Trupi gjykues i Gjykatës Themelore në Prishtinë i shqiptoi vërejtjen e fundit të akuzuarit për krime lufte, Milorad Gjokoviq, për pengim të shqyrtimit gjyqësor dhe përdorim të gjuhës së papërshtatshme në raport me prokurorinë dhe gjykatën.
I akuzuari tha se seanca nuk duhet të vazhdojë meqë nuk i ka pranuar shkresat që i ka kërkuar seancën e kaluar.
Gjyqtari Valon Kurtaj tha se ka vërtetuar me Shërbimin Korrektues se ia kanë dhënë shkresat të pandehurit. I kërkoi të pandehurit që të komunikojë me gjykatën përmes dy avokatëve të tij ose t'i drejtohet vetë me shkrim gjykatës.
Seanca u shty për 1 nëntor.
Prokurori Ilir Morina tha se qëllimi i mbrojtjes dhe të akuzuarit është të zvarritet dëshmia e dëshmitarit Halit Gashi. Ai tregoi se dëshmia e Gashit është zvarritur që nga marsi shkaku i mbrojtësve e pasi kërkesat tyre u shterën tash ka nisur i akuzuari të bëjë kërkesa e të japë arsyetime për shtyrjen e dëshmisë së tij.
Avokati i të pandehurit, Vasilije Arsiq, tha se ideja e prokurorisë nuk ka kuptim meqë interesi i të akuzuarit dhe mbrojtjes së tij është që procesi gjyqësor të ecë përpara, sidomos duke e ditur që Gjokoviqi është në paraburgim.