Vetëm një ditë para se të mbahej provimi pranues për kandidatët që kanë aplikuar për studime të doktoratës, Universiteti i Prishtinës ka marrë vendim ta shtyjë provimin për një afat të pacaktuar. Konkursi ishte hapur më 2 nëntor, ndërsa është anuluar të mërkurën e kaluar.
Shkas për këtë shtyrje është bërë pika 13 e konkursit, e cila precizon se kandidatët i nënshtrohen parimit të konfliktit të interesit sipas legjislacionit në fuqi, Kodit të Etikës dhe Udhëzuesit për parandalimin e konfliktit të interesit të Këshillit të Etikës në UP.
Në këtë pikë të konkursit thuhet se në mënyrë të veçantë do të konstatohet që ekziston konflikti i interesit nëse kandidati/kandidatja ka lidhje gjaku me një apo më shumë anëtarë të personelit akademik të njësisë përkatëse, raporton KOHA.
Sipas profesorit dhe anëtarit të Këshillit mësimor të Fakultetit Juridik, Enver Hasani në bazë të informatave të tij, në disa njësi akademike kanë aplikuar fëmijët e stafit akademik. Në kohën kur ai ka qenë rektor i UP-së thotë se nuk ka lejuar konflikte të tilla.
“Së paku unë e di për 4-5 njësi akademike që i kanë fëmijët e tyre në këtë konkurs dhe kjo është gabim, sepse nuk mund t’i pyesin kolegët fëmijët e kolegëve, por duhet të formohet një komision i veçantë, sepse është konflikt absolut i interesit”, ka shtuar Hasani.
Ai dyshon për shpërdorim të procedurave të konkursit derisa thotë se është e papranueshme që shtyrja e provimit u bë rreth 12 orë para se të mbahej.
Sipas tij, në Fakultetin Juridik këtë vit nuk ka konflikte të tilla por viteve të kaluara i kanë penguar konfliktet e të ngjashme.
“Kjo praktikë është e papranueshme. Në rastet kur kanë konflikt absolut, përkatësisht kur janë fëmijët në pyetje siç është ky rast, duhet të formohet një komision nga jashtë dhe të bëhet një konkurs i posaçëm nga ta në mënyrë që të mos iu cenohen e drejta as atyre, por mbi të gjitha shumicës, sepse është fjala për institucione publike”, ka thënë ai.
E Rektorati i UP-së në një përgjigje me shkrim ka thënë se shtyrja e provimit është bërë bazuar në shqetësimet e ngritura nga palët e ndryshme dhe analizën e brendshme, dhe se pika 13 e konkursit mund të cenojë të drejtat elementare të kandidatëve.
“Fjalia e dytë e pikës 13 ka ngritur dilemat te kandidatët që të njëjtëve do t’iu cenohet e drejta e trajtimit të barabartë në procesin e aplikimit dhe vlerësimit të tyre. Rektorati do të kërkojë nga njësitë akademike që komisionet e vlerësimit të kandidatëve të punojnë bazuar në aktet ligjore në fuqi dhe që të evitojnë çdo mundësi të ndërhyrjes ose ndikimit në punën e tyre”, thuhet në përgjigjen e Rektoratit.
Në maj të vitit 2018 Universiteti i Prishtinës ka nxjerrë udhëzuesin për standardet dhe parimet etike të UP-së në lidhje me shmangien e konfliktit të interesit në procedurat e zgjedhjes së personelit akademik për pozita të reja sipas institucionit të konkursit publik.
Sipas këtij dokumenti, anëtarëve të stafit të UP-së duhet t’u ndalohet jo vetëm të marrin pjesë si anëtarë të këshillit vlerësues kur ndonjë i afërm i vet është kandidat për punësim, por t’u ndalohet edhe që të marrin pjesë në çfarëdolloj procesi tjetër që mund t’i sjellë ndonjë dobi të afërmit të vet, duke përfshirë proceset e punësimit, të ardhurave ngritjes së pozitave dhe detyrave të punës.
Aty thuhet se anëtarët e stafit duhet të jenë të detyruar që të deklarojnë nëse janë të angazhuar në ndonjë proces rekrutimi ose ndonjë proces tjetër që mund t’i sjellë ndonjë dobi një të afërmi të vet. Mosdeklarimi i një lidhjeje të tillë sipas udhëzuesit duhet të rezultojë me masa ndëshkuese.
Senati i UP-së në një mbledhje që do ta mbajë të enjten do ta shqyrtojë këtë çështje dhe të caktojë datën e mbajtjes së provimit pranues. Konkursi është hapur për 134 studentë në 16 programe studimore.
Fakultetet që do të pranojnë studentë në këtë nivel të studimeve janë: Fakulteti i Filologjisë, Fakulteti Filozofik, FSHMN, Fakulteti Juridik, Fakulteti Ekonomik dhe Fakulteti i Mjekësisë.