Arbëri

SHSKUK-ja thotë se janë rinovuar klinikat ku puna as nuk ka nisur

Raporti i drejtorisë së Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (SHSKUK), për punën në gjashtëmujorin e parë të këtij viti thotë që ky institucion tashmë ka përfunduar disa projekte kapitale. Dokumenti është prezantuar para bordit të SHSKUK-së javën e kaluar.

Por, jo vetëm që këto projekte nuk kanë përfunduar, por në disa as nuk ka filluar puna.

Sipas raportit, aktivitete të përfunduara janë: spitali për nëna dhe fëmijë në Prizren; Aneksi i Klinikës së Ortopedisë në QKUK; Projekti ideor për depon qendrore të barnave dhe materialit shpenzues mjekësor në SHSKSUK; Rinovimet në klinikat e QKUK-së; Rregullimi i nyjave sanitare në hapësirat e QKUK dhe njësive të tjera të SHSKUK;

KOHA ka konfirmuar se nuk janë afër përfundimit, as spitali për nëna dhe fëmijë, e as Klinika e Ortopedisë.

Në raportin për punën 6- mujore të SHSKUK thuhet që ky objekt ka përfunduar e në pamjet e shfaqura në KTV, dëshmohet se një gjë e tillë nuk qëndron. KOHA ka insistuar te QKUK-ja për përgjigje shtesë se kush e ka hartuar këtë raport, por zyrtarët në këtë institucion nuk janë përgjigjur.

Ndonëse raporti i prezanton si punë të kryera, rinovimi i katër klinikave të QKUK-së as që ka nisur.

Një ditë pas raportimit në KOHË-s për raportin që përmban gënjeshtra, në SHSKUK thanë se dokumenti ishte vetëm draft.

“Nuk bëhet fjalë për raport 6-mujor të punës, por draft-raport, i cili është sjellë për diskutim në Bordin Drejtues-SHSKUK. Pra nuk është raport final i miratuar. Bordi Drejtues, duke pasur për qëllim transparencën me publikun, ka ftuar mediat që të jenë prezente në çdo takim dhe të përcjellin për së afërmi diskutimin, andaj, nuk është mirë të keqkuptohet publiku”, thuhet në përgjigjën e Zyrës së Drejtorit të SHSKUK. Në përgjigje të SHSKUK-së, thuhet se në mbledhjen e fundit kur është prezantuar dokumenti, anëtarët e Bordit Drejtues kanë dhënë komente, dhe se edhe vetë kryesuesi i Bordit ka pasur dhjetëra vërejtje.

Por në mbledhjen ku ishte i pranishëm ekipi i KOHËS, edhe sugjerimet që janë bërë nuk ishin të lidhura me objektivat, që sipas Drejtorisë janë realizuar, e për të cilat ka dërguar pyetje KOHA.

Dokumenti nuk ka shenjën që tregon se ai është draft, por mban titullin raport i punës.

Edhe statuti i SHSKUK-së nuk e përcakton që këto raporte të konsiderohen drafte para votimit në bord.

Në statut saktësohet që dokumenti i tillë që përgatitet për shqyrtim në bord, është raport e jo draft-raport.

“Në funksion të sigurimit të transparencës optimale ligjore, drejtori i Përgjithshëm përgatit për Bordin Drejtues dhe ministrin e Shëndetësisë: Raporte të rregullta vjetore dhe raporte periodike tre (3) mujore me deklaratën përcjellëse financiare.”, thuhet në statutin e SHSKUK-së.

KOHA ka raportuar edhe për të tjera objektiva në raportin e Drejtorisë së SHSKUK-së, e që në mënyrë të rreme janë paraqitur si të realizuara.