Arbëri

Shteti i negociatave

Pesëmbëdhjetë vjetët e shtetësisë së Kosovës lidhen me dialogun e gjatë dhe jotransparent me Serbinë. Të drejtat që i ofron Pakoja e Ahtisaarit, mbi bazën e së cilës Kosova e shpalli Pavarësinë, u trajtuan si të pamjaftueshme për komunitetin serb. Më 2013 dhe më 2015 u nënshkruan marrëveshje me Serbinë për ta krijuar një asociacion të komunave, themelimi i të cilit bartet si problemi kryesor i vitit të 16-të të Kosovës

15 vjet pas shpalljes së Pavarësisë, Kosovës i kërkohet të shkojë përtej Pakos së Ahtisaarit.

Shteti i ri, Kushtetuta e të cilit e ka për bazë këtë pako, e mori vulën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) më 2010, kur ia konfirmoi ligjshmërinë e shpalljes së Pavarësisë. Megjithëkëtë, Kosova hyri sërish në një proces të vështirë negociatash me Serbinë, të cilat prodhuan disa marrëveshje, zbatimi i të cilave i ka mbetur në dorë partisë që sot është në pushtet dhe ku ka arritur duke e kundërshtuar këtë proces.

Pas shpalljes së Pavarësisë më 17 shkurt 2008, Serbia u angazhua për ta penguar konsolidimin e brendshëm dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. E tillë ishte edhe kërkesa për ta kontestuar shpalljen e Pavarësisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Por, GJND-ja e tha të kundërtën, ndërsa Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), nëpërmjet një rezolute, i hapi rrugë fillimit të dialogut Kosovë-Serbi, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian (BE).

Më 10 mars të vitit 2011, Kuvendi i Kosovës e miratoi rezolutën nëpërmjet së cilës e mbështeste dialogun për çështjet teknike. Disa javë më vonë u zhvillua takimi i parë midis palëve, ku Kosova përfaqësohej nga zëvendëskryeministrja e njëherësh ministrja për dialog, Edita Tahiri, ndërsa delegacioni serb udhëhiqej nga koordinatori Borko Stefanoviq.

Deri në fund të vitit 2012, në atë që njihet si faza e parë, u nënshkruan shtatë marrëveshje – ajo për lëvizjen e lirë; marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit (IBM); për regjistrat kadastralë e civilë; marrëveshja për përfaqësimin rajonal; për njohjen e diplomave dhe marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të vulave doganore.

Image
Shteti i Kosovës e mori vulën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) më 2010, kur ia konfirmoi ligjshmërinë e shpalljes së Pavarësisë

Nga dialogu teknik në atë politik

Meqenëse shumica e marrëveshjeve e tejkalonin formatin e negociatave, nga dialogu teknik u kalua në atë politik.

Më 18 tetor të vitit 2012, Kuvendi e miratoi një rezolutë të re, me të cilën e autorizoi Qeverinë që ta udhëhiqte procesin. Me anë të takimit të 19 tetorit të 2012-s, midis Hashim Thaçit si kryeministër i Kosovës dhe homologut të tij serb, Ivica Daçiq, nisi dialogu politik për normalizim të marrëdhënieve, nën ndërmjetësimin e përfaqësueses së lartë të BE-së, Catherine Ashton.

Pas 10 rundesh takime, më 19 prill të 2013-s Ashtoni njoftoi se dy kryeministrat u dakorduan mbi tekstin e marrëveshjes së parë rreth parimeve të përgjithshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e njohur si Marrëveshja e Brukselit.

Marrëveshja 15-pikëshe në pjesën më të madhe të saj e adresonte integrimin e serbëve në komunat veriore, nëpërmjet themelimit të një asociacioni, i cili ka kompetenca të plota në zhvillimin ekonomik, në arsim, shëndetësi, si dhe në planifikim urban dhe rural. Krahas kësaj, marrëveshja e parashihte integrimin e pjesëtarëve të strukturave serbe të sigurisë në institucionet e Kosovës.

E parashihte po ashtu mbajtjen për herë të parë pas shpalljes së Pavarësisë të zgjedhjeve lokale në komunat e veriut, diskutimet për energjinë dhe telekomin, si dhe mospengimin e njëra-tjetrës drejt rrugës për në BE.

Marrëveshja ngjalli kundërshtime të mëdha në Kosovë, me pretendimin se e defunksionalizonte shtetin.

Pasi nuk arriti ta ndalte ratifikimin e marrëveshjes në Kuvend, Lëvizja Vetëvendosje në korrikun e 2013-s e dërgoi atë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. Ajo e refuzoi interpretimin me arsyetimin se “bie jashtë fushëveprimit të juridiksionit të Gjykatës”.

Vitet 2013 dhe 2014 e larguan dialogun nga epiqendra, për shkak të zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë e Serbi. Por, edhe për shkak të largimit të sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, e zgjedhjeve në BE, pas të cilave Federica Mogherini e zëvendësoi baroneshën Ashton.

Image
Më 10 mars të vitit 2011, Kuvendi i Kosovës e miratoi rezolutën nëpërmjet së cilës e mbështeste dialogun për çështjet teknike. Disa javë më vonë u zhvillua takimi i parë midis palëve, ku Kosova përfaqësohej nga zëvendëskryeministrja e njëherësh ministrja për dialog, Edita Tahiri, ndërsa delegacioni serb udhëhiqej nga koordinatori Borko Stefanoviq

Protesta e gaz lotsjellës në kundërshtim të marrëveshjeve

Me formimin e Qeverisë së re të udhëhequr nga Partia Demokratike (PDK) dhe Lidhja Demokratike (LDK), pas gjashtë muajsh ngërçi institucional, dialogut iu dha një shtytje e re.

Më 25 gusht të vitit 2015, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Isa Mustafa, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nënshkruan paketën e re të marrëveshjeve të Brukselit. Theksi u vu te Marrëveshja për themelimin e asociacionit, megjithëse pakoja përfshinte edhe Marrëveshjen për energjinë, telekomunikacionin dhe lirinë e lëvizjes. Derisa Mogherini e quajti ujdinë sukses të madh, Kosova e Serbia dhanë interpretime të ndryshme për Asociacionin. Qeveritarët e Kosovës thanë se Asociacioni do të kishte kompetenca të një Organizate Joqeveritare (OJQ), ndërsa pala serbe pretendonte se ky mekanizëm ka kompetenca ekzekutive. Por entuziazmi se marrëveshja do të sillte shpërbërjen e strukturave paralele dhe do ta largonte ndikimin e Serbisë në veri, u shua për shkak të mosimplementimit e rikthimit të tensioneve.

Marrëveshja u kundërshtua nga opozita, si brenda, ashtu edhe jashtë Kuvendit. Kjo e gjeneroi polarizimin më të madh të skenës politike, që prej shpalljes së Pavarësisë, me ç’rast opozita përdori gaz lotsjellës në Kuvend dhe i organizoi protestat më të mëdha që nga paslufta.

Në funksion të tejkalimit të krizës politike, presidentja e atëhershme, Atifete Jahjaga, më 30 tetor të 2015-s iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për interpretimin e parimeve të Asociacionit.

Në aktgjykimin e datës 23 dhjetor 2015, Kushtetuesja konstatoi se parimet e elaboruara në dokumentin e Brukselit nuk janë tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës. Kësisoj, rekomandoi që përmirësimet e nevojshme të bëhen me rastin e draftimit të statutit.

Për shkak të përplasjeve në Kosovë, Mogherini ftonte palët në takime sa për t’u pajtuar rreth planeve për zbatimin e marrëveshjeve të prillit, por të cilat shkeleshin në vazhdimësi.

Dialogu pësoi goditje tjetër pas fushatës agresive e diplomacisë serbe kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, si UNESCO dhe INTERPOL. Situata përshkallëzoi pas kërcënimit të Serbisë më 2017 për ta nisur në drejtim të Kosovës trenin ilegal me mbishkrimin: “Kosova është Serbi”.

E në mars të vitit 2017, Kuvendi e miratoi një rezolutë në të cilën e kërkonte pezullimin e procesit të dialogut deri në lirimin e Ramush Haradinajt, që ishte arrestuar në Francë, në bazë të një fletarrestimi ndërkombëtar të Serbisë.

Dorëzimi i dialogut te Thaçi që i vuri në diskutim edhe kufijtë

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat u mbajtën pak javë pas miratimit të kësaj rezolute, Haradinaj do të zgjidhej kryeministër.

Ai ndryshoi qasjen ndaj dialogut, duke refuzuar që të merret vetë me të dhe duke ia lënë në dorë presidentit Thaçi. Të njëjtën kohë krijoi edhe një të ashtuquajtur delegacion shtetëror për dialogun, në bashkudhëheqje të Shpend Ahmetit e Fatmir Limajt. Por, pas kërkesës së opozitës, Gjykata Kushtetuese e rrëzoi këtë trup jashtëinstitucional, duke konfirmuar se levat e dialogut i takojnë kryeministrit.

Me vendim të Qeverisë, më 12 janar të 2018-s, Haradinaj e emëroi shefin e stafit të tij, Avni Arifi, si shef të negociatave me Serbinë. Por, në njërën prej mbledhjeve të Qeverisë, ai argumentoi se dialogu politik përfaqësohet nga presidenti Thaçi, ndërsa shefi i negociatave do të merrej me çështjet teknike.

Duka ia lënë kompetencat, Thaçi vendosi që dialogun ta shpinte në një nivel tjetër.

13 vjet pas leximit të Deklaratës së Pavarësisë, ai e lansoi idenë e korrigjimit të kufijve, pas së cilës premtonte se do të ndodhte njohja e ndërsjellë. Madje në disa raste, Thaçi nuk pati nevojë as për ndërmjetësues, ku në konferenca ndërkombëtare, sikurse ajo në Alpbach të Austrisë më 26 gusht 2018, bashkë me Vuçiqin folën haptas për rivizatimin e kufijve.

“Ne jemi të vendosur të elaborojmë çdo opsion, duke përfshirë edhe korrigjimin e kufijve, në mënyrë që të arrijmë një marrëveshje”, pati deklaruar Thaçi. “Vendet e rajonit dhe BE-ja nuk duhet të jenë kundër ose të kenë frikë nga marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, nëse kjo do të thoshte edhe korrigjim të kufirit. Kjo nuk do të bëhet në linja etnike. Kosova do të jetë një shoqëri shumetnike”.

Përfaqësuesja e BE-së, Mogherini, e emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Mathew Palmer, nuk e ndalën mësymjen e Thaçit dhe Vuçiqit për korrigjim të kufirit. Ata thanë se e mbështesin çfarëdo marrëveshje për të cilën dakordohen palët.

Por, Thaçit iu kundërvu Haradinaj, duke e mbajtur taksën prej 100 për qind ndaj produkteve serbe si siguresë në dialog, pas të cilit vendim Serbia i refuzonte takimet në Bruksel. Pas presionit të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për heqjen e taksës, Haradinaj do të jepte dorëheqjen në vitin 2019.

Image
Më 25 gusht të vitit 2015, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Isa Mustafa, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nënshkruan paketën e re të marrëveshjeve të Brukselit

Dialogu me Vetëvendosjen

Pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 14 shkurtit të 2021-tës, për herë të parë në pushtet erdhi partia që kishte kundërshtuar në tërësi procesin e dialogut. Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me kryeministër Albin Kurtin hyri në koalicion me LDK-në. Kurti e zëvendësoi taksën me reciprocitet, masë e cila nuk e zhbllokoi dialogun. Serbia refuzonte takimet e SHBA-së, tek u aktivizua për t’i kërkuar Kurtit heqjen e pengesave.

Në kulmin e përplasjeve të brendshme, pjesë e tyre u bë edhe një zyrtar i lartë amerikan.

Richard Grenelli insistonte që sa më shpejt ta niste punën si emisar i ish-presidentit, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi.

Si pasojë e presionit, shpejt u shemb edhe koalicioni midis LVV-së dhe LDK-së. Paralajmërimi i SHBA-së se Kosova mund të përballet me pasoja të mëdha po qe se Qeveria nuk shkon në Shtëpinë e Bardhë për ujdinë me Serbinë, e prishi koalicionin LDK-LVV. Ndodhi kjo në kulmin e pandemisë COVID-19.

Nënshkrimi i marrëveshjes finale Kosovë-Serbi në “Kopshtin e trëndafilave” në Washington ishte misioni kryesor që i përshkruhej Qeverisë së kryeministrit Avdullah Hoti, e cila zuri fill në qershorin e 2021-tës, pa një bazë të fuqishme me numra dhe me legjitimitet të kontestuar.

Por tri ditë para takimit në Washington, më 27 qershor 2020, Specialja njoftoi se ndaj Thaçit e ish-drejtuesve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është deponuar një aktakuzë për krime lufte.

Me dorëheqjen e Thaçit, nga pritjet që Hoti t’i shkonte pas presidentit në Washington, u bë vetë udhëheqës i delegacionit. Ai nënshkroi marrëveshje, por jo në “Kopshtin e trëndafilave” dhe as për “njohje reciproke”.

Image
Hashim Thaçi nuk pati nevojë as për ndërmjetësues, kur në konferenca ndërkombëtare, sikurse ajo në Alpbach të Austrisë më 26 gusht 2018, bashkë me Aleksandar Vuçiqin folën haptas për rivizatimin e kufijve

Tre muaj pas, Gjykata Kushtetuese e shpalli të pavlefshëm votimin e Qeverisë Hoti. Në aktgjykimin e publikuar më 28 maj të vitit 2020, Kushtetuesja konstatoi se vendimi i presidentit Thaçi për t'ia propozuar Kuvendit të Kosovës kandidatin e ri për formimin e Qeverisë, Avdullah Hotin, është në kundërshtim me Kushtetutën, siç kishte pohuar LVV-ja në kërkesën e saj për shqyrtim nga ana e Gjykatës. Kjo pasi që vota e Ethem Arifit kishte qenë e pavlefshme, meqë ndaj tij kishte vendim të plotfuqishëm për një rast korrupsioni. Si rrjedhojë, mandatin prej deputeti e ka pasur të jashtëligjshëm.

Kjo rrethanë imponoi zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat u mbajtën më 6 tetor të vitit 2021 dhe në të cilat LVV-ja bashkë me Listën Guxo, të udhëhequr nga Vjosa Osmani, e thyen rekordin e LDK-së së Ibrahim Rugovës, duke fituar 51 për qind të votave. Me grupin prej 61 deputetësh, Kurti e krijoi i vetëm Qeverinë.

Ndërrim pushteti asokohe pati edhe në SHBA, ku fitoi kundërkandidati i Trumpit, Joe Biden, të cilin Kurti e mbështeti publikisht. Presidenti amerikan e rikonfirmoi mbështetjen për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, duke e përmendur njohjen reciproke me Serbinë.

Në linjë me këtë, Kurti shprehu gatishmërinë për të dialoguar me Vuçiqin, nën ndërmjetësimin e emisarit Miroslav Lajçak.

Mungesa e rivlerësimit të marrëveshjeve

Por dialogut nuk i parapriu zotimi prej opozitari për rivlerësim të marrëveshjeve të kaluara e për dialog me serbët e Kosovës para atij në Bruksel. Ndërkaq vendimet të cilat i mori Kurti, duke u mbështetur në marrëveshjet e kaluara, sikurse ajo për targat, i rikthyen tensionet në veri.

Image
Me gjithë insistimin e kryeministrit aktual, Albin Kurti, që dialogu me Serbinë të zhvillohet për marrëveshjen finale me njohjen në qendër, SHBA-ja dhe BE-ja i kërkojnë që të kthehet te trashëgimia që ia kanë lënë qeveritë paraprake, me theks te themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe

Situata përshkallëzoi me rrezikun e shpërthimit të një konflikti në veriun e populluar me shumicë serbe.

Për pasojë, fundvitin e 2022-tës u shemb edhe ajo që ishte konsideruar sukses nga dialogu i Brukselit.

Serbët masivisht i braktisën institucionet e Kosovës, në shenjë proteste ndaj arrestimit të një ish-zyrtari policor, mbi të cilin rëndon akuza për sulm terrorist ndaj institucioneve. Me ndryshimin e masës nga paraburgimi në arrest shtëpiak, u hoqën barrikadat e vendosura nga serbët lokalë në veri të Kosovës. Porse situata mbetet e brishtë.

Pavarësisht insistimit të Kurtit që dialogu të zhvillohet për marrëveshjen finale me njohjen në qendër, SHBA-ja dhe BE-ja po i kërkojnë atij që të kthehet te trashëgimia të cilën ia kanë lënë qeveritë paraprake, me theks te themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo, në kuadër të planit franko-gjerman, që u prezantua në vitin 2022, si rrugëdalje nga procesi i pafund i Brukselit.

Kushtet e Kurtit për Asociacionin

Më 2 shkurt të këtij viti, Kurti shpalosi gjashtë kushte për themelimin e këtij mekanizmi.

“Përveç Kushtetutës dhe Ligjit janë edhe pesë kushte të tjera. Monoetnik nuk bën. Reciprocitet midis Kosovës dhe Serbisë sa u përket të drejtave të pakicave. Shuarje e strukturave dhe dorëzim i armëve ilegale. Zbatimi, vetëm pas njohjes reciproke dhe në përputhje me OKB-në, ku Serbia duhet t’i ketë pranuar parimet dhe raportet ndërshtetërore me ne. Dhe e fundit, presidenti i Serbisë t’i tërheqë ato pesë letra që i ka dërguar në Spanjë, Sllovaki, Rumani, Greqi edhe në Qipro”, ka deklaruar Kurti në seancën e Kuvendit.

Opozita e konsideron këtë si zmbrapsje nga kundërshtimi për Asociacionin.

“Asociacioni po bëhet. Po bëhet. Ky është thelbi i diskutimit të tij... A je i vetëdijshëm çfarë po flet, si me i pasur dy pole të mendimeve. A je mirë”, ishte reagimi i kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Para pak çastesh, përfaqësuesi i mazhorancës, në fillim të seancës, na pyeti neve se a jeni për ‘Zajednicën’ a jo. Kësaj pyetjeje iu përgjigj kryeministri, që tashmë e ka marrë drejtimin e themelimit të këtij institucioni”, pati thënë në atë seancë Abelard Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së.

Nga partitë opozitare, deri më tash vetëm Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka shpalosur qëndrimin mbështetës për planin franko-gjerman, si dhe të kërkesës së SHBA-së për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Edhe Kurti e ka pranuar planin e ri evropian të mbështetur edhe nga SHBA-ja, si bazë të mirë për vazhdim të dialogut me Serbinë. Përderisa flitet mbi parimet e dokumentit, një version final dhe zyrtar nuk është bërë publik, duke ia dhënë edhe këtij procesi hijen e mostransparencës që ka karakterizuar negociatat e Brukselit për më shumë se dhjetë vjet.

Faza përmbyllëse e dialogut kurorëzohet me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme dhe ky është përmendur të jetë kushti kryesor për avancim drejt integrimit në BE, si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë.