Arbëri

Shtohen eksportet kosovare në tregun evropian

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, gjatë ditës së sotme ka vizituar fabrikën që prodhon ambalazhe fleksibile plastike "KIVO", prej nga ka thënë se institucionet e vendit do të jenë pranë bizneseve kosovare.

Për kompaninë "KIVO" që operon në qytetin e Kaçanikut, presidenti ka thënë se është dëshmia më e mirë se çdo ditë e më shumë produktet vendore po eksportohen në tregun evropian.

"Kjo fabrikë është dëshmia më e mirë se produktet Made in Kosova çdo ditë e më shumë po eksportohen në tregun evropian. Unë kam besim se modeli i tillë çfarë e kemi këtu është modeli më i mirë i mundshëm për biznesin privat, për bashkëpunimin vendor me atë ndërkombëtar, për klimën e mirë të biznesit në Republikën e Kosovës, për fuqinë punëtore, atraktivitetin në të investuar në Kosovë. Por, edhe dëshmia se pavarësisht prej vështirësive që i kemi si shtet prodhimet Made in Kosova sot janë kudo, janë në Holandë, në Gjermani dhe në shtetet më të rëndësishme evropiane", tha ai.

Ndërsa kryetari i komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, tha se kjo fabrikë është shembull për të tjerët.

"Kjo është një kompani, siç kam thënë edhe më herët, një shembull model për të tjerët që edhe vendi jonë, jo vetëm Kosova po edhe Kaçaniku që po ofron dhe ka mundësi për t’u ofruar investitorëve të huaj", tha kreu i Kaçanikut.

Pronari i fabrikës "KIVO", Visar Ramajli, ka njoftuar kreun e shtetit për kushtet në të cilat operojnë.

"Me presidentin biseduam edhe në lidhje me kushtet në të cilat prodhuesit operojnë në Kosovë, si dhe për krijimin e kushteve ndoshta edhe më të mira për investitorët e huaj. Mora përkrahjen e plotë nga presidenti që zhvillimi ekonomik i këtij vendi, gjithashtu edhe prodhimi në vend të jetë prioritet primar", tha ai.

Ramajli bëri të ditur se në kompaninë që ai e drejton ka të punësuar mbi 110 punëtorë dhe eksporton edhe në vendet e tjera të botës.