Arbëri

Shtohet numri i viktimave në gjykimin ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së

Trupi gjykues në rastin më të madh të Speciales ka vendosur ta shtojë numrin e viktimave pjesëmarrëse, që do të dëshmojnë gjatë gjykimit. Në rastin ku ish-udhëheqësit e UÇK-së po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, trupi gjykues i kryesuar nga Charles Smith ka vendosur t’i japë qasje të gjitha palëve në aktgjykimin e plotë – pa redaktime për Salih Mustafën

Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë ka vendosur ta rrisë numrin e viktimave që do të dëshmojnë para gjykatës në rastin e ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Këtë vendim e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës Speciale, Michael Doyle, në konferencën e përjavshme. 

“Në vendimin e janarit, gjykatësit dolën në përfundimin se për tetë prej parashtruesve nuk kishte qenë praktikisht e mundur t’i dorëzonin kërkesat para afatit dhe se ishte në interes të drejtësisë të shqyrtoheshin. Trupi Gjykues u bind se nëntë parashtruesit ishin viktima të krimeve që pretendohet se u kryen në vendet e përmendura në aktakuzë gjatë periudhës kohore përkatëse”, ka thënë Doyle.

Ai ka treguar po ashtu se trupi gjykues i kryesuar prej Charles Smith ka vendosur që t’iu japë qasje të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre në aktgjykimin e plotë e të paredaktuar për Salih Mustafën. 

Këtë vendim, siç tha Doyle, gjykata e mori, meqë konsideroi se rasti më i madh i Speciales dhe rasti i Mustafës kanë lidhshmëri. 

“Më 1 maj, trupi gjykues miratoi kërkesën e Prokurorisë që të gjitha palët në çështjen Thaçi dhe të tjerët të kenë qasje në versionet konfidenciale të aktgjykimit dhe atij të Apelit në çështjen gjyqësore Salih Mustafa. Duke marrë parasysh se këto dy çështje përkojnë në masë të konsiderueshme, trupi gjykues konstatoi se ekziston qëllim juridik legjitim për të kërkuar qasje në këto aktgjykime”, ka thënë ai. “Bazuar në kërkesën e Prokurorisë dhe pas konsultimit me trupin gjykues dhe Panelin e Apelit në çështjen gjyqësore Mustafa, trupi gjykues konstatoi gjithashtu se miratimi i kërkesës nuk do të cenojë masat mbrojtëse në fuqi, si dhe nuk do të përbëjë rrezik për viktimat dhe dëshmitarët”.

Në nëntor të vitit 2022 shkalla e parë e Speciales e shpalli fajtor Mustafën për krime lufte në kompleksin e ndalimit Zllash duke e dënuar me 26 vjet burgim. 

Ndërsa Apeli i Speciales ia uli atij dënimin në 22 vjet burgim, meqë konstatoi se është i lartë, porse konstatoi se ai është fajtor për krime lufte, përfshirë një vrasje të paligjshme, torturë dhe ndalim arbitrar.