Arbëri

SHSKUK-ja pranon se i mungojnë një numër barnash

Problemi me mungesën e ilaçeve dhe produkteve bazike mjekësore në klinika të QKUK-së nuk ka marrë zgjidhje prej javësh. Me gjithë mohimin e mëhershëm, në SHSKUK i konfirmuan KOHËS se ka mungesa. Në këtë instancë thanë se për disa produkte furnizimi është bërë gjatë javësh, e mungesën e të tjerave e arsyetuan me dështimin e procedurave të prokurimit

Me qese plot ilaçe që i blenë vetë në barnatore private, dhjetëra pacientë e familjarë u panë tek hyjnë në Klinikën e Kirurgjisë, së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Në kushte anonimiteti, disa prej tyre treguan se gjatë hospitalizimit në QKUK janë detyruar që t’i blejnë edhe barnat bazike që u nevojiten për trajtim.

“Pantoprazol kom ble qe nja katër ditë...”, ka thënë një pacient.

“Nga 22 euro përditë”, ka thënë një tjetër, tek tregoi koston e barnave.

E një familjar i një pacienti tregoi se ka blerë edhe kontrast, para se i afërmi i tij t’i nënshtrohet procedurës së koronarografisë në Klinikën e Kardiologjisë.

“Mirë janë t’u na këqyr, ama këto kontrastet, po duhet me i ble... Koronarografinë me e kry, 70 euro kontrastin po duhet me ble”, ka thënë ai.

Bazuar në informata që i siguroi KOHA, klinikat e spitalet përballen edhe me mungesë të jodit dhe azotit të lëngshëm.

Ditë më parë, pacientët treguan për KOHËN se mungojnë edhe së paku katër produkte për kimioterapi, përfshirë ampulën “Gemcitabine”, “Ciklofosfamidi”, “Vinkristina” e “Paclitaxel”.

Mungesën e tyre ia konfirmuan KOHËS edhe në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar. Për disa prej produkteve, në SHSKUK thanë se furnizimi është siguruar e mungesën e të tjerave e arsyetuan me dështimin e procedurave të prokurimit.

“Me produktin medicinal ‘Tamoxifen’ jemi furnizuar gjatë së premtes dhe njëkohësisht është furnizuar edhe Klinika e Onkologjisë. Gjithashtu kemi pranuar donacion me produktin medicinal ‘Vincristin’. Gjatë ditëve në vijim jemi në pritje të liferimit të produktit medicinal ‘Paclitaxel’. Sa i përket furnizimit me produktin medicinal ‘Gemcitabine’, OE (operatori ekonomik v.j.) nuk ka arritur të furnizojë SHSKUK-në për periudhën TM4 2024, gjithashtu procedurat e kontraktimit kanë dështuar. Në procedurat e kontraktimit ka dështuar edhe kontraktimi i produktit ‘Ciclofosfamid’”, thuhet në përgjigje.

E për mungesën e “Pantoprazol ampulas”, në SHSKUK thanë se janë në pritje të furnizimit.

Gjatë dy javëve të fundit, KOHA ka raportuar se në Klinikën e Pediatrisë prindërit janë detyruar të blejnë vetë disa tretësira për infuzione e një lloj anestetiku lokal. Në këtë klinikë, prej më se shtatë muajsh nuk ka furnizim as me hormonin e rritjes, “Somatropin”.

Ndonëse gjatë javës, SHSKUK-ja i quajti dezinformata raportimet për mungesë të infuzioneve, drejtoresha e Barnatores Qendrore të premten tha se janë bërë përpjekje për racionalizimin e shpenzimit të këtij produkti dhe se një ditë më parë është bërë furnizimi me 75 mijë tretje fiziologjike.