Arbëri

Shtohen fluturimet Zvicër-Kosovë pas heqjes së karantinës

Shumë shtetas zviceranë ia kanë mësyrë Kosovës për pushime këtë të diel.

Krejt kjo ka ardhur pas vendimit të Zvicrës që Kosovën ta largojë nga lista e zezë e rrezikut nga koronavirusi dhe pas heqjes së karantinimit për qytetarët që kthehen në shtetin zviceran.

Ata thonë se ndonëse kanë shpresuar që do të hiqen këto masa, numri i madh i rasteve pozitive me koronavirus në Kosovë ka bërë që ata të mos e besojnë shumë lirimin e këtyre masave, raporton KOHA.

E disa prej tyre thonë se kanë pritur deri tash që të mund t’i vizitojnë familjet e tyre në Kosovë.

Ndërsa ka pasur edhe të atillë që kanë planifikuar pushimet t’i kalojnë diku tjetër, por me heqjen e kësaj mase nga Zvicra ata kanë vendosur që të vijnë në Kosovë.

Ndonëse zyrtarë të ANP-së nuk kanë kthyer përgjigje rreth numrit të udhëtarëve që ka pasur nga ky shtet , ne ueb-faqen e Aeroportit bëhet e ditur që rreth 7 fluturime janë realizuar nga Zvicra për në Kosovë vetëm gjatë kësaj të diele.

Për shkak të numrit të madh të rasteve pozitive me Covid-19, Zvicra e kishte futur Kosovën në listë për karantinimin nga data 6 korrik.