Arbëri

Shtetasit e Kosovës, pasagjerët kryesorë në Aeroportin e Kukësit

Mbështetur në të dhënat zyrtare që i janë ofruar KOHËS, numri i pasagjerëve nga Kosova dhe diaspora e saj që kanë aterruar në Aeroportin e Kukësit për periudhën 1 maj-31 gusht është më shumë se 6 herë më i lartë se numri i pasagjerëve me pasaportë të Shqipërisë. Ndërkaq numri i pasagjerëve nga Kosova dhe diaspora e këtij vendi që kanë fluturuar për në vendet perëndimore përmes Aeroportit të Kukësit për të njëjtën periudhë është 6.8 herë më i lartë se numri i pasagjerëve me pasaportë të Shqipërisë

Mimoza Zani, 50 vjeçe nga Tirana, kishte zgjedhur Aeroportin e Kukësit për të udhëtuar nga Vjena për në Tiranë, ndërsa avioni i kompanisë “Wizz Air” me të cilin kishte udhëtuar nga Vjena për në Kukës ishte në pritje për t’u nisur sërish drejt kryeqytetit austriak.

Ajo bashkë me dy familjarë të saj ishin në pritje të mjetit për të udhëtuar për në kryeqytetin e Shqipërisë, ku banon.

“Erdhëm këtej e jo në Rinas, ta provojmë. Çmimet e biletës ishin pak më lirë se në Rinas”, thotë ajo, teksa të afërmit i kërkojnë të shpejtojë pasi automjeti po i priste për të lëvizur për në Tiranë.

Por, më të shumtët që dalin nga terminali i Aeroportit të Kukësit janë udhëtarët nga Kosova.

“Zgjodhëm Aeroportin e Kukësit se e kemi më afër se Prishtinën. Jo më afër, por shumë më afër. Edhe kufiri është i lirë dhe nuk po kemi telashe”, thotë Xhafer Shala, nga fshati Brezne i zonës së Opojës në Komunën e Dragashit.

“Vij nga Austria. Ishte hera e parë që udhëtoj për në Kukës. Ishte super”, thotë Fasli Gashi nga Suhareka.

Sezoni turistik është në përfundimin e tij, megjithatë në Aeroportin që ndodhet në qytetin pranë kufirit me Kosovën vazhdojnë të kryhen katër fluturime në ditë.

Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit në Kukës ka bërë të ditur për KOHËN numrin e hyrje-daljeve nga Aeroporti i Kukësit si për shtetasit shqiptarë dhe ata të huaj për periudhën nga 1 maj-31 gusht.

Në numrin e shtetasve të huaj bëjnë pjesë kryesisht qytetarët nga Kosova, si dhe nga diaspora e këtij vendi që jetojnë e punojnë në vendet perëndimore.

“Për periudhën 1 maj-31 gusht 2022 numri i hyrjeve të pasagjerëve me pasaportë shqiptare në Aeroportin e Kukësit është 1953 persona, ndërsa numri i daljeve është 2010 persona. Ndërsa numri i hyrjeve të shtetasve të huaj që janë nga Kosova dhe diaspora e këtij vendi, numri i hyrjeve është 12.327 pasagjerë, ndërsa ai i daljeve është 13.678 pasagjerë”, thuhet në një përgjigje të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit në Kukës. “Nga numri i përgjithshëm i të huajve që kanë hyrë në Aeroportin e Kukësit për periudhën katërmujore, 1522 persona janë shtetas sllovakë, çekë, amerikanë e polakë”.

Mbështetur në këto të dhëna, numri i pasagjerëve nga Kosova dhe diaspora e këtij vendi që kanë aterruar në Aeroportin e Kukësit për periudhën 1 maj-31 gusht është më shumë se 6 herë më i lartë se numri i pasagjerëve me pasaportë të Shqipërisë. Ndërkaq numri i pasagjerëve nga Kosova dhe diaspora e këtij vendi që kanë fluturuar për në vendet perëndimore përmes Aeroportit të Kukësit për të njëjtën periudhë është 6.8 herë më i lartë se numri i pasagjerëve me pasaportë të Shqipërisë.

Ndërkaq, nga totali i përgjithshëm, 35.6 për qind e hyrjeve gjatë gushtit në Aeroportin e Kukësit kanë qenë shtetas të Shqipërisë, e 33.8 për qind numri i daljeve.

Drejtori i përgjithshëm i “Wizz Air Group”, Jozsef Varadi, pati thënë se synonte tregun rajonal.

“E shohim tregun jo vetëm të kufizuar si treg shqiptar, por si një qasje rajonale, duke përfshirë edhe Kosovën e Maqedoninë e Veriut, për t’u siguruar që ne të jemi tërheqës dhe të mbulojmë sa më shumë treg të jetë e mundur. Aeroporti i Kukësit është një investim i ri në Shqipëri, por është edhe një investim i ‘Wizz Air’. Jam i sigurt që Kukesi do të zgjerohet dhe do të investohet në të ardhmen. Nga Kukesi, ‘Wizz Air’ është lidhur me Vjenën, me Mynihun me Karlsruhe/Baden-Baden dhe me Basel-Mulhouse, vende këto ku më së shumti udhëtojnë qytetarët nga Kosova. Kjo, pasi ‘Wizz Air’ në Aeroportin e Kukësit sjell bileta me kosto të ulët udhëtimi”, pati deklaruar më parë ai.

Edhe në vitin e shkuar, kosovarët ishin pasagjerët më të numërt në këtë aeroport.

“Rreth 80% e pasagjerëve që kanë fluturuar përmes Aeroportit të Kukësit në vitin 2021 janë nga Kosova, dhe kjo përqindje parashikohet edhe në të ardhmen. Ndaj jemi të orientuar drejt atyre linjave që fluturojnë më së shumti pasagjerët nga Kosova”, ka thënë shefja e marketingut e Aeroportit të Kukësit, Xhesika Peço.

Edhe në Qeverinë e Shqipërisë janë të vetëdijshëm për këtë.

“Ky është një aeroport rajonal që mbulon nevojat e shqiptarëve të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut”, ka thënë Belinda Balluku, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Aeroporti i Kukësit ka përfunduar në tetor të vitit 2007, pas një granti falas prej 30 milionë USD nga Qeveria e Emirateve të Bashkuara, megjithatë nuk është vënë asnjë ditë në funksion deri më 9 korrik të vitit 2021.