Arbëri

Shtretër në vlerë 1 milion franga, donatori akuzon institucionet për burokraci

Shtretërit mjekësor qe 14 ditë kanë mbetur të bllokuar në një nga qendrat e “Handikosit” në Gjilan.

Donacioni, që përfshin 24 shtretër mjekësorë, i siguruar nga gjilanasi, Mehmet Sopa, është paraparë t’i jepet Spitalit Rajonal të Gjilanit, por, sipas tij, bllokimi është bërë shkaku i procedurave burokratike, raporton KOHA.

“Edhe pse ende ka njerëz që duan t'i ndihmojnë vendit të tyre, duke i pasur parasysh gjendjet aktuale në Spitalin e Gjilanit, por për shkak të procedurave që këta i kanë përcaktuar ka qenë e pamundur. Afër 10 ditë jemi endur rrugëve, në spitale e në Ministrinë e Shëndetësisë, deri në një moment kur Spitali vendosi të kërkonte lejen për donacion prej Msh-së, por neglizhenca bëri që ky donacion të mos arrijë në vendin e duhur”, ka deklaruar Refik Ramadani, përfaqësues i donatorit.

Ramadani thotë se janë në pritje të përgjigjes së MSH-së, ose në të kundërtën shtretërit do të dërgohen nëpër qendra të tjera mjekësore.

“Jemi në pritje të Komunës dhe Spitalit së bashku me MSh-në se a dojnë ta pranojnë këtë donacion apo jo, nëse nuk ka dicka pozitive atëherë këta shtretër do t'i destinojmë për nevojat e komunës së Gjilanit, gjegjësisht për qendrat tjera ambulantore”, ka thënë ai.

Sopa përmes një iniciative në Zvicër ka siguruar një donacion prej 73 shtretërve mjekësorë, ku kontingjenti i parë ka ardhur në Kosovë me 24 shtretër, ndërsa pjesa tjetër planifikohet që të vijë deri në fund të vitit. Vlera e këtij donacioni kap shifrën e 1 milion frangave zvicerane.

Për t’i liruar nga dogana këta shtretër kishte ndërhyrë Komuna e Gjilanit.

“Është thënë që për shkak të hierarkisë ose për shkak të dokumentacionit deri në këto momente Spitali i Gjilanit nuk është i gatshëm me pranu këtë donacion. Ajo që neve po na thuhet është që lënda është tek Ministria e Shëndetësisë dhe ata ende nuk ja kanë konfirmuar Spitalit që ta pranoj donacionit. Deri në këto momente ne kemi shfrytëzuar një numër të vogël të shtretërve për ambulantat familjare dhe pjesën tjetër e kemi deponuar në ndërtesën e Hendikosit, ku po presim spitalin që t'i marr dhe t'i tërheq ata shtretër”, ka deklaruar nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli.

Kurse, drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, Nisret Hajrullahu, vlerëson se asnjë donacion nuk mund të pranohet pa lejen paraprake nga Zyra për Donacione, që funksionon në kuadër të ShSKUK-së.

“Zotëriu në emër të këtij donacioni na është lajmëruar neve, por meqë ne jemi pjesë përbërëse e Shërbimit Spitalor të Kosovës është një zyre në kuadër të ShSKUK-së për donacione dhe bashkëpunim ndërkombëtar të cilën ne jemi të obliguar për të gjitha donacionet që të bëhet kërkesa pranë kësaj zyre dhe ne e kemi njoftuar për këtë procedurë donatorin. Në atë koha isha në pushim vjetor, dhe e kam autorizuar drejtorin klinik i cili e ka bërë kërkesën tek ShSKUK por që ende nuk kemi marrë përgjigje për pranim ose jo të këtij donacioni”, ka thënë Hajrullahu.

Nga ShSKUK-ja kanë konfirmuar se kërkesën e kanë proceduar në Ministri të Shëndetësisë, më 23 shtator.

Pas interesimit të KOHËS donatorët kanë njoftuar se është dhënë leja nga Ministria e Shëndetësisë dhe shtretërit të hënën do të dërgohen në Spitalin e Gjilanit.