Në 15-vjetorin e pavarësisë, pjesa më e madhe e përfaqësuesve të komuniteteve në Prizren kanë shprehur mendimin se institucionet e Kosovës janë adresa e vetme për zgjidhjen e problemeve aktuale të tyre. Por, megjithëkëtë, ata kanë theksuar edhe kërkesën për më shumë barazi dhe për respektim të të drejtave të tyre, si dhe për përmirësimin e gjendjes ekonomike me qëllim të shmangies dhe parandalimit të migrimit të të rinjve në vendet e Perëndimit
Pesëmbëdhjetë vjetët e shtetësisë së Kosovës janë duke u shoqëruar me kërkesa dhe ndjenja të ndryshme nga pjesëtarët e komuniteteve joshumicë që jetojnë në Komunën e Prizrenit.
Pjesa më e madhe e tyre kanë shprehur mendimin se institucionet e Kosovës janë adresa e vetme për zgjidhjen e problemeve aktuale. Por, megjithëkëtë, ata e kanë theksuar edhe kërkesën për më shumë barazi dhe për respektim të të drejtave të tyre, si dhe për përmirësimin e gjendjes ekonomike me qëllim të shmangies dhe parandalimit të migrimit të të rinjve në vendet e Perëndimit.
Spasa Andrijeviq, përfaqësues i komunitetit serb në Prizren dhe në Novakë, në kuadër të Zyrës Komunale për Komunitete dhe Kthim, ka shprehur vërejtën për rënien e numrit të qytetarëve serbë që jetojnë në këtë komunë.
“Në Komunën e Prizrenit sot jetojnë 70 serbë, që është një numër i pamjaftueshëm. Janë edhe 50 deri në 100 persona që vijnë për dokumente ose punë të tjera, por që nuk qëndrojnë gjatë tërë kohës. Në vitin 2004 kanë qenë 316 serbë në Komunën e Prizrenit. Krahasimi i këtyre numrave na jep pasqyrën se a po shkojmë përpara apo prapa”, ka thënë Andrijeviq.
Ai ka theksuar, po ashtu, se për këtë numër të serbëve jetesa është e shoqëruar me paqartësi të shumta.
“Jetesa për serbët në Prizren është e paparashikueshme, përkundër shumetnisë dhe përparësive që ka ky qytet në krahasim me qytetet e tjera të Kosovës. Arsyeja për këtë është politika”, ka deklaruar ai.
Andrijeviq ka theksuar se kërkesat e qytetarëve serbë janë bazike dhe se ndërlidhen me krijimin e kushteve normale të jetesës.
“Problemet i paraqesim me një dozë të konsiderueshme të ngurrimit, në mënyrë që pala tjetër të mos mendojë se po kërkojmë diçka më shumë sesa që na takon. Ne kërkojmë vetëm kushte për jetesë normale, sepse nuk jemi turistë, por jemi në pronat tona”, është shprehur ai.
Si problemet kryesore të komunitetit, Andrijeviq i numëron mungesën e vendeve të punës, si dhe të kushteve për shkollimin e fëmijëve.
“Në cilën gjuhë duhet të shkollohen ata?”, ka shtruar ai pyetjen.
Arifi: Komuniteti boshnjak ishte gjithmonë faktor kontribuues në Kosovë

Për Sead Arifin, përfaqësues nga radhët e komunitetit boshnjak në Prizren, edhe në 15-vjetorin e pavarësisë Kosova po kalon nëpër fazat e konsolidimit drejt vendosjes së një shoqërie dhe një sistemi demokratik të drejtë dhe funksional.
“Themelet e një shoqërie multietnike dhe civile gjatë shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës mbeten nën hijen e ngjarjeve të fundit dhe të përpjekjeve për të formuar institucione apo drejtime politike që synojnë shkatërrimin e parimeve të një shoqërie multietnike. Ashtu si çdo përvjetor, këtë përvjetor e shikoj si një mundësi për ta kujtuar rëndësinë e kësaj dite dhe për shqyrtimin e hapave tanë në lidhje me arritjen e qëllimit, që është krijimi i një shoqërie demokratike, në të cilën parimet e drejtësisë, bashkëjetesës së përbashkët dhe prosperitetit janë në fokusin e veçantë”, ka thënë ai.
Arifi, anëtar i Kuvendit Komunal të Prizrenit nga radhët e subjektit “Vakat”, ka theksuar, po ashtu, se komuniteti boshnjak ka qenë gjithmonë një faktor kontribuues në Kosovë, madje edhe në procesin e pavarësimit.
“Pritjet nga Republika e Kosovës janë shpresa e vetme për pjesëtarët e komunitetit tonë, sepse nuk kemi shtete rezervë apo opsione të tjera. Për ne, Kosova është adresa e vetme për zgjidhjen e problemeve. Përkundër kësaj, gjendja ekonomike është diçka që nuk është në përputhje me pritjet dhe mendoj se Kosova ka bërë shumë pak në këtë drejtim, sepse ende po përballemi me një migrim të madh të njerëzve tanë në vendet e Evropës Perëndimore”, ka deklaruar Arifi.
Krahas kësaj, ai ka shprehur zhgënjimin rreth mosformimit të asnjë komune boshnjake në Kosovë.
“Sa herë që u formuan komunat, kryesisht të gjitha komunitetet morën komuna dhe pushtet lokal, përveç komunitetit boshnjak. Kur erdhi koha për formimin e komunave me shumicë boshnjake, parimi i decentralizimit në nivel etnik papritmas u deklarua i gabuar. Kjo është një padrejtësi e madhe për komunitetin boshnjak, i cili i plotëson kriteret për komunë në disa vende, duke filluar nga Reçani, Gora apo Vitomirica. Kjo çështje është ndër më të rëndësishmet për komunitetin boshnjak, por fatkeqësisht nuk ka vullnet politik në nivel qendror për procesin e mëtutjeshëm të decentralizimit, edhe pse i plotësojmë të gjitha kushtet e nevojshme për formimin e komunave”, ka deklaruar Arifi, duke e kualifikuar veprimin të domosdoshëm për ofrimin e shërbimeve më efikase për qytetarët.
Simitçi: Kosova ka ende sfida në përmbushjen e objektivave kushtetuese

Ertan Simitçi, përfaqësues i komunitetit turk nga Prizreni, e ka vlerësuar Kosovën në 15-vjetorin e pavarësisë si një storie suksesi, megjithëse ka thënë se ka ende sfida në përmbushjen e objektivave kushtetuese dhe ligjore.
“Në krahasim me komunitetet e tjera, ne jemi në një gjendje mesatare. Problemi më i madh është se nuk kemi statistika zyrtare nga institucionet shtetërore, qoftë nga niveli qendror apo nga komunat, lidhur me përfaqësimin e komuniteteve në sektorin publik. Ka sfida edhe në zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve zyrtare, për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve joshumicë, etj.”, ka theksuar Simitçi.
Ai e ka kualifikuar komunitetin turk si një urë lidhëse për fuqizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Turqinë, shtet ky që ai ka thënë se ka kontribuar në shtetndërtimin e Kosovës.
“Sot kemi mbi 3000 profesionistë që kanë diplomuar në Turqi dhe pres që ky bashkëpunim të rritet e të zgjerohet në aspekte të ndryshme, bazuar në interesat e shtetit tonë”, ka deklaruar Simitçi, i cili është kryetar i partisë turke YTHP.
Ai ka vlerësuar se komuniteti turk ka qenë kontribuues i shtetësisë së Kosovës në çdo etapë dhe ka bërë zotimin që “këtë konstruktivitet do ta vijojë edhe më tej”.
“Ne nuk ankohemi, por kërkojmë që të kemi jetesë të barabartë me të gjitha komunitetet, të respektojmë njëri-tjetrin. Në vitet në vijim besoj se do të ketë avancim për sa i përket respektimit të të drejtave tona”, ka thënë Simitçi.
Menekshe: Komuniteti rom në pozitë më të pafavorshme

Aktivisti i shoqërisë civile nga radhët e komunitetit rom, Fatmir Menekshe, ka thënë se 15 vjet që pas pavarësimit të Kosovës, qytetarët e komunitetit që ai i përfaqëson mund të shikojnë me optimizëm nga e ardhmja.
“Shpresa jonë është që me kalimin e viteve do të avancojmë si shoqëri dhe ne si komunitet, duke kontribuar për forcimin e shtetit të Kosovës. Si pjesëtar i komunitetit gëzohem që jemi pjesë e shtetndërtimit në të gjithë hapat e tij, ani se të gjitha etapat nuk janë përmbyllur, si çështja e dialogut, njohja nga pesë shtetet e BE-së, etj.”, ka thënë ai.
Megjithëkëtë, Menekshe ka theksuar se komuniteti rom aktualisht ndodhet në një pozitë më të pafavorshme në krahasim me komunitetet e tjera që jetojnë në Kosovë, porse ka shtuar se janë duke u bërë angazhime për përmirësime në këtë drejtim.
“Margjinalizimi e diskriminimi i komunitetit rom shpresoj që të zbuten, sepse ka angazhime edhe nga institucionet e Kosovës, por edhe donatorët për respektimin e të drejtave të njeriut. Mirëpo jemi një shoqëri në transicion dhe edukimi i duhur do të ndikojë që të kemi një shoqëri demokratike, pa fenomene negative”, ka shtuar ai.
Ai e ka kualifikuar si veçanërisht inkurajues vendimin e organeve komunale në Prizren për njohjen e gjuhës rome si zyrtare në këtë komunë.
“Ky është një shembull i mirë, jo vetëm për qytetet e Kosovës, por edhe për ata të rajonit, si dhe të Evropës”, ka deklaruar Menekshe.
Me gjithë arritjet dhe pritjet e papërmbushura të komuniteteve, 15 vjet që nga Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008, Kosova ende është duke i vazhduar përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, me anë të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian (BE).
Andrijeviq, nga radhët e komunitetit serb, ka vlerësuar se një zgjidhje rreth çështjes duhet të gjendet sa më parë, në mënyrë që të eliminohej urrejtja.
“Ka gjasa për marrëveshje paqësore, nëse ka vullnet të mirë nga të dyja palët dhe nga ndërmjetësit. Nëse të dyja palët nuk bien dakord, atëherë është detyrë e ndërmjetësve që të sjellin modele të shteteve evropiane, në mënyrë që të ketë paqe, të shmanget konflikti, dhe popullata të jetë e kënaqur. Ka modele të ndryshme në botë. Nuk jemi të vetmit me probleme. Ka pasur probleme kudo, por kanë gjetur modele të përshtatshme. Besoj se është e vështirë që pa ndikimin e faktorëve të jashtëm, serbët dhe shqiptarët të merren vesh, pasi që kjo po varet nga qëndrimi i politikanëve. Mirëpo duhet të gjendet një zgjidhje, pasi urrejtja nuk është zgjidhje”, ka përfunduar ai.