Një raport i publikuar nga Qendra Woodrow Wilson në Washington, konstaton se Perëndimi i ka dhënë Serbisë një pozitë të privilegjuar në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Aty bëhet thirrje tek aleatët e Kosovës për një riangazhim në forcimin e subjektivitetit të shtetit dhe alarmohet se politika e jashtme e Serbisë është destabilizuese, e cila po lehtëson ndikimin në rritje të Rusisë e Kinës në rajon. Drilon Gashi, i cili ka punuar në këtë raport, thotë se Kosova duhet të dijë se si t’i angazhojë më shumë aleatët
Vendet perëndimore i kanë dhënë Serbisë një pozitë të privilegjuar në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, është drojë e shprehur në një raport të publikuar këtë javë nga Qendra Woodroë Wilson në Washington.
Në të bëhet thirrje për riangazhimin e aleatëve të Kosovës në forcimin e subejktivitetit të këtij shteti
Drilon Gashi, i cili ka punuar në këtë raport, numëron disa nga investimet që kërkohen.
Në rend të parë është në njohjen e plotë të Kosovës nga BE-ja, riinvestimi në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, me theks të veçantë në NATO, sepse në këtë formë kur Kosova e forcon subjektivitetin e saj ndërkombëtar, pastaj edhe Serbia do të ketë shumë më pak argumente për ta minuar, do të ketë shumë më pak fuqi brenda procesit të dialogut dhe do të jetë shumë më afër njohjes së pavarësisë së Kosovës", ka thënë Gashi.
Në raport u jepen nëntë rekomandime Shteteve të Bashkuara, BE-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe NATO-s, në mesin e të cilëve edhe që deri në vitin 2027 të përcaktojnë një rrugë të qartë për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Nëse këtë s’e bëjnë, u është ofruar një alternativë.
"Nëse shfaqen kundërshtime të mëdha për anëtarësimin e Kosovës në NATO, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, dhe vendet e Evropiane të cilat e njohin Kosovën duhet të angazhohen, si alternativë, për të nënshkruar një marrëveshje gjithëpërfshirëse të sigurisë dhe mbrojtjes me Kosovën", thuhet në raport.
Në raport është konstatuar se politika e jashtme e Serbisë është destabilizuese dhe është alarmuar se ky shtet po lehtëson ndikimin në rritje të shteteve joliberale në Ballkanin Perëndimor.
"Rusia dhe Kina në veçanti po përdorin Serbinë si një vegël për të rritur fuqinë dhe ndikimin e tyre dhe për të minuar të arriturat perëndimore në rajon. Një angazhim i ri-përtërirë për konsolidimin e sovranitetit të Kosovës është një mjet i qartë me të cilin partnerët e Kosovës mund të tregojnë përkushtimin e tyre ndaj një partneri demokratik dhe të mbajnë qëndrim parimor kundruall sjelljes joliberale e destabilizuese të Serbisë si dhe të kundërshtojnë lidhjet e saj ushtarake në rritje me Rusinë dhe Kinën".
Tek i referohet përmbajtjes së raportit, Drilon Gashi ka edhe një apel për Kosovën.
"Nëse raporti bën thirrje që aleatët të angazhohen më shumë, edhe Kosova duhet të dijë se si t’i angazhojë ata më shumë, si ta bëjë punën e saj më shumë edhe që në një hapësirë për më shumë argumente pro fuqizimit të Kosovës, cilat do të jenë veprimet që ata do të bëjnë, në fakt që arrijnë ata, bashkarisht me aleatët"
Raporti ka katër autorë dhe është mbështetur edhe nga udhëheqës, ekspertë, dhe akademikë amerikanë dhe evropianë.