Arbëri

Shteret Ibri, Komuna e quan alarmante situatën

Uji i pijshem

Komuna e Mitrovicës njoftoi se është ndaluar rrjedha e ujit nëpër shtratin e lumit Ibër, duke shkaktuar shterjen e tij.

Në Facebook, Komuna shkroi të dielën se është alarmues rrezikimi i furnizimit me ujë të pijes për rajonin e Mitrovicës, në këto temperatura të larta.

Ndërsa, ky institucion bëri të ditur se ka kërkuar sqarime nga organet kompetente për mungesën e ujit, për shkak të punimeve që po bëhen në Liqenin e Ujmanit.

"Të nderuar qytetarë të Mitrovicës. Sot në orët e hershme të mëngjesit autoritetet e Komunës së Mitrovicës janë përballur me ndaljen e rrjedhës së ujit nëpër shtratin e lumit Ibër e cila ka shkaktuar edhe shterjen e lumit. Rrezikimi i furnizimit me ujë të pijes për Rajonin e Mitrovicës në këto temperatura të larta, rrezikimi i ekosistemit të lumit Ibër janë alarmuese për ne si institucion i Komunës së Mitrovicës. Komuna e Mitrovices ka kërkuar sqarim dhe sipas informatave nga organet kompetente arsyeja e mungesës së ujit është për shkak të punimeve të zhvilluara në Liqenin e Ujmanit", thuhet në njoftim.

Për këtë ka reaguar edhe Faruk Mujka, kryeshef i "Ibër Lepencit", që tha se Komuna po e fajëson këtë institucion, ndërsa shtoi se faji është i gabimeve dhe i mospunës nga institucionet komunale.

Sipas tij, portat në liqenin akumulues janë harruar të mbyllen, me ç’rast ka ardhur deri në shterjen e Ibrit.

“Sot, përkundrazi ato janë harruar të mbyllen, njëjtë si para dy muajsh kur kishim foto të njëjta. Sa për informim niveli i ujit në Çabër e Kushtovë është normal për një ditë vikendi. Nuk ka asnjë arsye tjetër që po potencohet në portale. Kanali i Ibër-Lepencit ka sasinë normale dhe furnizon normalisht edhe fabrikat e ujit, KEK-un, Ferronikelin dhe gjithë bujqit që kanë nevojë me i ujit arat e tyre”, shkro Mujka.