Dy muaj pas takimit, në të cilin Prokuroria Speciale pretendon se “Syri i Popullit” kishte marrë vendim të nisë vrasjet e personaliteteve shtetërore, Murat Jashari ishte shtrirë në një klinikë psikiatrike.
Nga 13 qershori deri më 30 nëntor 2015, Jashari, sipas mbrojtjes së tij, ishte në trajtim në Friburg të Zvicrës, diagnozë që i është vërtetuar edhe në Institutin e Psikiatrisë Forenzike në Kosovë, pas kërkesës për ekzaminim nga Prokuroria Speciale, raporton KTV.
Në konkludimin e këtij instituti thuhet se Jashari vuan nga çrregullimi skizoafektiv – tipi maniakal, derisa kishte rekomanduar trajtim bio-psiko-social, që ofrohet në institucionet e trajtimit të detyrueshëm me ndalim.
Fehmie Gashi-Bytyqi, avokate e Murat Jasharit pret që akuza ndaj klientit të saj të hidhet poshtë.
Derisa avokati i Sadri Ramabajës, po ashtu i akuzuar nga Prokuroria Speciale, ka mbetur i befasuar me aktakuzën ndaj tij. Ramiz Krasniqi insiston se prova e vetme e prokurorisë, e prezantuar deri tani, është libri “Lufta e Pambaruar” i Murat Jasharit, të cilin e ka redaktuar Ramabaja.
Palët ende nuk kanë marrë aktakuzën e Prokurorisë Speciale, ndërsa prokurori i këtij rasti, Sylë Hoxha, tha se aktakuza ‘voluminoze’ tashmë është dorëzuar në gjykatë, e cila më pas e shpërndan tek palët.
Sipas prokurorisë, janë gjithsej 61 dëshmitarë, e siç merr vesh televizioni, shumica prej tyre janë personalitete nga jeta politike e vendit nga periudha të ndryshme.