Arbëri

“Pazari” me spitalet private – 70 milionë euro të paguara e afro 30 milionë borxhe

Fondi i Sigurimit Shendetesor

Institucionet shëndetësore jo vetëm që kanë dështuar të menaxhojnë procesin e trajtimit të pacientëve jashtë institucioneve publike, por në deklarimet publike ato janë shfaqur konfuze edhe në pasqyrat financiare, sidomos për borxhet ndaj subjekteve private. Në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore kanë thënë se spitaleve private u kanë borxh 1.6 milionë euro, Qeveria ka ofruar të dhënën prej afro rreth 10 milionë eurove, ndërsa Bordi Ekzekutiv në fund të vitit të kaluar ka përmendur shifrën prej 28 milionë eurove. Nga viti 2013 deri në vitin 2020 shteti i Kosovës për spitalet private ka paguar 70 milionë euro, ndërsa u detyrohet atyre edhe afro 30 milionë të tjera

Afro 70 milionë euro u janë paguar spitaleve private brenda e jashtë shtetit në Programin e trajtimit të pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore, gjatë shtatë vjetëve të fundit. Kjo shumë megjithatë nuk përmbyll shumën që Fondi për Sigurime Shëndetësore u detyrohet spitaleve private. Hulumtimi i KOHËS ka nxjerrë në pah të dhënën sipas së cilës borxhi ndaj tyre, gjatë katër vjetëve, ka arritur në afro 30 milionë euro.

Rritja e madhe e borxhit ka nisur në vitin 2017, kur kishte mbërritur në 3 milionë euro. Po ky vit kishte shënuar rekord aplikimesh – afro 1.700 qytetarëve u ishte aprovuar kërkesa për trajtim jashtë vendit. Buxheti i shpenzuar për këtë vit ishte mbi 12 milionë euro.

Një vit më vonë numri i aplikimeve të aprovuara është ulur për afro 300 e po ashtu edhe pagesat ishin ulur në gjithsej 9 milionë euro. Por, jo edhe borxhi. Përkundrazi, ai tash kishte mbërritur në 7 milionë euro. Rastet e përafërta të aprovuara, përkatësisht diku 1.300 sosh dhe pagesat prej 9 milionë eurove janë raportuar edhe në vitin 2019. E po ashtu edhe trendi i rritjes së borxhit ka shënuar rritje duke mbërritur në mbi 11 milionë euro.

Miliona të shpenzuar edhe në vitin e pandemisë

Viti 2020, edhe pse ishte vit i pandemisë dhe për disa muaj qytetarët e Kosovës nuk mund të udhëtonin jashtë vendit, megjithatë për Programin jashtë institucioneve publike u shpenzuan gati 9 milionë euro. Fondi i Sigurimit Shëndetësor deklaronte borxhet që silleshin rreth 11 milionë euro, por, sipas dokumenteve që ka shqyrtuar KOHA, ky nuk është borxhi real, i tillë çfarë ishte deklaruar në Ministrinë e Financave. Në fundin e vitit 2021, Bordi Ekzekutiv i Programit për trajtim jashtë vendit pretendonte që borxhi është shumë më i madh. Bordi kishte bërë një raport për këtë çështje.

“Bazuar në të dhënat e lartshënuara dhe raportet- tabelat (fletëzotimet pa fatura, si dhe të rregullta për vitet 2019,2020,2021) ju njoftojmë se vlera e përllogaritur e masës monetare të nevojshme për të mbuluar lëndët në pritje për shqyrtim nga Bordi kap shumën prej 28, 111, 903, pa përfshirë 6 lëndë të cilat nuk janë prezantuar në tabelat-raportin e përgatitur nga sekretaria teknike e bordit”, thuhet në këtë dokument, të cilin e posedon KOHA.

E, edhe bordi para tij kishte gjetur të dhëna të përafërta. Ky bord ishte zgjedhur në kohën e ish-ministrit Armend Zemaj në Qeverinë Hoti, por ishte shkarkuar nga ish-ministri Arben Vitia, për t’i zëvendësuar me bordin aktual. Të dy bordet kishin të dhëna të përafërta dhe konfirmonin trend të rritjes së borxhit.

“Nga raporti i datës 25.9.2020 në bazë të statistikave aplikimet për vitet e fundit janë : Shiko tabelën në sliden vijues... Gjithashtu janë deklaruar, që në pritje për shqyrtim nga BTMJISHP janë 292 raste urgjente (2019 – 65 raste, 2020 – 227 raste), por me fletëzotime të lëshuara nga drejtori i Fondit të Sigurimit Shëndetësor, në vlerë financiare rreth 10 milionë e 504 mijë e 824 euro”, thuhet në dokumentin e bordit paraprak.

Vetëm për dy vjet e gjysmë, sipas raportit, ishte grumbulluar borxhi prej afro 10 milionë eurosh të deklaruara në Thesar në Ministrinë e Financave.

“Obligimet e FSSh për programin e TMJISHP, të cilat janë deklaruar në Ministrinë e Financave për periudhën deri në muajin gusht 2020, që janë të shqyrtuara, të përfunduara dhe në pritje për pagesë janë 9 milionë e 375 mijë euro”, thuhet në raport.

Ky bord është ankuar në Fondin e Sigurimit Shëndetësor dhe e kanë akuzuar që nuk po ua ofron dokumentet e nevojshme.

“Për çdo raportim të Bordit Ekzekutiv të TMJISHP-së kemi kërkuar nga Departamenti i Shërbimeve Shëndetësore në FSSh që të sigurojë statistika, kosto financiare të përafërt të fletëzotimeve (kur vetëm në një rast kemi marrë përgjigje dhe herëve të tjera kanë hezituar të ofrojnë informacion), për referimet e rasteve, në bazë të klinikave, si dhe të na njoftojë për gjendjen aktuale të Programit për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike”, thuhet në dokument.

Siç edhe është dëshmuar në hulumtimin e KOHËS, Bordi vë theksin te mungesa e mekanizmave tek Fondi i Sigurimit Shëndetësor për kontrollimin e këtij programi.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi i Sigurimit Shëndetësor asnjëherë nuk kanë mbledhur të gjithë aktorët e këtij programi për të diskutuar për problemet dhe sfidat në zbatimin e këtij programi... MSh dhe FSSH nuk kanë mekanizma të monitorimit të përhershëm të fazave të shërimit për secilin pacient, por duhet t’iu besohet dokumenteve të lëshuara nga këto institucione private”, thuhet në këtë raport, i cili është përcjellë në Ministrinë e Shëndetësisë.

Në një përgjigje për këtë çështje Fondi i Sigurimit Shëndetësor ia ka lënë fajin pikërisht Bordit Ekzekutiv.

“Sipas UA nr.03/2017, është në detyrën e Bordit Ekzekutiv për TMJISHP përcaktimi i lartësisë së mbulimit të shpenzimeve për trajtim mjekësor. Ky edhe është mekanizmi aktual i kontrollit. Procesi është si në vijim: Të rastet jourgjente mbështetja financiare për pacientin bëhet mbi bazën e profaturës. Bordi Ekzekutiv për TMJISHP nxjerr vendim mbi lartësinë e mbulimit duke marrë për bazë vlerën e profaturës më të lirë nga dy profaturat që kërkohen sipas UA nr. 03/2017, ose sipas vlerës së çmimit referent të përcaktuar në shtojcën e UA nr.03/2017”, kanë thënë ata në një përgjigje.

FSSH-ja ka sqaruar procedurën për rastet urgjente.

“Të rastet urgjente Fondi lëshon fletëzotim para fillimit të trajtimit, bazuar në mendimin e Komisionit Konziliar të Klinikës së QKUK-së, për të mundësuar sa më shpejt fillimin e trajtimit. Bordi Ekzekutiv i TMJISHP-së nxjerr vendim mbi bazën e faturës së sjellë nga institucioni shëndetësor ose pacienti pas përfundimit të trajtimit mjekësor”, thuhet në përgjigjet e zyrës së drejtorit të Fondit të Sigurimit Shëndetësor.

Megjithatë ish-anëtarët e Bordit për Trajtim të Pacientëve Jashtë Institucioneve Publike kanë nxjerrë si konkludim se pagesat për pacientët bazohen në “moralin” e spitaleve.

“Aprovimi i profaturave dhe faturave të institucioneve shëndetësore respektive bëhet duke besuar në etikën dhe moralin e këtyre institucioneve private”, thuhet në këtë raport.

Por Fondi ia ka lënë sërish përgjegjësinë këtij bordi. Në përgjigjen e Fondit, ndër të tjera thuhet se në shëndetësi ka shpërpushje në mes të asaj që mendohet në fillim dhe përfundimit të trajtimit shëndetësor.

“Dallimi në mes të diagnozës së punës (diagnoza me të cilën referohet pacienti) dhe diagnozës përfundimtare mund të ketë ndryshime që ndikojnë në koston financiare të shërbimeve shëndetësore. Përgjegjës për shqyrtimin e lëndëve dhe aprovimin e vlerës përfundimtare të trajtimit sipas UA nr.03/2017 është Bordi Ekzekutiv i TMJISHP-së”, thuhet në përgjigjën e Fondit të Sigurimit Shëndetësor.

Fondi është pyetur edhe për borxhin. Ai kanë dhënë një shifër krejt tjetër. Ka thënë se borxhi i tyre nuk është as 2 milionë euro.

“Bazuar në vendimet e nxjerra nga Bordi për TMJIShP, aktualisht borxhi është në vlerë prej rreth 1.6 milion euro”, thuhet në këtë përgjigje.

Tri ditë pas kësaj përgjigjeje është pyetur Qeveria Kurti. Përfaqësuesit e saj për media kanë dhënë një shifër prej katërfish më të lartë se Fondi.

“Borxhi aktual i verifikuar është 9.8 milionë euro”, ka thënë Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës.

Deri në vitin 2015, limiti i borxhit 100 mijë euro

Institucionet shëndetësore jo vetëm që kanë dështuar të menaxhojnë procesin e trajtimit jashtë institucioneve publike, por ato në bazë të komunikimeve mes tyre dhe deklaratave publike kanë dëshmuar se janë konfuze edhe në pasqyrat financiare, sidomos në lartësinë e borxhit që u detyrohen subjekteve private prej të cilave kanë kërkuar shërbime për pacientët me sëmundje të rënda.

Në dokumentet e siguruara nga KOHA Bordi jep indikacione se borxhi prej 28 milionë eurove është vetëm kufiri minimal i borxhit. Kjo për shkak se bordi aktual thotë së pagesat do t’i bëjë sipas limitit maksimal që ua lejon ligji. Megjithatë spitalet në Turqi ku janë trajtuar shumica e pacientëve nga Kosova, sipas dokumenteve që ka në dispozicion KOHA, kanë faturuar vlera shumë më të larta. Profaturat që kanë qenë të përllogaritura në 150 mijë euro ato i kanë “përkthyer” në fatura me vlera 230 mijë euro, e ka të tilla që mbërrijnë në 300 mijë euro.

Shumica e këtyre borxheve janë nga raste emergjente për të cilat bëhet fletëzotimi pa përcaktuar shifrën, por për pagesë presin faturat pas trajtimit. E, këto fatura hulumtimi i KOHËS ka dëshmuar që vijnë shumë më të larta sesa planifikon Fondi.

Deri në vitin 2015 borxhet për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore ishin të vogla. Ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, Ferid Agani, ka thënë se ligji nuk ua mundësonte që të hynin në borxhe.

“Në asnjë moment nuk e kemi kaluar vlerën financiare 50 mijë deri 100 mijë euro nga 3-mujori në 3-mujor, sepse ishim penguar në ofrimin e shërbimeve... Por desha të specifikoj këtë situatë specifike për shërbime emergjente që unë e kam nënshkruar, sepse ka qenë obligim i ministrit atëherë me i nënshkrua, këtu kam qenë shumë i vëmendshëm që të nënshkruhen vetëm ato propozime të komisioneve konsiliare që i kam vlerësuar personalisht”, ka deklaruar ai.

(Në vazhdim të hulumtimit të KOHËS mund të lexoni: Se si është shkelur Udhëzimi Administrativ për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike. Sa është respektuar çmimorja e aneksit të Udhëzimit Administrativ gjatë caktimit të pagesave dhe pse u shtua numri i referimeve nga QKUK-ja?)