Përfaqësues të shtëpive botuese dhe autorë librash kanë shprehur shqetësim se edhe këtë vit procesi i vlerësimit të teksteve shkollore mund të përcillet me parregullsi. Sipas tyre, edhe pse janë bërë dy muaj qëkur është mbyllur konkursi për tekstet e reja të klasave 3, 8 e 12, ata nuk kanë marrë asnjë informatë nga Ministria e Arsimit se çka po ndodh me këtë proces.
Tekstet e reja për këto klasë ishte paraparë të jenë të gatshme për shtator të këtij viti, mirëpo vlerësimi nuk ka filluar ende. Autori i teksteve nga shtëpia botuese “Albas”, Arben Hajdari, ka thënë se MASHT-i është mbyllur hermetikisht duke mos i njoftuar rreth procesit. Ai ka kërkuar që këtë vit emrat e recensentëve të mos mbeten anonim sikurse vitin e kaluar, por të bëhen publikë, pasi, sipas tij, përgjegjësia do të ishte më e madhe, raporton KOHA.
E drejtori i shtëpisë botuese “Luarasi”, Shukri Klinaku ka thënë se Ministria duhet të tregohet më e përgjegjshme se vitin e kaluar e të mos lejojë parregullsi pasi, sipas tij, përveç shtëpive botuese dhe autorëve do të dëmtohen edhe nxënësit.
Ndërkaq, drejtori i shtëpisë botuese “Libri shkollor”, Bajram Shatri, përmes një përgjigjeje me shkrim ka kërkuar që recensentët të jenë profesionistë dhe korrektë në vlerësime. Për shkak të vonesave nga MASHTI, sipas tij, ka rrezik që tekstet e klasave 3, 8 dhe 12 të mos jenë të gatshme për shtator.
Rreth procesit të teksteve shkollore, KOHA ka tentuar të marrë qëndrim edhe nga Ministria e Arsimit, por nuk ka marrë përgjigje.
Vitin e kaluar ishin botuar tekste të reja për klasat 1, 2, 6, 7, 10, 11, me c’rast ky proces ishte përcjellë me shumë parregullsi, për çka kishin dhënë dorëheqje disa anëtarë të Këshillit të Teksteve.