Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka vendosur të japë kontratë për furnizim me një ilaç për 11 mijë euro më shtrenjtë sesa vlera e tij e parashikuar me dosjen e tenderit. Në fund të muajit mars, SHSKUK-ja kishte hapur tender për furnizim për barin “Lidoacine”, ku pritej të siguroheshin mbi 300 mijë copë.
Në tenderin e hapur, SHSKUK-ja kishte parashikuar rreth 38 mijë e 387 euro për këtë ilaç nga Lista Esenciale e Barnave, për një periudhë 2-vjeçare. Pas më shumë se një muaji që nga hapja e tenderit, është përzgjedhur kompania e vetme që kishte ofertuar për këtë produkt.
“Lidocaine”, anestetik lokal që përdoret për qetësimin e dhimbjeve, pritet të sigurohet nga kompania “Promed”, e cila ka nënshkruar kontratë ditë më parë me SHSKUK-në për një vlerë prej 49 mijë e 903 eurosh, apo gati 11 mijë më shtrenjtë se vlera e parashikuar e kësaj kontrate.
KOHA ka pyetur Zyrën e Prokurimit të Shërbimit Spitalor e Klinik Universitar të Kosovës se përse e kishte shpallur këtë ofertues fitues.
Kjo zyre përmes një përgjigjeje me shkrim ka konfirmuar se ndonëse çmimi për njësi i iniciuar ishte 0.10 centë, çmimi i ofruar nga operatori ekonomik për një copë ishte 0.13 centë.
Siç është thënë në vazhdim, ky tender ka dështuar dy herë në mungesë të ofertave, derisa është tejet i nevojshëm për klinikat dhe spitalet e përgjithshme.
“Ky tender ka dështuar dy herë më parë në mungesë të ofertave, ndërsa ky produkt është shumë i nevojshëm për klinikat e QKUK-së dhe për spitalet e përgjithshme. Nuk ka pasur të tjera kompani konkurrente në këtë tender për këtë produkt”, është thënë në përgjigjen e SHSKUK-së.
Nga SHSKUK-ja më tutje është bërë e ditur se para nënshkrimit të kontratës ishte bërë një hulumtim i tregut, përmes të cilit kanë ardhur në përfundim se ata e kishin kontraktuar më lirë sesa shitej në barnatore private.
“Siç e theksuam më lart, ky produkt është vital për institucionet shëndetësore klinike. Më datën 23.4.2021 është bërë edhe një hulumtim i tregut me të cilën konstatohet se ky produkt në barnatore shitet me çmim mesatar prej 0,32 centë, ndërsa ne e kemi kontaktuar me 0.13 centë”, ka thënë më tutje SHSKUK-ja në përgjigjen e saj.
KOHA ka tentuar të marrë sqarime edhe nga kompania fituese, por kontakti me këtë kompani ka qenë i pamundur.