Është shuar një nga hallkat kryesore, e cila detyrë për një dekadë pati hetimin e korrupsionit të profilit të lartë.
Me vendim të Qeverisë së Kosovës, vendimi për krijimin e kësaj task-force është shfuqizuar.
Arsyetimi i kryeministrit Hoti ishte që me shfuqizimin e këtij vendimi “do të bëhej ndarja e pushteteve”, raporton KOHA.
Në të njëjtën ditë, kur Qeveria po planifikonte shuarjen e këtij institucioni, EULEX-i e ka lavdëruar këtë task-forcë për punën e saj dhe ka rekomanduar fuqizimin e saj.
Task-forca Kundër Korrupsionit ka pasur 30 hetues e shefin e këtij njësiti. I kanë raportuar Drejtorisë për Hetime në Policinë e Kosovës.
Riza Shillova, drejtor i këtij departamenti, ka thënë se pa diskutim që e mbështet punën e këtij departamenti.
“Në aspektin hetimor janë kryer punë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe aktivitete të rëndësishme në rastet e profilit të lartë po ashtu edhe të korrupsionit mbetet në të ardhmen që ne këtë përpjekje ta ngrisim akoma më shumë. E mbështesë punën që po e bënë Task-forca diskutim nuk ka, është një departament dhe e vlerësojë jashtëzakonisht punën që është bërë dhe diskutim nuk ka”,ka deklaruar Riza Shillova. shef i Drejtorisë së Hetimeve në PK.
Ndaj vendimit për shuarje të kësaj njësie ka reaguar Instituti i Kosovës për Drejtësi, duke e konsideruar këtë vendim hakmarrje politike ndaj këtij institucioni të hetuesisë.
Puna e Task-Forcës ishte lavdëruar edhe në Raportin e Progresit për vitin 2019.
Ky njësit ekzistonte tash e 10 vjet.
Për këto vite janë disa hetime, që kanë kaluar në duart e këtij institucioni.
Hetuesit policorë të Task-Forcës janë marrë me hetimet në rastin “Pronto”, rastin hetimor që ka përfunduar me aktakuzë ndaj ish -kryetarit të Gjilanit, Qemajl Mustafa, nga PDK, rastin penal që ka përfunduar me aktakuzë kundër ish-kryetarit të Klinës, Sokol Bashota, rastin e njohur si KEK-u, e ku i akuzuar ishte Sami Lushtaku.
KOHA ka mësuar se ky njësit ka mbledhur informata për procesin e dyshimtë të homologimit, ku ishte dorëzuar muaj me parë kallëzim penal për aferën e njohur si 53- milionëshi.
Aty, siç kanë thënë burimet, janë të përfshirë 3 persona, në mesin e tyre një ish-ministër nga AAK-ja, e një ish-ministër nga LDK-ja.
Për disa persona të Qeverisë se kaluar kjo Task-Forcë aktualisht ishte në fazën e hetimit. Siç ka raportuar KOHA, kryetarë komunash e ish-anëtarë të kabinetit qeveritar ishin intervistuar në lidhje me dyshimet për keqpërdorime në projektin për krijimin e zonës ekonomike në Bajë të Malishevës.
Ky njësit vitin e kaluar kishte dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale kundër kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri. Prokuroria Speciale, siç ka raportuar KOHA, e pati degraduar hetimin duke e deleguar në atë Themelore.
Siç kanë thënë burimet nga ky institucion, Task-Forca ka dërguar në Prokurorinë Speciale edhe një kallëzim penale, për disa zyrtarë të MPB-së, për kohën kur ajo udhëhiqej nga Skënder Hyseni.
Ky rast i njohur si “Pasaporta 2” ka të bëjë me tenderin për pajisje me pasaporta, e që, siç kanë thënë burimet, vetëm servisimi i këtyre aparaturave dyshohet që nga 200 mijë, sa ishte paguar më herët, kishte arritur vlerën 7 milionë euro.