Arbëri

Shtypshkronja - dora e fundit e gazetës

Foto: Driton Paçarada / KD

Prishtinë, mars – Tringëllima e lugës në gotën e çajit nuk dëgjohej fare nga zhurma e motorit të makinës gjigante, teksa ajo po bënte ritualin e përnatshëm të shtypjes së gazetës “Koha Ditore”.

“Ahhhh ilaç është çaji i rusit, pa to s’bon hiç”, thoshte Shaban Sokoli, me mahi, por dhe me tonin e zërit të ngritur “pesëfish”. Vazhdonte ta përziente sheqerin në gotën tri herë më të madhe se gota e zakonshme e çajit. E mbante atë në dorë, duke ecur dhe vështruar me kujdes procesin e shtypjes së numrit vijues. Gazeta e përditshme “Koha Ditore”, më 31 mars të këtij viti mbush 22 vjet nga dalja e numrit të parë.

“A është futur rolle si duhet? A është t’uj shku gjithçka mirë?”, po e pyeste mirëmbajtësin e makinës, Nuhi Jashanicën, për t’u siguruar se materiali i letrës ishte vendosur në vend të vet.

Ora po kalonte 12:00 pas mesnate dhe ky ishte çaji i dytë që Sokoli po e pinte, prejse e kishte filluar punën në ndërresën e tretë në shtypshkronjën e “Koha Print”.

Edhe një çaj do ta pinte deri në përfundim të shtypjes së gazetës, para orës 3:00 të mëngjesit.

Numri “tre” po e karakterizonte thuajse tërë bisedën me të. Tre çaja të zi i duhen çdo natë për ta ruajtur përqendrimin. Rutina e pirjes së çajit thotë se i ndihmon për t’i bërë ballë presionit të kohëpaskohshëm të gjumit.

Sokoli e udhëheq procesin e shtypjes së gazetës. Puna e ndërresës të tretë thotë se është sfiduese, porse ai dhe të tjerët punëtorë me kohën u janë përshtatur rrethanave. Këtë punë e bën gjatë tri dekadave të fundit. E kishte filluar me “Rilindjen”, për të vazhduar pastaj në vitin 1997 me “Koha Print”.

Punën e nisin çdo natë në orën 22:00. Rreth dy orë ia kushtojnë kontrollimit dhe përgatitjes së makinave. Pas kësaj, diku pak para ose në mesnatë fillon shtypja e gazetës. Procesi i shtypjes, siç rrëfen Sokoli, zgjat rreth tri orë.

Por, ka raste kur mund të zgjasë edhe më shumë. Varësisht nga dinamika e përgatitjes së gazetës nga redaksitë veç e veç.

Të rrethuar nga ushtarë e refugjatë

Shkrimet e gazetës nuk i shpëtojnë “syrit” të Sokolit e as të punëtorëve të tjerë. E konsideron privilegj kalimin e gazetës nëpër duar të tyre. Çdo natë thotë se kalimthi arrijnë që ta lexojnë pak a shumë përmbajtjen e artikujve, që atyre ua zgjojnë kureshtjen.

“Jemi bërë edhe ne ‘analistë politikë’. Është e pamundur të mos ua hedhim një sy titujve që na provokojnë. Sidomos ballinën gjithsesi e lexojmë çdo natë”, thotë Sokoli.

Kjo atmosferë e punës dhe kushtet në përgjithësi nuk ishin gjithmonë kështu, optimale. Përgjatë viteve, Sokoli kishte punuar me tri makineri të ndryshme në shtypshkronjë.

Me nostalgji e kujton të parën, e cila ishte djegur nga forcat serbe gjatë luftës së fundit. Ngjarja kishte ndodhur më 25 mars të vitit 1999, në fillet e bombardimeve të NATO-s.

Atëkohë thotë se puna në shtypshkronjë ishte më e vështirë, për shkak se nuk ishte makineria e sofistikuar si në ditët e sotme. Makinat, siç rrëfen Sokoli, kishin kapacitet më të vogël, pasi edhe gazeta shtypej vetëm në 16 faqe.

“Sot, në kohën e digjitalizimit e kemi shumë më lehtë. Ta zëmë, atëherë materiali i gazetës nuk na vinte nga redaksia si sot përmes internetit, por vinte përmes një kopjeje që është bërë në të ashtuquajturat ‘pausa’ (letra me yndyrë). Ato pastaj është dashur t’i kopjojmë, t’i vendosim në pllakë prej alumini, për të vazhduar me shtypjen e faqeve”, rrëfen Sokoli.

Ishte problematik, siç kujton ai, procesi i sjelljes së “pausave”, për shkak se ndryshe nga sot që përmbajtja e gazetës dërgohet përmes internetit, atëherë ishte dashur që t’i sjellin në dorë shoferët në gjysmë të natës.

Vështirësia shtohej edhe më shumë karshi situatës politike të asaj kohe. Shpeshherë, Sokoli thotë se “pausat” ua jepnin taksistëve, në mënyrë që të mos binin në “sy” të autoriteteve serbe.

“Ka qenë rrezik i vazhdueshëm, sepse shtypshkronja ka qenë bash përballë kazermës së ushtrisë serbe, tani ku është kazerma “Adem Jashari”. Serbët e dinin ku ishte shtypshkronja dhe vazhdimisht kishim frikë se një natë do të vijnë për kontroll”, tregon ai.

Rrugës derisa shkonin ose ktheheshin nga puna, thotë se shpeshherë janë ndaluar nga policia e ushtria serbe.

“Na pyesnin se ku kishim qenë deri tani, për çfarë e kështu me radhë. Ne nuk guxonim të tregonim. ‘Koha Ditore’ atëkohë veç e kishte një ndalesë nga gjykata që të mos vazhdonte me shtypin”, rrëfen Sokoli.

Në kujtesë i ka mbetur nata e parë e bombardimeve të NATO-s, kur disa orë përpara e kishin botuar gazetën në kushte tejet të vështira.

“Njerëzit veç kishin filluar të iknin. Mezi u bëmë bashkë me një koleg që ende është duke punuar këtu, Arbnorin, si dhe një punëtor tjetër që nuk është më këndej. Shkuam në shtypshkronjë për ta botuar, fillimisht tirazhin e gazetës që dilte në Perëndim e pastaj tirazhin për Kosovë. Këtë të fundit nuk kemi pasur mundësi që ta shpërndanim, pasi atë natë filluan bombardimet. Gazetat patën mbetur aty, diku 25 mijë copa. Të nesërmen shtypshkronja u dogj nga regjimi dhe u shkatërrua bashkë me gazetat”, rrëfen ai.

Pos meshkujve, në shtypshkronjë punojnë edhe femrat. Madje, dy prej tyre edhe në ndërresën e natës.

Nëntëmbëdhjetë punë i ka bërë sivjet Fahrije Ismajli. Detyrat e saj, por edhe e punëtores tjetër, Zejnepe Rexhepi, janë të ndryshme, por zakonisht merren me palosjen e gazetave, librave e revistave.

Thotë se ndihen të barabartë gjatë punës me kolegët e tyre.

“Krejt këto vite i kemi kaluar pa e pasur më të voglin problem. Veç jemi bërë si familje. Nëntëmbëdhjetë vjet punë nuk janë pak. Çfarëdo sfide e kemi kaluar dhe e kalojmë edhe sot së bashku”, shton Ismajli.

Për historikun dhe peripecitë me të cilat është përballur ndër vite shtypshkronja, rrëfen drejtori i saj, Luan Dobroshi. Në shitje, siç thotë ai, gazeta ka dalë për herë të parë më datën 1 prill të vitit 1997, kurse shtypshkronja punën e ka filluar më 31 mars.

Objekti, siç kujton ai, ka qenë me një hapësirë të vogël dhe joadekuat. Ishte aty ku tani quhet Zona Industriale, rrugës për në Fushë-Kosovë.

Para luftës, Dobroshi thotë se kushtet e punës kanë qenë të vështira, në rend të parë, për shkak të kushteve teknike. Pastaj, vështirësitë janë bërë edhe më të mëdha për shkak të presioneve politike dhe policore të asaj kohe.

Me shumë improvizime, thotë se kanë arritur që t’i lëshojnë makinat në përdorim. Ekipi që kanë punuar në atë periudhë kohore kishte qenë prej pesë vetash, duke përfshirë Dobroshin dhe Sokolin.

Pozita e objektit të shtypshkronjës thotë se ka qenë e pavolitshme për shkak se në afërsi ka qenë një objekt i refugjatëve serbë të ardhur nga luftërat në vendet e tjera të ish-Jugosllavisë, e po ashtu edhe kazerma e ushtrisë serbe.

“Andej silleshin edhe refugjatët, edhe policia. Boll mirë e dinin se ku ishte shtypshkronja e çfarë pune po bënim. E kemi pasur jetën në rrezik, sidomos Shabani. Peripeci të mëdha kemi pasur, por ia kemi arritur ta botonim gazetën”, vazhdon ai.

Rrezik permanent Dobroshi thotë se kishin edhe me shpërndarjen e gazetës, meqë kjo bëhej ende pa zbardhur dita, diku kah ora 4:00 e mëngjesit. Ishin shoferët ata që e bënin shpërndarjen në Kosovë, por edhe në Maqedoni. Ata vazhdimisht ishin penguar nga policia. Tirazhin, Dobroshi thotë se, nuk ua kishin sekuestruar, por policët ishin munduar që ta vononin shpërndarjen, t’i dekurajonin e t’i frikësonin shoferët.

“Por sa më shumë që u bënin presion shoferëve edhe me më shumë këmbëngulësi e kryenin detyrën”, rrëfen ai.

Makina e riparuar – kujtim për krimet e Serbisë

Mbi 45 mijë copë ishte tirazhi i gazetës që shtypej atëkohë. Me gjithë rrezikun dhe vështirësitë, Dobroshi thotë se punën e kanë kryer me vullnet, pa i menduar pasojat.

Momenti më i rëndë për të thotë se ka qenë kur e ka marrë lajmin për vrasjen e rojës në ambientet e redaksisë së gazetës “Koha Ditore”, natën e parë të bombardimeve nga NATO-ja. Atë natë, forcat serbe kishin shkuar në redaksi, dhe pos demolimit të kompjuterëve e mjeteve të tjera të punës, kishin kryer vrasjen e Rexhep Ramadanit.

“E kemi thirrur Baca Rexhë. Lajmi për vrasjen e tij ka qenë tronditës, moment tepër i vështirë. Nuk ishim as në gjendje për të shkuar në redaksi, për t’ia gjetur trupin. Të gjithë ishim të përndjekur si ‘Kohë Ditore’. Askush nuk guxonte më të paraqitej në redaksi”, thotë Dobroshi.

I dhimbshëm ishte edhe momenti kur kishin dëgjuar për djegien e shtypshkronjës. Prej tërë asaj makinerie, vetëm një makinë e vogël i kishte shpëtuar djegies së tërësishme. Atë e kishin nxjerrë pas luftës prej gërmadhave.

“Ishte e mbuluar me hi. E kemi marrë, e kemi riparuar dhe sot ajo është në mesin e makinave të tjera. Punon siç ka punuar më parë. Me të i ngjitim kopertinat e librave. Atë e kemi edhe kujtim për krimin që ka ndodhur”, rrëfen Dobroshi.

Shtypshkronja sot funksionon me dy reparte. Në njërin shtypet gazeta, kurse në tjetrin botohen librat - njihet si “repart i libërlidhjes”. Të dyja repartet kanë makineri të ndryshme, porse, siç thotë Dobroshi, e kanë një pikëlidhje - pllakat e aluminit.

“Ndërresa e parë dhe e dyta merren zakonisht me shtypjen e librave, kurse ndërresa e tretë merret ekskluzivisht me shtypjen e gazetës. Edhe teknologjia në ndërresën e tretë është e veçantë. Quhet teknologji e rrotacionit”, rrëfen ai.

Gjatë 22 vjetëve thotë se i kanë ndërruar tri lloje të makinave. Këtë që e kanë tani thotë se e kanë montuar vetë punëtorët e shtypshkronjës, pa ndihmën e askujt.

“Shabani, Nuhia dhe ekipi tjetër e kanë bërë komplet montimin. Këta vërtet janë profesionistë. Vetë e bëjnë edhe mirëmbajtjen e makinave. Nuk ma merr mendja që ka diku ndonjë shtypshkronjë, e cila e ka një ekip më profesional se ky që e kemi ne”, i përmend Dobroshi me mburrje punëtorët e tij.

Deri më tani thotë se nuk kanë pasur asnjë rast të ndonjë lëndimi serioz të punëtorëve, pavarësisht specifikës së punës.

“Jeta e punëtorit është me vlefshme se secila makinë këtu përreth”, e përfundon ai rrëfimin.