Për shkak të mungesës së kuorumit prej 80 deputetëve, në seancën e së mërkurës u shty sërish votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend.
Deputetët e opozitës nuk po duan ta dëshmojnë praninë në seancë.
Për seancë tjetër u shty edhe amendamenti i deputetit Visar Korenica për Projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar mjekësor. Në votim morën pjesë vetëm 44 deputetë.
Ndërkohë u votua plotësim/ndryshimi për Ligjin për zyrtarët publikë dhe Ligji për Këshillin e Sigurisë të Republikës së Kosovës.
U miratua edhe Ligji për Rrugët.
U miratua në lexim të dytë edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës.
Nuk pati kuorum për votimin në parim të Projektligjit për gjendjen civile dhe atë për provimin e maturës shtetërore.
U shty shqyrtimi i parë i Projektligjit për menaxhimin e resurseve ujore sepse mungoi ministri Liburn Aliu.
Kaloi Programi Kombëtar për Integrim Evropian 2024-2028.
U miratua ne parim edhe Projektligji për menaxhimin e resurseve ujore.
Nuk kaloi Projekt-rezoluta për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit.
Për shkak se mungoi deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, nuk është shqyrtuar projekt-deklarata për raportet e Kosovës me SHBA-në.
Gjithashtu s’është shqyrtuar projekt-rezoluta për adresimin e çështjeve së emigrimit të qytetarëve, projektrezoluta për tërheqjen e tri projektligjeve nga shqyrtimi në Kuvend dhe ajo për arratisjen e personave të dënuar.
U miratua Raporti me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.06/L-116.
U miratua rezoluta për vlerësimin e punës së Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2022.
Nuk kaloi Projekt-rezoluta nga debati parlamentar për komunikimet e kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari - Lila me Milan Radoiçiq. 60 deputetë votuan kundër, një votoi pro.
Nuk kaloi as Projekt-rezoluta nga debati parlamentar për mungesën e ushqimit në Ushtrinë e Republikës së Kosovës. 61 vota kundër.
Nuk kaloi as Projekt-Rezoluta nga debati parlamentar për skandalet dhe keqmenaxhimi në Korporatën Energjetike të Kosovës.
Më pas, seanca përfundoi.