Një shtyllë e ndriçimit është rrëzuar tash e dhjetë ditë afër parkut “Adem Demaçi” në qendër të qytetit të Mitrovicës, si pasojë e motit të ligë, por pavarësisht kësaj KEDS-i, policia dhe institucioneve tjera gjegjëse, edhe pse janë në dijeni për këtë problem, askush nuk ka ndërmarrë asgjë.
Qytetarët thonë se kjo shtyllë, e cila u rrëzua nga erërat e forta, po paraqet pengesë për qarkullimin e qytetarëve, por edhe rrezik për ta. Remzi Nimani, qytetar, duke mos mohuar mundësinë e rrezikut nga telat e rrymës, tha se kjo shtyllë po i pengon qytetarët dhe automjetet, sidomos taksitë, të cilat parkohen aty.
Sipas tij, përkundër faktit se KEDS-i, policia dhe institucioneve tjera gjegjëse janë në dijeni për këtë, askush nuk ka ndërmarrë asgjë që dhjetë ditë.
“Kjo ka ndodhur para 10 dite, kur ka qenë një furtunë, shi i madh që ka ra, edhe era e ka rrëzuar shtyllën elektrike. Kanë qenë policia, këta të KEDS-it, kanë shikuar, ne pak e kemi skajuar, përndryshe sot e asaj dite askush nuk merr masa. Po i pengon qytetarët, automjetet, ndoshta është rrezik se ka edhe rrymë”, ka thënë Nimani për KosovaPress.
Edhe Sokol Jonuzi, një qytetar tjetër nga Mitrovica, ka bërë të ditur se shtylla e rrëzuar paraqet pengesë për qarkullimin e qytetarëve dhe të automjeteve në këtë vend, por edhe rrezik.