, vetëm disa prej tyre janë zbatuar plotësisht. Zbatimi i ujdisë për hapjen e Urës mbi Ibër ende nuk ka filluar.

Deri tani, elementi ‘historik’ u është dhënë të gjitha marrëveshjeve me Serbinë. Ato vazhdimisht kanë marrë copëza nga sovraniteti i vendit, në kërkim të momentit kur Serbia do t’ia njohë shtetësinë Kosovës. Por, një gjë e tillë nuk duket në horizont.