Vendimi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës që anëtarëve jogjyqtarë ua njeh të drejtën e dy lloj shtesash, sipas profesorit Arsim Bajrami, mund të kontestohet në Gjykatën Themelore. Këtë ka thënë se mund ta bëjnë institucionet shtetërore dhe OJQ-të. Në Ministrinë e Drejtësisë nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS nëse do ta ndërmarrin këtë hap
Ministria e Drejtësisë nuk ka treguar nëse do ta kontestojë në gjykatë vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës lidhur me shtesat për anëtarët jogjyqtarë. Ky vendim ua lejon dy lloje shtesash tre anëtarëve jogjyqtarë, njëra prej 346 eurosh e tjetra 1,565, ani se kjo e dyta merret në emër të shtesës transitore që Ligji e parasheh vetëm për ata që u është zvogëluar paga.
Vlerësimin e këtij vendimi ka refuzuar ta bëjë Avokati i Popullit. Këtë fillimisht e ka arsyetuar me mosparaqitjen e ndonjë ankese ose shqëtësimi lidhur me këtë vendim, e pastaj ka folur për pavarësinë që e gëzon Këshilli në ushtrimin e funksioneve të veta.
“Institucioni i Avokatit të Popullit ka mandat kushtetues mbikëqyrjen, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut. Duke rikonfirmuar atë që kemi thënë në herën e parë, theksojmë se Këshilli Gjyqësor i Kosovës sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës është institucion plotësisht i pavarur në ushtrimin e funksioneve të veta. Ndërsa, sipas Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës është përcaktuar që Këshilli gëzon pavarësi organizative, administrative dhe financiare për realizimin e detyrave të përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj”, thuhet në përgjigjet e Avokatit të Popullit. “Në këto rrethana, unë nuk shoh rol të Avokatit të Popullit për të dhënë çfarëdo vlerësimi dhe ndërhyrje në pushtetet e ndara. Në anën tjetër, nëse ka pasur apo jo çfarëdo mosrespektimi të procedurave të përcaktuar me ligj janë autoritetet e tjera që duhen të merren me këtë çështje”.
Edhe profesori universitar, Arsim Bajrami, ka thënë se Këshilli Gjyqësor nuk i përgjigjet asnjë organi tjetër, por se sipas tij, ky institucion duhet ta zbatojë vendimin e Gjykatës në rast se do ta anulonte këtë dokument.
“Kjo është çështje administrative e jo kushtetuese. KGJK-ja është institucion i pavarur, por vendimet e tij, përfshirë edhe ato për pagesën e anëtarëve jogjyqtarë mund të kontestohen tek Gjykata Themelore, Departamenti i kontesteve administrative. Kontestimin mund të bëjnë organet shtetërore, Inspektorati i punës dhe ai adminstrativ, institucionet publike dhe OJQ-të”, ka sqaruar Bajrami.
E në Ministrinë e Drejtësisë që nga 13 shkurti nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS nëse do ta dërgojnë ose jo këtë vendim në gjykatë.
KOHA ka raportuar se si anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, bazuar në një vendim, marrin shtesa prej 346 eurove dhe tre anëtarët jogjyqtarë, pos kësaj shume, në emër të shtesës transitore marrin edhe nga 1,565 euro.
Ndryshe nga ta, anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës e marrin vetëm shtesën prej 346 eurosh.
© KOHA Ditore