Qeverisë i është shtuar presioni për ta respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili Manastirit të Deçanit ia njeh pronësinë për 24 hektarë tokë. Përmes një letre, Gjykata ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit të ndërmarrë veprime për moszbatimin e vendimit. Qëndrimin e Gjykatës e kanë mirëpritur shtetet e QUINT-it dhe BE-ja, por për të ka heshtur Qeveria
Gjykata Kushtetuese ka kërkuar veprime nga Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, për moszbatimin vendimit të saj për pronën e Manastirit të Deçanit. Kushtetuesja pati vendosur t’ia njohë të drejtën e pronësisë këtij manastiri për 24 hektarë tokë. Por, as pas pesë vjetësh vendimi akoma nuk është zbatuar.
Këtë kërkesë, kryetarja e Kushtetueses, Gresa Caka-Nimani, e ka bërë të premten përmes një letre drejtuar Lumezit.
“Gjykata Kushtetuese nuk ka kompetencë për vlerësimin e përgjegjësisë për moszbatimin e aktgjykimeve të lartcekura nga autoritetet përgjegjëse. I takon Prokurorisë së Shtetit që të ndërmarrë veprimet e mëtejme sipas autorizimeve ligjore, bazuar në Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës”, thuhet në letër.
Veprimin e Gjykatës e kanë mirëpritur shefat e Misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara. “Është shqetësuese se Gjykata Kushtetuese e Kosovës detyrohet t’ua përkujtojë institucioneve ekzekutive të garantojnë dhe të zbatojnë sundimin e ligjit në këto raste më se të vonuara”, thuhet në deklaratën e këtyre vendeve. Mbështetja e Kosovës për sundim të ligjit dhe gjyqësor të pavarur, sipas QUINT-it, bazohet në zbatimin e plotë dhe të barabartë të të gjitha vendimeve të Gjykatës, pavarësisht mospajtimeve politike.
Këto shtete vazhdimisht i kanë bërë thirrje Qeverisë që pa vonesa të tjera ta zbatojë vendimin e Gjykatës.
Kërkesë të njëjtë sikur QUINT-i ka bërë edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog. “Dështimi në ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese shkel si Kushtetutën ashtu edhe parimet themelore të sundimit të ligjit”, ka thënë Szunyog.
Pas publikimit të deklaratës së QUINT-it, kryeministri Albin Kurti ka marrë pjesë në takimin e Komisionit Shtetëror për Dokumentimin e Shkatërrimit të Trashëgimisë Kulturore gjatë luftës. Mirëpo, gazetarëve nuk u është mundësuar të bëjnë pyetje, rrjedhimisht as për të marrë një qëndrim për këtë çështje.
Hapësira te Manastiri i Deçanit prej vitesh vazhdon të jetë çështje mospajtimesh mes përfaqësuesve të manastirit dhe Komunës së Deçanit për shkak të vendimit të Kushtetueses.
Në vitin 2008, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Zona të Veçanta të Mbrojtura, i cili duhet të sigurojë mbrojtjen e manastireve ortodokse serbe, kishave, vendeve të tjera fetare, si dhe vendeve historike dhe kulturore të një rëndësie të veçantë për komunitetin serb si dhe për komunitetet tjera në Republikën e Kosovës.
Manastiri i Deçanit është njëra nga zonat e mbrojtura, sipas këtij ligji. Sipas ligjit, në këto zona janë të ndaluara aktivitetet të ndryshme, si: ndërtimet apo zhvillimet industriale, të tilla si eksplorimi dhe shfrytëzimi i burimeve minerale dhe ndërtimi i digave, centraleve elektrike apo linjave të tensionit, furrave dhe fabrikave dhe rrugëve transite në zonat rurale; dhe ndërtimet apo zhvillimet që çojnë në shpyllëzimin apo ndotjen e mjedisit.