Arbëri

Shteti në arbitrazh

Disa kompani private i janë drejtuar arbitrazhit ndërkombëtar me pretendimin se shteti i Kosovës u ka borxh nga viti 2020 e deri më tani gjithsej 269 milionë e 847 mijë euro. Tabelat e Ministria e Drejtësisë tregojnë se gjysma e rasteve në të cilat shteti është paditur në arbitrazh për këtë periudhë janë përmbyllur e gjysma tjetër janë në proces. 

Për dy raste janë dorëzuar njoftimet për padi, derisa tri raste të tjera janë në proces fillestar. Për këto raste vlera e pretenduar është 123.7 milionë euro. 

Dy rastet e arbitrazhit ndërkombëtar, që janë përmbyllur me humbjen e shtetit, janë ai i “Mabcos” së Behgjet Pacollit, së cilës u detyrua t’ia paguante 6.7 milionë euro dhe kompanisë amerikane “Countur Global” 20 milionë euro.  

Ndërsa shteti ka fituar rastet ku shuma e kërkuar nga palët arrinte në 120 milionë euro e ku paditës ishin “Z-Mobile”, “Iute-Credit” dhe kompania “Victory”, në periudhën 2020 - mars 2025.

Në Ministrinë e Drejtësisë thonë se përballja e Avokaturës Shtetërore me arbitrazhet ndërkombëtare është e vështirë. 

“Për shkak të afateve dhe kompleksitetit përballja me këto raste është shumë e vështirë, Avokatura angazhon kompani të huaja dhe varësisht nga rëndësia e lëndës përzgjidhet edhe kompania ligjore që do ta përfaqësojë RKS në arbitrazh”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Sipas të dhënave që Ministria ia ka ofruar KOHËS, rastet në proces fillestar janë paditë e vitit 2024 të kompanisë austriake “Kelag”, që po i pretendon 21 milionë euro që lidhen me mosdhënien e lejes për ndërtimin e hidrocentralit “Lumëbardhi II” dhe rasti i kompanisë nga Shqipëria “Pevlaku”, e cila po i kërkon nga shteti 20 milionë euro, që lidhet me shkëputjen e kontratës për ndërtimin e rrugës Prishtinë - Vushtrri. 

Sipas këtij dokumenti, KEDS-i vitin e kaluar e ka dorëzuar njoftim për arbitrazh ku ka shprehur pretendimin për 40 milionë euro. 

Njoftim të ngjashëm, sipas Ministrisë, i është dorëzuar edhe nga kompania ndërtimore italiane “INC”, e cila i pretendon 7.7 milionë euro, dëm i pretenduar për ndërprerjen e kontratës për ndërtimin e një rruge afër Ferizajt.

E sivjet shteti e ka pranuar padinë nga “Suhareka Veraria” dhe “Prorena”, të cilat kanë pretendime prej 35 milionë eurove lidhur me një çështje privatizimi. 

Avokati Bejtush Isufi jep disa arsye pse shteti ka përfunduar me humbje në arbitrazh.

“Ka plot raste ku mund ta shihni definitivisht dështime të zyrtarëve, mosseriozitetit, praktikisht i është shkaktuar dëm operatorit ekonomik ose pa arsye fare thuaja, shteti ka hyrë në përgjegjësi duke mos pasur asnjë arsye të madhe, të nevojshme ose objektive për përgjegjësi të tilla ose për ngecje, shkelje e zbrazëtira të tilla”, ka thënë ai. 

Lidhur me vendimet që nuk janë në favor të Kosovës, profesori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, thotë se duhet të studiohen se si erdhi te humbja. 

“Ka sigurisht arsye dhe shpjegime të mjaftueshme ligjore të tribunaleve të arbitrazhit, të cilat duhen studiuar me kujdes nga autoritetet përkatëse sa u përket fakteve (pra veprimeve apo mosveprimeve institucionale) ashtu dhe përmbajtjes materiale të ligjit; kjo, përveç tjerash, në funksion të konsolidimit të mëtejmë te mekanizmave të mbrojtjes dhe përfaqësimit”, ka thënë Qerimi.

Në arbitrazhin vendor, sipas Ministrisë, janë tri raste: dy me vlerë totale prej 4.8 milionë eurosh të kompanive “Premium e Standard Plus” dhe një tjetër rast po nga kompania “Standard Plus” me shumë të pacaktuar.