Dhjetë minatorë kanë pësuar lëndime në Minierën e Trepçës të mërkurën, ndërsa dy prej tyre janë në gjendje pak më të rëndë. Të gjithë janë dërguar për trajtim në Spitalin e Mitrovicës.
Drejtoresha e këtij spitali, Laura Nushi, ka thënë se 2 prej të lënduarve janë në gjendje më të rëndë dhe se po trajtohen në repartin e Oftalmologjisë në Spitalin e Mitrovicës.
“Janë gjithsej dhjetë pacientë që kanë kërkuar ndihmë, dy janë me lëndime më të rënda dhe pranuar në repartin e Oftalmologjisë, të syve, në Spitalin e Mitrovicës, 8 janë me lëndime më të lehta dhe pasi ta përfundojnë trajtimin në emergjencë pritet të lirohen”, është shprehur Nushi.
Destan Kërleshi nga Sindikata e Minatorëve të Trepçës ka theksuar se minatorët janë lënduar gjatë transportimit me ashensor të acidit sulfurik.
Acidi sulfurik, siç ka thënë Kërleshi, ishte i një sasie të madhe.
Ata janë dërguar në Spitalin Rajonal të Mitrovicës për trajtim të mëtutjeshëm.